Krimi, 90 për qind e pushtetarëve, në bazat e krimit

Kryeministri Berisha deklaron se në 15 vjet janë përfshirë me mafien, të gjitha nivelet e pushtetit
Krimi ka në bazë rreth 90% të pushtetarëve të të gjitha niveleve, që kanë shërbyer gjatë këtyre 15 viteve. Kështu është shprehur Kryeministri Sali Berisha, duke bërë një sërë kritikash, në fjalën e tij gjatë analizës së Policisë së Shtetit. Me tone të ashpra, ai ka përmendur disa nga problemet më kyçe të vendit, duke i lidhur drejtpërdrejt me keqmenaxhimin e policisë, të cilën e ka cilësuar si Agjencinë e Zbatimit të Ligjit. Ai ka hedhur akuza edhe mbi punonjësit e policisë, të cilët bashkëpunojnë me krimin, duke përmendur rastin më flagrant, që sipas tij ishte vrasja e katër punonjësve të policisë në arrestimin e Dritan Dajtit. Në fjalën e tij, fillimisht Kryeministri e përgëzoi policinë dhe më pas nxori në pah edhe problemet kryesore, që sipas tij i shqetësojnë të gjithë dhe zhdukja e tyre sjell më siguri në vendin tonë.
Rasti i Dajtit
Sipas Berishës, këtë vit lufta kundër korrupsionit ka njohur dimensione të reja. Muajt e fundit, numri i zyrtarëve që janë përballur me ligjin, është rritur. “Unë ju përgëzoj për këtë. Nuk ka asgjë më jetike për shoqërinë shqiptare, sesa lufta kundër korrupsionit. Ai është një kancer që shërben si shtrat i të gjitha të këqijave të tjera”, tha Berisha. Më tej, ai shtoi se është korrupsioni ai që shërbeu si kusht kryesor për vrasjen barbare të katër oficerëve të policisë në ngjarjen e Durrësit. “Ishte inspektori i policisë ai që i jepte mbulesë terroristit Dritan Dajti, duke u bërë bashkëfajtor apo dhe më shumë kriminel sesa ai. Ja u dhashë këtë shembull për të ilustruar këtu sesa jetike është lufta kundër korrupsionit. Ju keni meritë, sepse gjatë këtyre viteve keni luftuar me vendosmëri në luftën kundër korrupsionit dhe lidhjet me krimin në radhët tuaja. Rasti në fjalë dëshmon se kjo luftë duhet të zhvendoset në një nivel edhe më të lartë. Këto ditë, këto muaj, falë punës suaj dhe përkushtimit tuaj janë përballur me ligjin, punonjës të të gjitha institucioneve, përfshi gjykatës dhe prokurorë dhe unë ju përgëzoj. Por, nuk duhet të tërhiqeni para asgjëje, para cilitdo në këtë luftë”, deklaroi i vendosur Kryeministri. Gjithashtu, ai shtoi se qeveria ndërmerr reforma të thella për të parandaluar korrupsionin dhe ato janë evidente, por pa punën tuaj, pa penalizmin e zyrtarëve të korruptuar, lufta kundër korrupsionit bëhet thjesht një iluzion.
Krimi dhe pushteti
Këto ditë hyri në fuqi ligji i luftës kundër krimit të organizuar apo ligji “Antimafie”, i cili është një ligj i shkëlqyer dhe ka marrë aspektet më bashkëkohore të ligjeve të vendeve anëtare të BE-së. Beteja kundër krimit është para së gjithash beteja në rrafshin ekonomik. Unë jam i bindur se, në zbatim korrekt të këtij ligji, në bashkëpunim të ngushtë me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, ne do të mund të bëjmë, të ngushtojmë gjithnjë e më shumë hapësirën për mafien dhe krimin ekonomik. Pohoj këtu se një mal i tërë falsifikimesh, përvetësimesh dhe krimi është ngritur dhe kësaj here i tëri ka në bazë 90% pushtetarë të të gjitha niveleve gjatë këtyre 15 viteve. Ata kanë përdorur pushtetin, kanë ndarë interesat me mafien dhe ne, me forcën e ligjit duhet t’u tregojmë vendin çdo ditë, deklaroi Berisha.
Indiferenca e policisë
Kryeministri ka përmendur edhe disa probleme që janë shqetësuese sot, si qëndrimi i inspektorit të policisë ndaj shkelësit të ligjit. Ai tha se cilido qoftë ai, zyrtar apo jo i tillë, duhet të marrë faturën imediate nga ju për shkeljen e ligjit. “Qeveria përpiqet dhe do të përpiqet që të bëjë ligje shumë të mira që t’ju ndihmojë ju, të garantojë qytetarët, por t’ju ndihmojë edhe ju në përmbushjen e detyrimeve tuaja, por asgjë nuk mund të zëvendësojë qëndrimin tuaj ndaj shkelësit të ligjit kudo që ndodhet”, vijoi kreu i qeverisë. Më tej, shpjegoi se qeveria ka ndaluar me ligj kambizmin në rrugë, por arkivat e policisë kanë disa vrasje kambistësh dhe në këtë rast kur një kambist vritet përgjegjësia është e policisë. “Nuk mund të ketë indiferencë. Askush më shumë se qytetarët nuk e paguajnë indiferencën e policisë ndaj zbatimit të ligjit, ndaj shkelësit të ligjit. Nuk ju mungon përkushtimi dhe as guximi. Por, zoti drejtor i përgjithshëm është e domosdoshme që në radhët e policisë të luftohet ky qëndrim”, kërkoi Berisha, duke kërkuar që të ruhet ligji. Gjithashtu, ai shtoi se verën që shkoi, pas zgjedhjeve, shumë turistë janë larguar nga marrëzia e zhurmës së tmerrshme akustike, që nuk ndodh askund në botë përveçse në Shqipëri, në një vend ku ka ligje për këtë. Qytetarë të ardhur nga vende të ndryshme për të pushuar në Shqipëri largoheshin sepse nuk mund të qëndrohej. “Zoti drejtor i përgjithshëm, këto janë disa shembuj. Nuk janë të pakta rastet kur Kryeministri informohet se policia heziton të mbështesë përmbaruesin në ekzekutimin e vendimit të gjykatës. Kjo është e papranueshme për ne. Gjykatësi i ka dhënë vendimin përmbaruesit. Duhet të dini një gjë që si Agjenci e Zbatimit të Ligjit, çdo mosfunksionim në përputhje me ligjin i veprimtarisë suaj dëmton në thelb shtetin ligjor në Shqipëri”, përfundoi mbi indiferencën e policisë. Më tej, Kryeministri nuk ka harruar edhe përgëzimet, duke treguar se policia ka dhënë gjatë këtyre viteve një kontribut të jashtëzakonshëm. Sipas tij, pa këtë kontribut, Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s, nuk do të kishte vitin që shkoi rreth tre milionë turistë, nuk do të merrte pyetësorin për statusin e kandidatit dhe nuk do të konsiderohej për heqjen e vizave. Gjithashtu, ai i përshëndeti për punën serioze, përkushtimin e madh, sakrificën në luftën e suksesshme për rendin dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë, luftën e suksesshme dhe kontributin për rendin dhe sigurinë.
#