E Shtunë, 31 Tetor 2026

Atleti nga Kenia Patrik Makau vendos nje rekord te ri boteror ne maratone

Kjo është një garë e vjetër, e cila u zhvillua për herë të parë 2 500 vjet më parë nga greku i famshëm që i përket legjendës, Feidipides. Edhe ky i flijuar i madh vrapo në shtator, porsi keniani Patrik Makau, që theu rekordin botëror në maratonën e Berlinit, një ditë më parë. Koha e Makaut është 2 orë, 3 minuta e 38 sekonda, duke e ulur barrierën që kishte vendosur etiopiani i pavdekshëm, Haile Gebrselasi, në të njëjtin itinerar 3 vjet më parë. Rekordi i vjetër ishte 2 orë, 3 minuta e 59 sekonda, ndërsa gjithnjë e më shumë njeriu po i afrohet murit të 2 orëve, për ta shkërmoqur atë.

Fillimisht, Makau dhe Gebrselasi ishte të dy së bashku në grupin që u shkëput nga masa e madhe e vrapuesve, por 26-vjeçari i përshkoi i vetëm 12 kilometrat e fundit të garës. Keniani e fitoi edhe vjet maratonën e Berlinit, ndërsa këtë vit doli i treti në Londër pasi u rrëzua gjatë garës.

“Menjëherë sapo filloi gara, e ndjeva trupin në formë të shkëlqyer dhe mendova për të thyer rekordin botëror”, ishin fjalët e Makaut pas suksesit.

Për femra, fituese ishte sërish një atlete nga Kenia, e quajtur Florens Kiplagat, e cila dha kohën 2 orë 19 minuta e 44 sekonda. Ajo fitoi duelin me britaniken Radklif që në fund doli e treta, ndërsa vendin e dytë e zuri rusja Irina Mikitenko.
Gara e maratonës ka gjatësinë prej 42 kilometrash e 195 metrash, aq sa është distanca e përshkuar nga lajmëtari i fitores, Feidipides, në vitin 490 deri në Athinë, pasi ushtria greke triumfoi në betejën e Maratonës ndaj persianëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›