Vërtetësi dhe ripajtim për të ardhmen e Libisë
Lindja e një demokracie është një ngjarje e mrekullueshme, por jo gjithmonë pa dhimbje. Kolonel Gedafi ia kishte ndërprerë fondet Bengasit që para revoltës, një qytet tashmë i braktisur dhe që çrregullimet e revolucionit e bëjnë akoma dhe më të braktisur. Meqë çrregullimi ka ushqyer rezistencën, kështu që flamujt e vjetër, parullat dhe fletushkat flasin për shpresa të mëdha. Unë erdha në Bengasi për t’ju hapur zyrat e para të Bashkimit Europian në Libinë e lirë. Kur arrita në sheshin e emëruar pas lirisë, pashë flamurin e Bashkimit Europian që valëvitej afër pallatit të drejtësisë dhe u takova me disa njerëz që po ndihmojnë në ardhjen e demokracisë. Kështu si në sheshin Tahrir në Kajro, u mirëprita jo vetëm nga entuziazmi për reformat, por edhe nga një ndjenjë e ngrohtë për fqinjët europianë të anës tjetër së Mesdheut. Kalimtarët më përshëndesnin më shumë si një mike se sa si një vizitore e herës së parë: “Mirë se erdhe Cathy, mirë se vjen Europë”! - kështu m’u drejtua njëri prej tyre, - fatin ynë ju pëlqen, këtë e dimë. Faleminderit për vizitën, kthehuni sërish”! Në zyrat e këshillit kombëtar për tranzicionin më priti Fatima, e veshur me një kostum tradicional libian, me bizhuteri argjendi nëpër gishta, në kyçet e duarve dhe të këmbëve. Ajo është e gjatë për gjashtë vjetët e saj dhe bëhet me turp që ndodhet në qendër të vëmendjes. Ajo erdhi për të më dhënë lule. Ajo më tha se i pëlqen të pikturojë dhe se ka dy vëllezër më të vegjël, por për fat të keq i ati i ka vdekur dhe tani për familjen kujdeset xhaxhai. E ulur pranë Fatimës, fillova të diskutoj me udhëheqësit e këshillit kombëtar në lidhje me shpresën e tyre ndaj vendit. “Duam ta bëjmë këtë për ne – më thanë ata. Vetëm, se kemi nevojë për ndihmën tuaj për disa gjëra”. Një nga shqetësimet e tyre kryesore është siguria: përshkueshmëria e kufijve dhe armët e shumat që qarkullojnë në vend krijojnë probleme reale. Midis prioriteteve cituan menaxhimin e duhur të kufijve dhe një sistem efikas të licencave për armët.
Siguria është e rëndësishme sidomos për më të moshuarit: për të rinjtë libianë që kam njohur është më e rëndësishme të kuptojnë se si mund të marrin pjesë në demokraci. “Çështja nuk merr fund me zgjedhjet”, tha njëri prej tyre. Ashtu si në Egjipt, revolucioni bazohet në një bazë sociale të gjerë, i bashkuar me temat kryesore laike të lirisë, të drejtësisë dhe të barazisë. Feja është një faktor i rëndësishëm, por që nuk e dominon skenën – të paktën jo për momentin.
Në një hotel në qendër të Bengasit takova disa anëtarë të shoqërisë civile. Mohamed, aktivist i të drejtave njerëzore, ka kaluar tetë vjet në burg si i burgosur politik i Gedafit. “Qëndrimi në burg nuk ishte gjëja më e keqe – më tha ai – krimi më i tmerrshëm i Gedafit ishte se donte të na thyente shpirtin dhe ëndrrat tona”. Yezid, ish inxhinier, është një përfaqësues tipik i luftëtarëve të rinj për demokracinë, i njohur si “shabab”. Sot, ai drejton një stacion radioje. Në Bengasi mediet janë të rëndësishme: që nga fillimi i revolucionit kanë lindur 55 të tilla.
Gratë duan të luajnë një rol të rëndësishëm në të ardhmen e vendit të tyre. Është i qartë mesazhi që më kanë drejtuar mua: “Gratë duhet të besojnë tek vetja dhe të kuptojnë se mund të marrin pjesë në ndërtimin e demokracisë. Është hera e parë që na jepet një mundësi e tillë. Për këtë kemi nevojë për ndihmë”. Ashtu si në Egjipt dhe në Tunizi, detyra e Bashkimit Europian në Libi është dhënia e ndihmës praktike, jo vetëm sot, por edhe për një kohë të gjatë, pasi armët të jenë ndalur dhe mediet perëndimore të jenë kthyer në shtëpi. Ne mund ta ndihmojmë demokracinë të lëshojë rrënjë të thella: liria e shprehjes, e të drejtave njerëzore, paanshmëria e administratës, pavarësia e gjyqësorit, mbrojtja e të drejtave pronësore dhe një kulturë e barazisë dhe e dinjitetit.
Megjithatë, një demokraci rrënjësore nuk mund të imponohet nga jashtë: do të dështojë, nëse është perceptuar si një variant i imperializmit perëndimor e azhurnuar në shekullin XXI. Vizita ime në Bengasi ka zbutur paksa frikën se ky mund të jetë fati i ndihmës së BE-së. Etja për demokracinë është e dukshme – demokracia për të gjithë Libinë dhe jo vetëm për qytetet lindore që janë sot nën kontrollin e këshillit kombëtar të tranzicionit. Ishin ata – jo unë – që shkaktuan diskutimin e të drejtave njerëzore dhe të sundimit të ligjit.
Sigurisht, që askush nuk mund të garantojë se pas Gedafit, Libia do të jetë një fener i demokracisë liberale: historia është e mbushur me revolucione që kanë degraduar dhe për shkak të tiranisë, frika dhe korrupsioni mund të rishfaqen dhe BE-ja duhet të punojë ngushtë me Libinë që demokracia të lulëzojë. U largova nga Bengasi plot me optimizëm: Libia është në gjendje ta arrijë këtë objektiv. Njoha persona optimistë, inteligjentë dhe të aftë. Është koha që më shumë nga të gjithë më dha shpresë kur pyeta një grup prej tyre se cilat ishin perspektivat e ardhshme për besimtarët e Gedafit. Dikush u përgjigj se qëllimi ishte të ndiqej shembulli i Afrikës së Jugut, me ngritjen e një komisioni për të vërtetën dhe pajtimin. Të tjerët pohuan, një gjest që shprehte jo vetëm marrëveshje, por mbi të gjitha tregonte se kjo është rrugëdalja natyrale, e një prove absolute.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë. Fjala është botuar së pari në të përditshmen italiane “La Stampa”