E Diel, 1 Nëntor 2026

Ati i Shenjtë, sot në Kroaci, me rastin e Ditës së familjeve katolike kroate

04-06-2011 / Gazeta 55

Kroacia është në pritje të Benediktit XVI, i cili nesër do të jetë në Zagreb. Shtegtimi i 19-të apostolik ndërkombëtar i Atit të Shenjtë i kushtohet Ditës së familjeve katolike kroate.
Një vend, që “ka jetuar gjithnjë në gjirin e qytetërimit evropian” . Kështu e përkufizoi Papa Kroacinë në korrik të vitit 2006, duke u takuar, në Vatikan, me ipeshkvijtë kroatë, në vizitë ‘ad Limina’. Pothuajse pesë vjet pas këtij takimi, Papa do të kalojë në Kroaci fundjavën, me moton: “Së bashku në Krishtin”. Mund ta quajmë edhe rikthim, sepse Jozef Racinger ka shkelur dy herë në trojet kroate, kur ishte kardinal, e edhe pse, për Kroacinë, ky shtegtim i Benediktit XVI është vizita e katërt e një pape. Kroatët patën fatin ta përqafojnë Gjon Palin II në shtator ’94-ës, në tetor të ’98-tës, për Lumnimin, në shenjtëroren e Marija Bistrica, të kardinalit Alojzije Stepinac, bari i madh i Kishës kroate, që vdiq martir në vitin 1960, si pasojë e burgimeve të gjata nën regjnmin komunist të Titos – e edhe në qershor të vitit 2003. Vizita e Benediktit XVI , me rastin e takimit kombëtar të familjeve kroate - siç e kujtoi vetë Papa në audiencën e përgjithshme të së mërkurës së kaluar, duke cekur shtegtimin e tij apostolik në Zagreb - ka për qëllim që familjet e krishtera të jenë kripë e tokës e dritë e botës. Pikërisht për të theksuar rëndësinë që i jepet aspektit baritor të këtij shtegtimi, Papën do ta shoqërojnë, përveç sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone, edhe kardinali Enio Antoneli, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen; zëvendës-sekretari i ri për çështjet e përgjithshme i Sekretarisë së Shtetit, kryeipeshkvi Gjovani Anxhelo Beçiu, për të cilin ky është udhëtimi i parë në këtë detyrë, si dhe kryeipeshkvi kroat, Nikola Eteroviç, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve.
Papa shtegton në një çast politik vendimtar për Kroacinë. Vendi përgatitet të kremtojë 20 vjetorin e pavarësisë, fituar më 1991: asokohe pjesë e Republikës Jugoslave, Kroacia nuk e ka harruar ende luftën e viteve ’90, ndërsa përballon krizën ekonomike e shoqërore, që ka pushtuar jo vetëm Evropën, por mbarë botën.
Kujtojmë edhe se në vitin 2005 filluan bisedimet për pranimin në Bashkimin Evropian, por dialogu ndërmjet Brukselit e Zagrebit vijon akoma. E është pikërisht ky qytet vërtet evropian, me traditë të thellë të krishterë, që po i jep fund këto çaste përgatitjes entuziaste të një populli të tërë në festë. Megjithëse bie shi, Sheshi Josip Jelaçiç e pallatet e tij përgatiten t’i bëjnë një kornizë sa më të denjë Papës, që do të takohet këtu me të rinjtë, me të cilët, nesër mbrëma, do të kremtojë mbrëmësoren e lutjeve.Në hipodronim e Zagrebit, pak metra larg lumit Sava, po sheshohet terreni, ku familjet kroate do të mblidhen rreth elterit të një Meshe historike, kryesuar nga vetë Papa, me rastin e Ditës kroate të familjeve katolike. Në famullitë bëhen provat e fundit të këngëve e të leximeve, si mbrëmë në Kishën e Shën Marisë së Lirisë, kushtuar viktimave të luftës së ’91-95-sës. Mbi kodrën e Ksaverit i jepet dora e fundit selisë së re të Konferencës ipeshkvnore të Kroacisë, një ndërtesë tejet moderne, ku Ati i Shenjtë do të kalojë orët e drekës, së bashku me ipeshkvijtë e pranishëm në Zagreb. Rrugëve, posaçërisht rreth katedrales, vullndetarët shesin bluza me portretin e Benediktit XVI: fitimet do të përdoren për vepra bamirësie. E kalimtari nuk e ka aspak vështirë të takohet me njerëz, të cilët ndalohen me kënaqësi e flasin me zell e entuziazëm për figurat vigane të Kombit e të Kishës, që vijojnë ta frymëzojnë popullin kroat, si shkencëtari jezuit Rugjero Boskoviç, të cilit së shpejti do t’i kremtohet 300- vjetori i ditëlindjes; i Lumi i ri, Ivan Merc e, sidomos, kardinali i Lum, Stepinac.
