E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu takon Metën: Greqia, avancim vizave dhe integrimit të Shqipërisë



Shqipëria merr garancinë e fortë të shtetit fqinj, Greqisë, për proceset integruese të vendit, heqjen e shpejtë të vizave dhe anëtarësimin në familjen evropiane. Dhe është Kryeministri i ri grek, ai që u shfaq sërish dje përkrahës ndaj qeverisë së kryesuar nga Kryeministri Sali Berisha për vijimësinë e reformave intriguese të vendit. Kryeministri grek, z. Papandreu, garantoi dje ministrin tonë të Jashtëm, Ilir Meta, për angazhimin e qeverisë greke për avancimin dhe konkretizimin e nismës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, brenda vitit 2014, si dhe shprehu mbështetjen e plotë të Greqisë për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë si dhe për vendimin e pritshëm gjatë vitit të ardhshëm për heqjen e regjimit të vizave me Bashkimin Evropian. Gjatë pjesëmarrjes në ministerialin e OSBE-së që po zhvillohet në Athinë, zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta, u prit dje në një takim të veçantë nga Kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë z. Jorgo Papandreu. Z. Meta dhe z. Papandreu vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve dhe qeverive si të shkëlqyera dhe u angazhuan për thellimin dhe konkretizimin e tyre të mëtejshëm. Gjatë takimit u diskutua për axhendën e integrimit evropian të Shqipërisë, stadin e ri të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian pas pranimit të aplikimit për anëtarësim nga Këshilli i BE-së dhe rreth procesit të liberalizimit të vizave. Z. Meta shprehu vlerësimin e qeverisë shqiptare për vizionin e prezantuar nga Kryeministri grek, z. Papandreu, për përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian brenda vitit 2014, si një vazhdimësi dhe dinamikë e re e angazhimeve të samitit të Selanikut për vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të bashkëpunimit dypalësh, ku ndër të tjera z. Meta kërkoi në emër të qeverisë shqiptare shqyrtimin nga pala greke të vendimit për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit të automjeteve, si dhe realizimin e një marrëveshjeje në fushën e sigurimeve shoqërore, që do t’i shërbejë integrimit të mëtejshëm të qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Greqi. Gjatë takimit u ra dakord për mbledhjen në një kohë të shpejtë të Komisionit të Përbashkët të Bashkëpunimit Ekonomik, për të parë mundësinë e intensifikimit të bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›