E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, ja kush është kandidatja për presidente

Shumica dërmuese e atyre që të mërkurën mbrëma dëgjuan kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi të tregojë emrin e Presidentes së re, kishin vetëm një pyetje: Atifete kush?

Ajo është Atifete Jahjaga. Është numri dy i Policisë së Kosovës, edhe pse emri i saj për herë të parë në publik doli kur u përmend si kandidate për Drejtoreshë të Përgjithshme të Policisë.

Kandidatja për presidente është nga Gjakova, është e martuar me Astrit Kuçin dhe nuk ka fëmijë. Merr pak më shumë se 1000 euro rrogë në muaj për punën e saj në Policinë e Kosovës dhe ka gradën e koloneles.

“Nga grada reshter është graduar majore, e më pas kolonele. Atifetja, juriste e diplomuar, karrierën e saj në polici e ka filluar si përkthyese, më pas police në departamentin e policisë kufitare, e pastaj në njërin nga departamentet më të rëndësishme të policisë, atë të trajnimit.”, shkruan mes tjerash në biografinë e saj në faqen e Policisë.


Jahjaga ka kryer trajnime të shumta, duke përfshirë kryesoret në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fotoja e saj më e shpeshtë që gjendet është ajo me ish-presidentin George W.Bush, dhe gjithashtu me Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, gjatë vizitës së saj në Kosovë.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›