E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kampionatin argjentinas i futbollit Boka Zhuniors 0-0 me Argentino Zhuniors

Sërish nuk humbi dhe sërish mbetet në vend të parë, madje me 4 pikë diferencë nga vendi i dytë. Boka Zhuniors kaloi pa u lagur në “ferrin” e Argentinos Zhuniors, duke barazuar 0-0 në një ndeshje ku të dyja skuadrat kërkuan fitoren.

Një përballje tipike argjentinase, me përzierje eksplozive të teknikës, forcës, agresivitetit dhe ambientit të ndezur në stadium. Huan Roman Rikelme provoi ta kalonte skuadrën mike në epërsi, por gjuajtja e tij e fuqishme u dërgua mbi tra nga portieri vendas, Nereo Ariel Fernandez.

Edhe më e rrezishme Argentinos, ndërsa Roberto Brum iu afrua shumë golit, duke gjuajtur nga vetëm 5 metra larg, por topi nuk iu bind plotësisht duke goditur traun. Shpëton mirë skuadra kryesuese.

Përgjigjen e dha sërish Rikelme që ekzekutoi një tjetër goditje dënimi dhe numri 10 pati sërish një dialog me portierin vendas, Fernandez. Ky reagoi në mënyrë të ngjashme si në gjuajtjen e mëparshme duke e dërguar topin në korne, mbi tra.

Momenti i fundit i rrezikshëm i takoi Argentinosit, pasi Huan Ramirez i shpëtoi pozicionit jashtë loje të miqve, por gjuajti jo saktë ndonëse u ndodh fare pranë portës së kundërshtarit.

Për fatin e mirë të Bokës, edhe Rasing Klub u ndal në barazim 0-0 në fushën e San Lorencos.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›