Çfarë vërtetuan zgjedhjet vendore të 8 majit
Pas zgjedhjeve të 8 majit, spektri politik në Shqipëri është më i lexueshëm se kurrë ndonjëherë tjetër. Në njërën anë, koalicioni qeverisës, ku spikat bluja e Partisë Demokratike, në shtrirje e sipër. Në tjetrën, koalicioni i opozitës, ku spikat e kuqja e Partisë Socialiste, në tkurrje të vazhdueshme (them “e kuqja” për lehtësi kumtimi, duke iu referuar njërës ndër shtatë ngjyrat bazë të ylberit, në mungesë të një emërtimi shqip për nuancën e së kuqes që, me ndihmën e një huazimi, e thërrasim “rozë”). Brendapërbrenda dy koalicioneve - nëse ato do t’i klasifikonim sipas parimit klasik “i djathtë” dhe “i majtë” - aderuan dha vazhdojnë të aderojnë edhe parti ose partiza që normalisht duhet të ndodheshin gjetkë, domethënë në të kundërtën e vendit të zgjedhur. Megjithatë, ky rreshtim jo i natyrshëm, nuk e ndërlikoi aspak thelbin e politikëbërjes gjatë fushatës elektorale e, më pas, rezultatin e zgjedhjeve, në dobi ose në dëm të vendit.
Koalicioni i shumicës në pushtet, e pati dhe e ka ende në gjirin e vet si forcë politike me peshë LSI-në e Ilir Metës, shkëputur prej vitesh nga trungu i PS-së. Ky fakt, i dha Shqipërisë dy vjet rresht stabilitet, mundësi reformash dhe qeverisjeje, i riktheu Tiranës Bashkinë e uzurpuar. Vendi ka ecur e po ecën i sigurt drejt integrimit demokratik, çka do ta dëshironte çdo shqiptar, i majtë ose i djathtë, me përjashtim të nostalgjikëve, të cilëve u ka mbetur ora në nëntor të 1944-s, madje edhe më herët, përpara viteve ’40 (ngase ka edhe të tillë, ndonëse tepër të moshuar), ose të ndonjë kozmopoliti të sëmurë. Përkundrazi, zhvendosja e Spartak Ngjelës dhe e Nard Ndokës në të majtë, qysh përpara zgjedhjeve parlamentare të 2009-s, ndonëse që të dy e patën nisur rrugën politike nga e djathta, e shtoi edhe më pështjellimin në mjedisin politik të Shqipërisë, në prag-zgjedhjet vendore të sivjetshme. Them kështu, jo sepse mendoj që dikush ka të drejtë të lëvizë nga njëri krah, në tjetrin, e dikush jo. Duke iu bashkëngjitur strategjisë së bojkoteve parlamentare, protestave të dhunshme, mosnjohjes së institucioneve, mosnjohjes së votës së lirë, mohimit të gjithçkaje, edhe nëse ajo është në dobi të elektoratit që përfaqësojnë, në dobi të Kombit mbarë, zhvendosja e Ngjelës dhe e Ndokës majtas ishte dhe mbetet tepër larg arsyetimeve politike. Lidhja e tyre pas qerres së një aventurieri apatrid, shpjegohet si rezultat i arrivizmit dhe i qejf-mbetjeve ndaj liderit të kampit ku patën aderuar fillimisht dhe ku, për ca kohë, morën tituj e ofiqe të pamerituara. Humbja e tyre, për shkak të paaftësive intelektuale ose politike, i katapultoi ata në kampin e kundërt, me shpresë se prurjet që morën me vete, sado të varfra, do të shternin kampin e braktisur dhe do të gjallëronin atë pritës. Për rrjedhojë, do të merrnin edhe shpërblimin e kërkuar, si rëndom në politikë. Në mos arrivizëm, kësaj dukurie nuk mund t’i vihet emër tjetër përveçse pështjellim i qëllimshëm, për të peshkuar në ujëra të turbullta.
Edhe pa bërë ndonjë analizë kushedi se çfarë për kaq e aq bashki ose komuna të fituara a të humbura, për kaq e aq vota të tjetërsuara, sot mund të themi me bindje se politikën në Shqipëri e mbizotërojnë dy parti: PD-ja, në të djathtë, dhe PS-ja në të majtë. LSI-ja, parti e tretë, është guri që anon dhe do të anojë edhe për një kohe të gjatë peshoren qeverisëse djathtas ose majtas, vendimtare, pra, për të ardhmen e vendit. Pas zgjedhjeve të qershorit 2009, vendimi i Ilir Metës për t’u lidhur me të djathtën e Berishës, ishte lëvizje e mençur, e vetëdijshme, e përgjegjshme dhe e mirëpritur prej shumicës së shqiptarëve, sepse e shpëtoi vendin nga një prapaktheu a, më mirë, nga një rrënim me pasoja të pariparueshme, ndoshta më të rënda se ato të vitit 1997. Në të ardhmen, pra në zgjedhjet e pritshme të 2013-s, i takon lidershipit të LSI-së të vendosë nëse do t’i qaset edhe më qendrës politike. Njëherësh, edhe me cilin krah do të gjejë lidhjet më të përshtatshme në interes të saj dhe të vendit: me krahun e djathtë, për hir të vazhdimësisë së reformave të nisura, apo me të majtin, për t’iu përveshur zhbërjes së reformave, siç ka ngulur këmbë shpesh herë Edi Rama dhe altoparlantët e tij.
