Duhet gënjyer për të bërë mirë apo duhet thënë gjithmonë e vërteta?
Duhet gënjyer për të bërë mirë apo duhet thënë gjithmonë e vërteta dhe nëse dëmtohen të tjerët? Mosmarrëveshja është e lashtë. Për shembull, Kant ka shkruar mbi këtë temë budallallëqe të mëdha, të cilat duke qenë se i ka shkruar një i madh, na ngushëllojnë.
Në shkrimin e parafundit të rubrikës po merresha, në vijën e ndjekur nga Suift, me gënjeshtarët e mëdhenj dhe përmendja mosmarrëveshjen shekullore midis të arsyeshmëve dhe rigorozëve, të parët që pranonin se në fund të fundit ndonjë gënjeshtër edhe mund të thuhet (mendohej për diplomacinë dhe madje edhe për shprehjet e sjellshme) dhe të dytët që kanë mbështetur gjithnjë që nuk gënjehet qoftë dhe nëse duhet për të shpëtuar jetë.
Pyetja klasike e rigorozëve ishte bërë nga Shën Agustini: një i varfër strehohet tek ju, duke thënë se një vrasës i tmerrshëm po e kërkon që ta vrasë. Ti e fsheh në shtëpinë tënde. Më pas vjen vrasësi dhe ju pyet ku është ai që po kërkon. Çfarë bën? Qëllimi i mirë na thotë që duhet t’i gënjejmë e t’i themi që nuk e dimë dhe e pamë të shkonte diku tjetër. Sipas rigorozëve nuk duhet gënjyer kurrë, duhet të rrëfesh se viktima është në shtëpinë tuaj. Natyrisht, gjatë rrjedhës së shekujve janë zhvilluar formula që lejojnë të mos thuash, pa gënjeshtra, por në përgjithësi rigorozët nuk lëvizin nga parimi se nuk duhet gënjyer kurrë, qoftë dhe për të shpëtuar një jetë njerëzore.
Vijmë tani tek Kanti, i cili ishte një përfaqësues i famshëm i rigorozëve. Më kujtohet se Kant ka qenë një nga mendjet më të mëdha të historisë së filozofisë, por i ndodhte që të përgjumej nganjëherë, si Homerit dhe i shpëtonin deklarata që na lënë të dyshimtë. Më e njohura prej tij, është dënimi i muzikës si art inferior (e shprehur në “Kritikën e gjykimit”), sepse shqetëson edhe ata që nuk duan ta dëgjojnë dhe është e pavend se si një parfum me aromë therëse me të cilin dikush njom shaminë, kështu kur e nxjerr nga xhepi të gjithëve i përzihet. Vlen si justifikim fakti se Kant rreth muzikës njihte vetëm marshime ushtarake të pavend që shqetësonin meditimet e tij të përditshme.
Tani, në lidhje me vrasësin që të pyet nëse viktima është në shtëpinë tënde, ja argumentimi i famshëm kantian (“Mbi të drejtën e supozuar për të gënjyer për hir të njerëzimit”): “Nëse ke ndaluar me një gënjeshtër një vrasës potencial, duke e ndaluar të kryejë qëllimin e tij, je akoma juridikisht përgjegjës për të gjitha pasojat që mund të vijnë, por nëse i ke qëndruar rigoroz të së vërtetës, drejtësia zyrtare nuk mund të të paguajë asgjë, çfarëdo lloj pasoje që mund të ketë deklarata juaj. Mundet që, ndërsa po i tregon të vërtetën vrasësit, i cili të pyet nëse burri që ai po kërkon gjendet në shtëpinë tuaj, ky i fundit mund të dalë nga shtëpia pa u vënë re, duke i shpëtuar vrasësit dhe kështu fakti nuk përmbushet.
Në rast të kundërt, nëse gënjen se ai nuk ndodhet në shtëpi dhe ai ka dalë pa dijeninë tuaj, kështu vrasësi duke dalë e takon dhe kryen aktin e tij, atëherë mund të akuzohesh me të drejtë që ke shkaktuar vdekjen e tij. Nëse ti do tregoje të vërtetën ashtu siç e dije, ndoshta vrasësi do të kapej nga ndonjë komshi, ndërsa ai kërkonte armikun tënd në shtëpinë tënde dhe akti do të pengohej. Pra kush gënjen dhe pse qëllimet mund të jenë të mira, është përgjegjës për zgjedhjen e tij dhe përballë gjykatës civile”.
Me të vërtetë, unë shpresoj që të kishte një gjykatës, përveç se në Berlin edhe në Konigsberg dhe që Kanti i mirë mos të dënohej se kishte gënjyer për hir të njerëzimit. Sa për besimin tek fqinji, nëse ai do kishte kurajën e filozofit, viktima ishte një njeri i mbaruar.
Përse e regjistroj këtë histori, që do ishte më mirë të harrohej? Kjo ndodh sepse më magjeps gjithnjë budallallëku, sa shprehje budallallëku shfaqen në faqet e njerëzve të mëdhenj, atëherë është si një vizon shpëtimi. Jo aq shumë për shkak se budallallëku i thënë nga një gjeni është gjithmonë me zë të lartë, por sepse edhe gjenitë mund të thonë budallallëqe që na ngushëllojnë, që çdo ditë dyshojmë për qëllimin tonë të mirë.
Marrë nga revista L’Espresso. Përgatiti: L. Lita