E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athinë-Shkup, emri zgjidhet në Londër

Gruevski ka propozuar Mbretërinë e Bashkuar si vend për bisedime
Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, ka paralajmëruar takime direkte mes përfaqësuesve të qeverisë greke rreth çështjes së emrit. Takimi i parë pritet të zhvillohet në Londër mes ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Antonio Milloshovski, dhe zëvendësministrit të Jashtëm grek, Dimitris Drucas. Takimi është iniciuar nga pala maqedonase, ndërkohë që nuk ka konfirmim nga pala greke nëse ai do të zhvillohet. Pas takimit do të duhet të zhvillohet edhe një tjetër mes dy kryeministrave të dy vendeve, tha kreu i qeverisë maqedonase, Nikolla Gruevski. “Do të jenë bisedime të gjata dhe me detaje. Për fat të keq, sinjalet që vijnë nga Greqia nuk lënë shumë hapësirë për shpresë, por nëpërmjet diskutimeve, takimeve, ideve të reja dhe shpalosjes së argumenteve mbase do të vijë diçka e re”, u shpreh Kryeministri Gruevski. Në kohën kur u njoftuan paralajmërimet për takime direkte mes qeveritarëve, po bëheshin përgatitjet për takimet e tjera direkte mes përfaqësuesve të Greqisë dhe Maqedonisë, por mes profesorëve universitarë dhe figurave të tjera publike të dy vendeve. Aktiviteti i quajtur “Ndërtim i urave – së bashku” është zhvilluar dje. Adelina Marku, opinioniste, e cila është e përfshirë edhe në projekte të zhvillimit rajonal, thotë se takime të tilla kontribuojnë realisht, në kuptimin që u japin mundësi politikanëve të trajtojnë me lehtësi çështjet delikate.
“Janë kontakte të cilat mundohen të hyjnë në thellësinë e komunikimit ndërshtetëror. Jam e mendimit që një komunikim i tillë, i mbështetur prej lëvizjeve të ndryshme të akademikëve dhe profileve të tjera apolitike të shoqërisë, është një ndihmesë e jashtëzakonshme për rajonin dhe konceptin e bashkëpunimit rajonal, që është një nga prioritetet e BE-së”, tha Adelina Marku. Zhana Bozhinevska, gazetare që ndjek marrëdhëniet greko- maqedonase, thotë se bisedimet mes zyrtarëve duhet të jenë të qenësishme dhe të sinqerta që të sjellin përparim. “Deklaratat e Kryeministrit Nikolla Gruevski janë të paqarta, sepse ai nga njëra anë flet për bisedime të detajuara, por nga ana tjetër dëshiron ndryshimin e vetëdijes greke. Kryeministri do të duhet të qartësojë deklaratën e tij, por nga ana tjetër ndodh ajo që ka ndodhur deri më tani, ku Kryeministri nuk jep detaje se çfarë përgatit pala maqedonase”, thotë Bozhinovska. Në Maqedoni nuk ka pasur prej vitesh takime mes profesorëve grekë dhe maqedonas. Organizatorët thonë se takimi i së hënës do të duhet të shkrijë akujt mes dy vendeve. Qeveritarët, ndërkohë, filluan të takohen drejtpërdrejt para disa muajsh. Kryeministrat Gruevski dhe Papandreu kanë zhvilluar bisedime dy herë deri më tani, por veç takimeve dëshirohen bisedime konkrete që të mund të sjellin një zgjidhje të çështjes së hapur mes dy vendeve. Diplomatët në Shkup nuk lënë rast pa përmendur se tani është momenti për të zgjidhur dallimet që zgjasin thuajse 20 vjet, që Maqedonia të mund të bëjë përpara në rrugën e integrimeve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›