E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe Kosova

04-06-2011 / Nga Skënder Mulliqi

Edhe pak kohë bëhen 20 vjet nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Shpërbërja e kësaj krijese artificiale nisi me Slloveninë dhe përfundoj më Kosovën. Nga kjo republikë  Serbia shumë shpejt u detyrua të heq dorë. Kroacia ishte sfida e radhës e pushtetit kriminal në Serbi i udhëhequr nga ultranacionalisti, Sllobodan Millosheviqi. Serbia në atë kohë edhe pat filluar bombardimin e disa qyteteve të kësaj republike, gjithashtu edhe qytetin e njohur bregdetar-Dubrovnikun. Por shumë shpejt apetitet shoviniste serbe në Kroaci u fashitën, kur Hans Ditrih Gensher e kishte rrahur me grusht tavolinën duke ia bërë të qartë  Serbisë së nese  nuk i ndalon aksionet ushtarake, Gjermania do të futet në luftë. Dhe pikërisht me aksionin e forcave ushtarake të Kroacisë “Oluja” serbet me bisht ndër këmbë u larguan nga Serpska Krajina. Në këtë luftë lokale më së keqi e pësoi Bosnja dhe Hercegovina. Lufta në Bosnje zgjati për katër vjet me radhë, ku pësuan me mijëra viktima të pafajshme të komunitetit mysliman. Mos intervenimi i gjatë i bashkësisë ndërkombëtare për ta ndërprerë gjenocidin serbë mbi myslimanet dhe masakra e Srebrenicës ishte njolla me e madhe në ndërgjegjen ndërkombëtare, dhe pikërisht ora më e zezë e OKB-së. Srebrenica ishte shpallur zonë e sigurisë e Kombeve te Bashkuara. Ushtarët holandezë si përgjegjës në këtë zonë nuk i mbrojtën mijëra civilë boshnjakë të zhvendosur nga ofensiva ushtarake serbe. Myslimanet më parë i kishin dorëzuar armët tek paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara. Ata e kishin kërkuar kthimin e armatimit, por një kërkesë e tillë ishte refuzuar. Srebrenica ishte paaftësia apo neglizhenca e ndërkombëtarëve në ballafaqim me gjenocidin që ndodhi mbi civilët e pafajshëm myslimanë. Serbët pareshtur kërcënonin se do ta bëjnë në Kosovë atë që kanë bërë në Srebrenicë. Në vitin 1998-9 edhe në Kosovë plasi lufta si vazhdimësi e shpërbërjes së një shteti që nuk kishte të ndalur. Kriza e një sistemi të tërë të ish-Jugosllavisë edhe kishte nisur me Kosovën dhe natyrisht se edhe do të përfundonte pikërisht në Kosovë.
Kriza e thellë mëse 20-vjeçare, e filluar që nga viti 1981 ku shqiptarët dhunshëm kishin mbetur jashtë shtetit amë i shtyu ata ta merrnin në dorë fatin e kombit. Studentët shqiptarë, me demonstratat e paharruara të vitit 1981 për të parën herë seriozisht lëkundën themelet e ish-Jugosllavisë avnoj-ane. Nuk kishte si të mos ndodhnin këto ngjarje kur shqiptarët, të përfshirë nga kriza e thellë, të lidhur me anormalitete të shumëllojshme, të shkaktuara qëllimisht nga shovinizmi serbomadh, u detyruan t’i kërkojnë të drejtat e tyre legjitime si çdo komb liridashës në botë. Kriza shqiptare në hapësirat e ish-Jugosllavisë nuk kishte vetëm anën e saj tragjike, ajo kishte për pasojë ngulfatjen sistematike të fatit të një kombi. Kostoja që paguan shqiptarët për t’u liruar përfundimisht në vitin 1999 nga forcat hegjemoniste serbo-sllave ishte mjaft e lartë. Gjeneratat e reja të cilat do të jenë bartëse të proceseve në të ardhmen u takon mbamendja se çka hoqën paraardhësit e tyre në një shoqëri krejtësisht të përjashtuar nga sistemi, siç ishte ish-Jugosllavia. Më se një shekull serbët, duke filluar nga Garashanini, Çubrilloviqi, Andriqi e deri të Millosheviqi, Shesheli e Koshtunica e deshën Kosovën nën Serbi, ose deshën serbizimin e saj. Edhe tash pas zyrtarizmit të pavarësisë së Kosovës, edhe Tadiqi nuk ka hequr dorë nga planët e kahmotshme serbe për ndarjen e Kosovës. Ai ka riaktualizuar idenë e shkrimtarit Dobrica Qosiq, i cili këtyre ditëve edhe një herë e bëri të ditur për opinion e gjerë se ndarjen e Kosovës e kishte kërkuar nga kryekasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Bashkësia ndërkombëtare, gjithmonë, që kur përfundoi lufta, paraqiti kërkesën për implementimin e standardeve para statusit final të Kosovës. Të gjitha kushtëzimet edhe u pranuan nga pala shqiptare. U pranua edhe plani i ndërmjetësit, Marti Ahtisarit për pavarësi të mbikëqyrur, që ishte kompromis më i madh  dhe shumë i dhimbshem i palës shqiptare. Me këtë plan siç dihet minoriteti serb gadi sa nuk barazohet me shqiptarët si popull shtetformues. Ndërkohë nga Bani Ki Muni u imponua edhe Plani Gjashtë Pikësh, ku implementimi i tyre cenon seriozisht integritetin territorial të vendit. Struktura e BE-së, edhe pas pavarësimit të vendit, paraqiti detyrime të reja për Kosovën, që ajo dosido të futet në dialog me palën serbe - siç thuhet për çështje teknike. Ne anën tjetër, Serbia përpos ndonjë detyrimi të rrallë siç është dorëzimi i disa kriminelëve të luftës, shumë pak ka bërë që t’i përmbushë edhe shumë detyrime të tjera nga ana e BE-së. Dhe kjo tolerancë e shteteve të BE-së karshi Serbisë, për çudi nuk po ka të ndalur. Nëse Millosheviqi nuk e arriti me luftë ta formojë Serbinë e Madhe, këtë gjë po e vazhdon Tadiçi në kushte të paqes.
Mjaft u ndërruan kufijtë në dëm të Kosovës, kështu që sot nuk mundet të përmendet dhe as që ka ndonjë argument të ndërrimit të kufijve, kur dihet se struktura etnike është shqiptare, në mbi 90 përqind. Edhe nga aspekti gjeografik, Kosova lidhet me të gjitha trojet shqiptare. Tendenca e Serbisë me ndihmën e qarqeve të caktuara në Evropë për ndarje të Kosovës, paraqet shkak për luftë, ku jo vetëm që do të destabilizohet rajoni, por do të ketë pasoja të mëdha edhe të rrjedhave ekonomike…

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›