E Shtunë, 31 Tetor 2026

Athine nis gjyqi ndaj grupit terrorist. Edhe nje shqiptar

Nën masa ekstreme sigurie  fillon në Athinë procesi gjyqësor kundër 13 personave të akuzuar për pjesëmarrje në organizatën 'Komploti i Celulave të Zjarrit', që autoritetet greke e cilësojnë si terroriste. Mes të akuzuarve ndodhet edhe një shtetas shqiptar, i cili do të gjykohet në mungesë, pasi nuk është arrestuar ende dhe është shpallur në kërkim bashkë me tre shtetas gekë.

Të gjithë akuzohen për një sërë sulmesh me bombë, përfshirë atë në zyrën e Ministrit të Rendit, ku gjeti vdekjen një nga këshilltarët e ministrit, por dhe për dërgesën e paketave bombë në ambasadat e huaja në nëntor të vitit të kaluar. Gjyqi zhvillohet nën masa shumë të rrepta sigurie dhe në sallë hyjnë vetëm persona të autorizuar. Forca speciale të policisë janë dislokuar në gjithë zonën brenda dhe jashtë sallës së gjyqit, ndërsa helikopterë të policisë patrullojnë pa ndërprerje. Masat u cilësuan si të domosdoshme pas paralajmërimeve të bëra nga organizata, dy javë më parë. Komploti i Celulave të Zjarrit, me një komunikatë të publikuar më 5 janar, merrte pergjegjësinë për sulmin me autobombë të komanduar në selinë e gjykatës së shkallës së parë të Athinë, më 30 dhjetor 2010, ku u shkaktuan dëme të konsiderueshme.

Komunikata i referohej dhe gjyqit që filloi të hënën. “Ta kthejmë gjyqin e 17 janarit në një start për sulme kundër strukturave të sistemit. Meqenëse gjyqi do të zgjasë për shumë kohë, le ta konsiderojmë këtë periudhë si një periudhë lufte”, theksohej në komunikatë, ku bëhej thirrje për solidaritet nga organizata vendase dhe të huaja. Për autoritetet shqetësuese  ka  qenë  dhe zbulimi i tekstit të  një komunikate që merrte përgjegjësinë për një numër sulmesh që do të kryheshin gjatë zhvillimit të gjyqit. Janë gjetur dhe emrat e adresat e shumë gjykatësve grekë, që sipas vlerësimeve ishin piketuar si objektiva sulmi. Për rrjedhojë trupi gjykues i procesit të sotëm, ndodhet në mbrojtje 24 orëshe. 37 vjet pas vendosjes së demokracisë dhe gati një dekadë pas asgjësimit të organizatës famëkeqe, 17 nëntori, Greqia mbetet ende arenë sulmesh e guerrilave vendase.

Delina Bitraku

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›