E Diel, 1 Nëntor 2026

Ati i Shenjtë në selinë e Osservatore Romano: “Gazetë që kumton Ungjillin e shkon në rrënjë të ngjarjeve”

06-07-2011 / Gazeta 55

Papa vizitoi selinë e gazetës l’Osservatore Romano në 150 vjetorin e themelimit: e vetmja gazetë që kumton Ungjillin e shkon në rrënjët e ngjarjeve. Një gazetë unike që ndihmon besimtarët ti vlerësojnë ngjarjen e ti lexojnë shenjat e kohës me shpresën e fesë: kështu, Benedikti XVI e përcaktoi “L’Osservatore Romano”, të përditshmen e Selisë së Shenjtë, gjatë vizitës së djeshme në selinë e saj, me rastin e 150 vjetorit të themelimit që u shënua më datën 1 korrik. Ati i Shenjtë, që foli pa tekst, u shprehu mirënjohjen personale të gjithë atyre që “e krijojnë” këtë gazetë “me përkushtim njerëzor e të krishterë si dhe me profesionalizëm”. Një punë e “çmueshme dhe cilësore, në shërbim të Selisë së Shenjtë”. Atin e Shenjtë Jozef Ratcinger e përshëndeti e falënderoi për vizitën e sotme, drejtori i gazetës, prof. Giovanni Maria Vian. “Dua t’ju them me zemër siç bëhet në shtëpi: gëzuar ditëlindjen!”: kështu, me thjeshtësi, Papa Benedikti XVI deshi të shprehte mirënjohjen e tij të përditshmes së Selisë së Shenjtë, e cila arriti “një cak të rëndësishëm” 150 vjetorin e jetës. Gjatë vizitës së tij, Papa u takua me personelin e Osservatore Romano, një qind persona me kombësi të ndryshme, e në fjalimin e tij u ndal mbi kontributin e veçantë që gazeta e drejtuar nga Giovanni Maria Vian ofron në panoramën e informacionit: “Nuk është vetëm një ofiçinë (fabrikë), është sidomos një observator i madh, siç thotë emri; vrojtore për të pa realitetin e kësaj bote e për të na informuar mbi këto realitete. Ajo pasqyron...si gjërat e largëta e po kështu edhe ato të afërta”.
Pastaj Papa u ndal mbi atë që ai e përcaktoi si “njërin prej avantazheve të mëdha të Osservatore Romano-s” , do të thotë “një informim universal që realisht e sheh botën në tërësi, e jo vetëm njërën pjesë të saj”: “Rregullisht në gazeta informohet, por me një epërsi të informimit mbi botën personale që nga një herë bënë të harrohen pjesët tjera të tokës që nuk janë fare më pak të rëndësishme. Kështu shihet diçka që përkon me karakteristikën “urbs et orbis” të katolicitetit, e në një farë kuptimi edhe me trashëgiminë romake: të shikosh realisht botën, e jo vetëm vetveten”.
Më tej Papa shtoi duke thënë se “l’Osservatore Romano” merret me “gjëra të largëta” edhe në një vështrim tjetër: “L’Osservatore nuk mbetët në sipërfaqe të ngjarjeve, por shkon në rrënjë: përtej sipërfaqes, na tregon rrënjët kulturore, thellësinë e gjërave. Për mua është, jo vetëm një gazetë, por edhe një revistë kulturore. E admiroi faktin se si është e mundur të na jep çdo ditë një kontribut madha e si na ndihmon ta kuptojmë më mirë qenien njerëzore, burimet prej nga rrjedhin gjërat dhe çelësin për t’i kuptuar, realizuar, shndërruar”. Në vijim, Papa shtoi, e përditshmja vatikanase i “ sheh edhe gjërat e afërta”, “botën tonë të vogël e cila megjithatë është një botë e madhe”. Benedikti XVI konstatoi se “askush nuk mund të informoi mbi gjithçka”: “Gjithmonë është e nevojshme një zgjedhje, një shqyrtim e një përacktim. Prandaj në paraqitjen e fakteve, është vendimtar kriteri i përzgjedhjes: nuk ekziston kurrë vetëm fakti i pastër në vetvete, përherë ekziston edhe një zgjedhje që përcakton se çka duhet të duket e çka nuk duhet të duket”.
