E Diel, 1 Nëntor 2026

Athinë, më bëj një rracion kukurrec…me zorrët e mia!!! Tiranë, ti hesht, si gjithmonë!

Nëse do të shkoni në Stamboll, që është gjëja më normale e çdo shqiptari me apo pa pare, me apo pa vizë, nuk duhet të çuditeni nëse ju ofrojnë të hani mëlçi shqiptare. E kanë quajtur “Arnavut Cigeri”, dhe askush s`të shpjegon në mënyrë të specializuar pse kanë një emër të tillë, por mjaftohen me faktin e mjegullt se shqiptarët paskan qenë mjeshtra të kuzhinës në kohën Osmane(përveç mjeshtra të politikës-26 sadrazamë,kryeministra, luftës apo ndërtimeve-kalldrëmeve).

Por ajo që të shqetëson, sëfundi, është se po të shkoni më afër, në Selanik, Athinë apo edhe më ngjitur, në Janinë, vëren e mëson se ne shqiptarët paskemi të famshme zorrët tona madje edhe lëkurën. Mediat shqiptare transmetuan mëngjesin e të shtunës një video, që si një qytetar shqiptar do ta quaja thjesht dhe me një fjalë : të turpshme. Gazeta më e madhe greke Ta Nea, bën të ditur se ushtarët grekë, këndojnë të gëzuar e të kënaqur këngë makabrre që edhe stërgjyshërit tanë s`i kanë kënduar, duke shfryrë urrejtjen, dufin, racizmin e tyre në vargje me zorrë e lëkurë shqiptarësh, me skape e koka turqish.

Është viti 2007, është mesi i një vendi anëtar në BE, është ushtria e një vendi të NATO-s, dhe disa qindra kilometra më tej është po ashtu një vend anëtar i Aleancës Atlantike. Dhe pikërisht në këtë kohë, trimoshët e NATË-zuar të Greqisë së prapambetur e rraciste, marrin zemër me këngë turpi, që as serbët e sëmurë nga ethet e nacionalizmit të vonë nuk i këndojnë më.

Vargjet e këngës janë sa makabrre aq edhe domethënëse: një sociolog që njeh edhe historinë do ta shpjegonte shumë qartë: ende ky popull nuk ka shpëtuar nga urejtjet e para 200 vjetëve, ende nuk e ka harruar periudhën Osmane, dhe padyshim faktin që shqiptarët i kanë qeverisuar grekët për shekuj të tërë sebashku me turqit. Ali Pasha është vetëm një nga këta shembuj që thjesht është mitizuar më vonë. Për këtë arsye, kanë 200 e ca vjet që grekëve u ka ngelur ora të urrejtja ndaj turqve dhe shqiptarëve, e që në thelb fatkeqësisht është një urrejtje fetare e papërshkruar, dhe tërësisht e papranueshme në këtë mijëveçar të ri.

Ashtu siç turqisht na kujtojnë për mëlçitë e shijëshme që u kemi gatuar, ashtu edhe grekët ndoshta na kujtojnë për “zorrët” po të shijëshme që u paskemi gatuar… Dhe nëse ka ndodhur diçka e tillë, duhet të ketë qenë me të vërtetë shumë fyese. Këta djelmosha trima që këndojnë madje në sy të shefave të tyre këngë urrejtjeje, janë pasuesit e atyre që në fillimvitet 90 qëllonin e vrisnin maleve dhjetra shqiptarë. Janë këta njerëz monstruozë, që i kanë trajtuar hallexhinjtë shqiptarë si qen nëpër kazermë, burgje dhe automjete policie. Dikush duhet t`i dëgjojë dëshmitë e atyre njerëzve, të cilët nga halli dhe vështirësitë ekonomike u drejtuan nga fqinji më i afërt…

Dhe ky nuk është vetëm një turp i grekëve, që edhe në Bashkësinë e UFO-ve po të anëtarësohen, (përvec OKB-së, BE-së, NATO-s etj etj) sërish ballkanas mbeten, ky është një turp i Bashkimit Europian. Brukseli e di mirë se në ç`gjendje është e drejta e minoriteteve, sidomos atij turk në Greqi, e di mirë gjendjen e emigrantëve që cilësohen qytetarë të dorës së tretë, e di mirë mentalitetin nacionalisto-fetar që mbretëron në këtë kohë moderne në Greqi dhe që ushqehet nga qarqe të errëta. Nisma e ish-kryeministrit Simitis për ta ndarë shtetin nga feja, duket se nuk ka funksionuar, kjo e dyta, në formën më fondamentaliste, duket se ka triumfuar.

Dikur të paktën gatuanim mëlçi e zorrë. Tashmë heshtim. Tirana zyrëtare hesht si një memece, si gjithmonë para Athinës, e cila në çdo rast dhe për çdo gjë ngre zërin dhe i tërheq vëmendjen Shqipërisë. Ndaj autoritetet shqiptare duhet të flasin, në emrin tim e të çdo qytetari shqiptar, që fyhet nga këto akte. Shteti ynë që heshti për eshtrat e Kosinës, që heshti për shkollën e Himarës, për incidentet dhe parullat anti-shqiptare gjatë zgjedhjeve, për pretendimet për zona shqiptare, për cilësimin e ortodoksve shqiptarë si grekë…dhe lista vazhdon…

Më duhet ta mbyll me një falënderim për Ta Nea-n, që duket se përfaqëson pjesën e emancipuar të shoqërisë greke. Dhe nëse Athina zyrëtare nuk distancohet nga këto akte, të gjithë ne shqiptarët, duhet të bojkotojmë blerjen e mallrave grekë në vendin tonë…të paktën të reagojmë si qytetarë…zyrëtarët le të vazhdojnë të tremben…

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›