Kryetari i ipeshkvijve kroatë: Shtegtim Papnor për të rizgjuar ndërgjegjet, në një çast krize/Si gjithnjë, vizita apostolike e Benediktit XVI, kremtohet nën shenjën e një motoje themelore, të përhershme. Për të flet imzot Marin Srakiç, kryeipeshkëv i Gjakovo-Osijek, kryetar i Konferencës ipeshkvnore kroate, nga Zagrebi, në mikrofonin e Radio Vatikanit: “Si moto të shtegtimit të Atit të Shenjtë, Konferenca ipeshkvnore kroate zgjodhi “Së bashku në Krishtin”. Shprehu, kështu, dëshirën për bashkimin e të gjitha niveleve në Krishtin. Bashkimi në Krishtin na kujton vetë natyrën e Kishës, thellimin e identitetit kishtar të familjes e të thirrjes së krishterë. E jo më pak, detyrën për të qenë më të pranishëm në shoqëri, falë impenjimit tonë për të mirën e përbashkët, dhurimit të vetvetes e forcës së Kryqit. Ati i Shenjtë vjen të na vizitojë në një çast, kur mbarë bota, e me botën edhe populli ynë kroat, jeton në atmosferën e një krize të rëndë kulturore, ekonomike e politike, pas së cilës fshihet një tjetër krizë, edhe më e thellë: ajo shpirtërore. Kjo krizë ka si pasojë përhapjen gjithnjë më të madhe të indiferencës, të theksimit të divergjencave ideologjike e të tipeve të tjera. Sundon një farë apatie. Ndjehet fort skepticizmi, amullia, lodhja shpirtërore. E kur i krishteri ka nevojë për energji të reja, Papa, si atë i të gjithë besimtarëve, me dashurinë e tij, na prin në det të hapur, ku mund të shikojmë një ardhmëri shumë më të qetë”.
Papa: një paqe të drejtë e të qëndrueshme në Tokën e Shenjtë. Izraeli e Palestina të jetojnë në paqe brenda kufijve të njohur/Papa Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë në Vatikan presidentin e autoritetit palestinez, Mahmoud Abbas, i njohur si Abu Mazen, me delegacionin përcjellës. Në bisedime, njofton një deklaratë e Sallës së Shtypit të Vatikanit, është nënvizuar urgjenca e gjetjes së një zgjidhjeje të “drejtë e të qëndrueshme” si zgjidhje përfundimtare e “situatës së trazuar e të mundimshme të Tokës së Shenjtë”. Në veçanti, është theksuar urgjenca e “sigurimit të respektimit të të drejtave të të gjithëve e, prandaj, plotësimin e aspiratës legjitime të Popullit palestinez në një Shtet të pavarur”. Në bashkëbisedime, ndërmjet Benediktit XVI e Abu Mazen, vijon deklarata e Vatikanit, është ripohuar se “Shteti i Izraelit e ai Palestinez duhet të jetojnë sa më shpejt të sigurt, në paqe me fqinjët e vet dhe brenda kufijve ndërkombëtarisht të njohur”. Vetëm kështu, e “me mbështetje të bashkësisë ndërkombëtare dhe në frymën e bashkëpunimit e të gatishmërisë së pajtimit”, nënvizon Selia e Shenjtë, “Toka e Shenjtë do të mund të njohë e gëzojë paqen”.
Po gjatë audiencës nuk është heshtur rreth “situatës së bashkësisë së krishterë në Territoret Palestineze e, më në përgjithësi, në Lindje të Mesme, dhe është vënë në pah kontributi i pazëvendësueshëm që bashkësia e krishterë ofron për ndërtimin e shoqërisë në këtë rajon”. Së fundi, Papa e presidenti palestinez shprehen “urimin që punimet e delegacionit të Selisë së Shenjtë dhe të Organizatës për Lirimin e Palestinës të vijojnë me rezultate pozitive në përpilimin e një Marrëveshje globale ndërmjet Palëve”.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›