E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atifete Jahjaga, kandidate për presidente në Kosovë

Atifete Jahjaga është e kandiduara e përbashkët e marrëveshjes për presidente të Kosovës me mandat të kufizuar.

Zyrtarja e lartë e Policisë së Kosovës kandidohet nga PDK, LDK dhe AKR si rezultat i marrëveshjes së arritur, në bisedimet e treshes Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Behgjet Pacolli që u zhvilluan nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Pjesë e marrëveshjes është edhe përcaktimi i afateve për reformat zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese të cilat do ta cojnë vendin në zgjedhje të paktën një vit para skadimit të mandatit.

Pas bisedimeve që zgjatën tri ditë, në një konferencë të përbashkët, kryeministri Thaçi, ish-kandidati për president Pacolli, lideri i LDK-së Mustafa dhe ambasadori Dell dolën në një konferencë para orës 22:00 ku theksuan pikat e marrëveshjes.

Kryeministri Thaçi konfirmoi kandidaten e përbashkët për president Atifete Jahjaga duke thene se marrëveshja përcakton edhe reformat dhe afatet.

“Jemi marrë vesh të formohet një Komision për hartimin e ndryshimeve kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjedhet drejtpërdrejtë nga populli”, tha Thaçi.

Sipas marrëveshjes, ky komision do ta kryejë punën e vet brenda 6 – 9 muajsh.
Zgjedhjet e para për presidentin do të mbaheshin jo më vonë se gjashtë muaj pas fuqizimit të ndryshimeve kushtetuese.

Pikë tjetër e marrëveshjes, nënvizoi Thaçi është ndryshimi i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Edhe për këto ndryshime do të formohet një komision, i cili do të udhëhiqet nga opozita. Puna e komisionit do të përmbyllet në një afat prej 8 deri në 12 muaj.

Kurse zgjedhjet parlamentare në vend do të shpallen jo më vonë se 18 muaj pasi ligji i ndryshuar të hyjë në fuqi. Këto zgjedhje u tha se do të jenë në një afat me ato lokale.

Ndërkaq,Ambasadori Dell tha se Kosova kaloi një fazë të vështirë për formimin e institucioneve.

“Liderët u treguan të gatshëm t`i vendosin interesat e shtetit para interesave të tyre. Fakti që unë jam me liderët kosovar tregon se ata mund të punojnë për të mirën e këtij vendi”, tha Dell.

Dell tha se kandidatja e ardhshme Atifete Jahjaga është në gjendje të marr detyrën dhe ushtroj atë me përgjegjësi siç bëri edhe sa ishte e angazhuar me kreun e Policisë së Kosovës.

“Koalicioni qeverisës do të vazhdojë, ndërkaq me qëllim të tejkalimit të kësaj krize politike dhe institucionale, unë jam tërhequr nga rikandidimi im për postin e Presidentit të Republikës”, ka thënë Pacolli.

“Nuk do të rikandidoj, sepse nuk dua të përjetoj atë që kam përjetuar. Isha viktimë e gabimeve të të tjerëve, andaj nuk dua të paguaj sërish për fajin e dikujt tjetër”, ka thënë ai duke u treguar i gatshëm ta vazhdojë garën politike brenda partisë për të rimarrë kreun e AKR-së.

Marrëveshja është përshëndetur edhe nga lideri opozitar Isa Mustafa.

Ai tha se me marrëveshje ishin respektuar disa nga kërkesat kryesore të LDK-së, që kishin të bënin me presidentin e pranueshëm, reformat zgjedhore e kushtetuese dhe caktimin e afatit për zgjedhjet e përgjithshme.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›