Në vazhdim Papa vuri në pah se sot zgjedhja e prioriteteve, “është shpesh dhe në shumë organe të opinionit publik, shumë e diskutueshme”. L’Osservatore Romano nga ana e saj ka si udhërrëfyes drejtësisë e Ungjillin. Prandaj, pohoi, “kemi si kriter drejtësinë”, dhe “shpresën që vjen nga feja”. Ja se pse, përfundoi me mirënjohje Papa, l’Osservatore Romano nuk ofron vetëm “informim” por edhe “formim”.
Arkivi Sekret për herë të parë jashtë Vatikanit në ekspozitë pranë Muzeve romake, në shkurt 2012/“Lux in Arcana” (Dritë mbi Arkivat) është titulli i ekspozitës kushtuar Arkivit Sekret vatikanas, që do të hapet në Muzetë Kapitoline të Romës. Kjo ngjarje, e shumëpritur nga studiuesit, por edhe nga publiku, u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Me gazetarët folën kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij; Xhani Alemano, kryetar i Bashkisë; kardinali Rafaele Farina, arkivist dhe Bibliotekar i Kishës Shenjte Romake si dhe prefekti i Arkivit Sekret të Vatikanit, imzot Sergjo Pagano. “Arkivi Sekret i Vatikanit zbulon të fshehtat” është nëntitulli i Ekspozitës, që do të hapet në shkurt 2012 e do të mund të vizitohet për gjashtë muaj me radhë, jashtë Qytetit Leonin, mbi Kodrën e Kapitolit, simbol, që siç u shpreh kardinali Bertone, na kujton zemrën e Romës dhe marrëdhëniet me Selinë e Shën Pjetrit, që përtërihen: “Edhe një herë provuam se, nga vështirësitë dhe përpjekjet për të bashkuar perspektiva të ndryshme, lind zhvillimi: dialogu, shkëmbimi i përvojës, diskutimi shkencor i përmirësojnë gjithnjë pikësynimet, drejt të cilave shkohet me shtytje të ndryshme”. Ishte Papa Siksti IV, mecenati i madh i Bibliotekës së Vatikanit, që e vuri atë në shërbim të publikut, formoi bërthamën e arkivit dhe, më 1471, i dhuroi popullit romak Ulkonjën prej bronzi, simbol i Romës, si dhe thesare të tjera, duke urdhëruar të vendoseshin në Pallatin e Konservatorëve, në Kapitol, vend ku u themeluan Muzetë e sotme kapitoline. Karta, pergamena, kode, dorëshkrime, akte e dokumente, mbledhur nga Papët prej më se katër shekujsh, në shërbim të historianëve e të njerëzve të kulturës, për herë të parë të ekspozuara për publikun e gjerë, për njerëzit e pasionuar pas librave të rralla e dokumenteve të lashta. Por edhe për kureshtarët. E për herë të parë, jashtë mureve të Vatikanit, shfletuar para syve të të gjithëve, siç nënvizoi kardinali Farina: “Është një zbulim i menduar dhe i dëshiruar pa pengesa e pa frikë, natyrisht nën shtytjen e një rasti, si ai i 400-vjetorit të themelimit e të krenarisë së ligjshme për shërbimin ndaj Kishës e kulturës për katër shekuj, me një punë të palodhur për ruajtjen, regjistrimin, kujdesin, progresin e kërkimit shkencor gjithnjë më të përparuar”. “Lux in Arcana”, dritë mbi arkivat, për vetë natyrën e tyre tejet xhelozë, që i ruajnë gjithnjë me kujdesin më të madh thesaret e veta, tha kardinali Bertone, duke shpjeguar titullin e Ekspozitës. Dritë mbi natyrën, përmbajtjen dhe veprimtarinë e “institucionit të lashtë”, e përforcoi fjalën e Kardinalit Bertone, imzot Pagano, duke shpjeguar kriterin, që u ndoq në përzgjedhjen e materialit: “…na u desh të zgjedhim ndërmjet miliona kartave të ruajtura në Arkivin Sekret të Vatikanit, rreth 100 dokumente, që mund të shpjegojnë natyrën e ndërlikuar të përmbajtjes, në mënyrë sa më shteruese”. Ndërmjet teksteve, që përmendi prefekti i Arkivit të Vatikanit, kujtojmë Dictatus papae të Gregorit VII, dokument i shekullit XI; Kodin e 1600-tës të procesit të Galileo Galileit dhe disa dokumente me vlerë të veçantë të Luftës II Botërore.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›