Me përzënien popullore nga bashkia, sot zë fill fundi politik i Edvinit
Erdhi dita e gjykimit për Edi Ramën. Sot pritet vendimi i fundit i Kolegjit Zgjedhor mbi akt-padinë e dëshpëruar të Partisë Socialiste për të deklaruar pavlefshmërinë e zgjedhjeve lokale të 8 majit, në Tiranë. Sikurse dje, ne, pamë vetë Mbajtësin e Karriges me çdo Kusht, Edi Ramën, që bëri tentativën e fundit për të kushtëzuar psikologjikisht trupën gjykuese, si dhe për të çuar deri në fund njollosjen e një procesi transparent, ku çdo votë u numëruar, dhe zëri i qytetarëve u dëgjua.
Kuptohet vetiu, në emër të Partisë Socialiste ai i bëri thirrje Kolegjit Zgjedhor nëpërmjet një konference për shtyp që me maturi të vendosë nesër rreth garës për Bashkinë e Tiranës. “Presim nga Kolegji zgjedhor për drejtësi ende të munguar” tha Rama teksa, “Presim që 5 gjykatësit të mos tremben nga Saliu por të ushtrojnë detyrën e të japin drejtësi...”. Sigurisht akuza ndaj kryeministri nuk mungon, si gjithmonë, pasi Berisha është rrufepritësi i çdo akuze të ardhur nga Edvini.
Mirëpo padia e fundit e PS-së, si nga ana procedurale, ashtu edhe nga ajo ligjore, ka humbur shansin e saj për të kërkuar pavlefshmëri të procesit qëkurse zgjodhi të ankimonte rezultatin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e shpalli më 23 maj, duke mos pretenduar pavlefshmëri të procesit. Po aq e vërtetë është edhe fakti se Kolegji Zgjedhor i Apelit e ka legjitimuar si të vlefshëm procesin e numërimit të 117 kutive. Kujtojmë që Kolegji në këtë rast urdhëroi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të ndiqte parimin kushtetues të barazisë së votës në të gjitha qendrat e mbetura, ku fletët e votimit të hedhura në kutitë jo-respektive nuk ishin numëruar, proces që tashmë është kryer në KQZ. Tjetër. Kundër padisë së Ramës është edhe Kodi Zgjedhor, i miratuar unanimisht në 2008-n nga të dy palët e që përjashton mundësinë e animimit, fillimisht të rezultatit dhe në rast dështimi të kërkojë edhe pavlefshmëri procesi. Kjo pasi në këtë kod u mor parasysh rekomandimi i OSBE/ODIHR-it, që kërkonte të shmangte nga procesi strategjitë politike të zvarritjes së tij.
Sidoqoftë socialistët e rinj vendosën të luajnë dhe mundësinë e tyre të fundit në garën zgjedhore të Tiranës, duke kërkuar pavlefshmëri. Por në këtë rast, Partia Socialiste ka barrën e provës, thënë ndryshe ajo duhet të vërtetojë pavlefshmërinë e procesit me fakte dhe prova, jo thjesht duke u nisur nga mos-akordimi i shifrave, por edhe të vërtetojë shkaqet pse ka ndodhur mospërputhja.
Përtej kësaj duhet thënë se kemi një çoroditje të lidershipit socialist në pak ditë. Njëherë Partia Socialiste njeh procesin zgjedhor kur mendon se është fitues Rama me 10 vota televizive, dhe kur ankohet, nuk kërkon zhbërjen e procesit zgjedhor, por vetëm vendimet e KQZ-zë për votat në kutinë jo të duhur, pra procesi deri atëherë ishte në rregull, tani që Rama pas numërimit të çdo vote humbi, kërkon zhbërjen e gjithë procesit, megjithëse këtë proces e pranonte kur ai e mendonte veten fitues.
Në përfundim është e kuptueshme që Humbësi i Madh do ta zvarriste procesin e legalizimit të Bashës kryetar të Bashkisë Tiranë. Bile sa ma shumë ta zvarriste, aq më shumë kohë fitonte për të neutralizuar zërat ndryshe brenda furrikut, ç’ka ia doli në dy seancat e Asamblesë Kombëtare, ku u paraqit edhe dokumentari amatorial mbi kanibalizmin elektoral, që shërben si alibia e maskaradës elektorale të 2009-s për tredhur gjelat. Ai fitoi kohë për të pasur sa më pak pasoja e përgjegjësi në humbje.