Zgjedhjet vendore të 8 majit e vulosën edhe një herë pamjen disavjeçare të politikës në Shqipëri, duke e lënë atë pak a shumë tek ishte. Forcat politike, po ato. Rreshtimi, po ai. Përkushtimi ndaj interesave të vendit, i njëjtë. Në njërin krah, forca konstruktive që përpiqen të reformojnë kuadrin ligjor në përshtatje me kërkesat e kohës, që shtrojnë rrugë dhe autostrada, që thithin investime të huaja, që rritin rrogat e pensionet etj. Në tjetrin, forca destruktive që bojkotojnë Parlamentin me punë e pa punë, edhe atëherë kur interesat e vendit kërkojnë votim të cilësuar, që zhvendosin epiqendrën e politikëbërjes nga institucionet, në rrugë e në sheshe, që nxisin skenarë të zinj si ai i 21 janarit të shkuar, që u bëhen krah interesave antishqiptare në planin kombëtar e ndërkombëtar, për hir të ca interesave meskine të liderëve të veçantë politikë.
Ajo çka, sipas meje, ishte dhe ka mbetur një handikap (jo “skizofreni”!) i përkohshëm i tranzicionit, gjithsesi tepër të zgjatur që po kalon vendi këta 20 vjet, është shpërndarja e votës popullore djathtas e majtas. Po të përjashtojmë manipulimet dhe çrregullimet në mungesë të listave zgjedhore ose të kartave të identitetit përpara 2009-s, përqindjet e të fituarve në ballafaqim me përqindjet e të humburve nga një edicion zgjedhjesh, në tjetrin, kanë mbetur thuajse po ato, me diferenca të vogla. Logjika politike e do që vota të shkojë atje ku individi votues gjen vetveten dhe plotësimin e interesave të tij, në mos tërësisht, pjesërisht. Megjithatë, edhe në zgjedhjet e fundit, votuesit u rreshtuan përafërsisht në formacionet e pritshme. Kjo do të thotë se votuesi shqiptar nuk sheh interesin vetjak a kolektiv, por bredh qorrazi pas përkatësisë partiake, pas emocioneve pozitive a negative që i ndjellin liderë të veçantë; për hir a për inat - ta zëmë - të Berishës ose të Edi Ramës. Nuk ka si shpjegohet ndryshe që Elbasani, për shembull, t’i japë votëbesim kandidatit të Aleancës për të Ardhmen dhe të sfidojë kandidatin tjetër, të Aleancës për Qytetarin, kur kjo e fundit, duke qenë në pushtet, po i dhuron qytetit dhe gjithë krahinës një vepër rrugore nga më të spikaturat dhe më lakmuarat e këtyre viteve, autostradën Tiranë-Elbasan, e cila do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në jetën ekonomike të qytetit e të cilitdo elbasanas, të djathtë a të majtë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për disa komuna përgjatë Autostradës së Kombit, të cilat i tërhoqi më tepër politikëzhbërja sesa politikëbërja.
Tirana është shembulli i precedentëve të rrallë, ku votat për kryebashkiakun u ndanë si me porosi sa andej, këtej, thua se një fuqi mbitokësore u tha zgjedhësve: Ti andej! Ti këtej! Diferenca e parë prej 10 votash pro Ramës, e stisur nga një televizion pranë tij, dhe diferenca përfundimtare prej 93 votash pro Bashës, e certifikuar nga organe juridike kushtetueshmërisht të pavarura, është një pikë ujë në gotën plot, që, megjithatë, provokon derdhjen, çka do të thotë prish ekuilibrin. Kjo është logjika e demokracisë, e cila funksionon qoftë edhe me një votë pro ose kundër, qoftë në mjedise votuesish të kufizuara, qoftë në metropole me gjysmë milioni votues, si në Tiranë, ose në shtete me qindra milionë votues, siç ndodhi në rastin e konkurrimit mes Bushit dhe Al Gorit në SHBA.
Në këto kushte, ajo çka po përjetojmë dhe, me siguri, do ta përjetojmë edhe pas shtatorit kur Edi Rama ka vendosur ta përçojë për ca ditë tufën e vet të deputetëve në Parlament, s’është tjetër veçse kokëfortësi e një pjese të lidershipit socialist për t’i vënë kërcunj nën rrota lokomotivës së koalicionit qeverisës Berisha-Meta-etj. që po e tërheq vendin drejt integrimeve euro-atlantike. Nëse Rama nuk e përballoi dot trysninë ndërkombëtare dhe atë pak trysni të mendjeve të kthjellta - aq sa ekziston brendapërbrenda partisë që drejton – kjo s’do të thotë se ai ka hequr ose do të heqë dorë aq lehtë nga ëndrrat e veta me halucinacione për pushtet. Mendjet me fiksasione nuk gjejnë shërim aq lehtë. Shërim, do të ishte largimi nga politika i mendjeve të tilla, në të mirë të PS-së dhe të së majtës në përgjithësi, në të mirë të Shqipërisë dhe të Kosovës, të Çështjes Çame dhe të vëllezërve shqiptarë që jetojnë në trojet etnike në Maqedoni e në Mal të Zi, Përndryshe, siç e ka thënë në një rast lideri i PD-së, madje siç flitet në biseda të zakonshme a siç e pohoi tash së fundi një ndër kokat e ftohta të së majtës shqiptare, Kastriot Islami, me Edi Ramën opozitar, Sali Bersiha do të ndihej në komoditet të plotë dhe do t’i fitonte jo vetëm zgjedhjet e ardhshme, të 2013, a të ndërmjetmet (vendoret e radhës), por edhe ato të 2017, në mos po edhe të 2021-së.