E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ato janë kudo

Në Muzeun e Kosovës u hap ekspozita e fotografisë dokumentare “Ne jemi kudo” e artistes Suzana Mushkolaj. Nga Express më 08 shtator 2011 në ora 12:17

Me rastin e ditës së Policisë së Kosovës, të martën mbrëma, në Muzeun e Kosovës, u hap ekspozita “Ne jemi kudo”, e artistes Suzana Mushkolaj. Në hapje të ekspozitës morën pjesë ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ambasadori Amerikan në Kosovë, Christopher Dell, ministra të kabinetit qeveritarë, përfaqësues diplomatik në Kosovë, artistë etj.

Hapjen e ekspozitës e bëri skulptori Luan Mulliqi, i cili foli për vlerën e ekspozitës dhe formën e fotografisë dokumentare, që solli në këtë ekspozitë artistja Suzana Mushkolaj.
Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se hapja e kësaj ekspozite është një ide e qëlluar nga artistja Suzana Mushkolaj dhe për këtë ka pasur përkrahjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës.

“Ne ndihemi krenarë se kemi një përfaqësim kaq të madh të femrave në Policinë e Kosovës. Nëse e krahasojmë me rajonin, qëndrojmë më mirë, jo vetëm në numër, por edhe me profesionalizëm të dëshmuar”, tha ministri Rexhepi.

Ndërsa ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Memli Krasniqi, theksoi se ekspozita me fotografi e artistes Suzana Mushkolaj ka dokumentuar punën e përditshme të Policisë së Kosovës, veçanërisht të pjesës femërore, të cilat krah për krah me policët, çdo ditë janë në shërbim të sigurisë së vendit tonë dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Autorja e ekspozitës, Suzana Mushkolaj, në fund, falënderoi për mbështetje ministrin e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, Policinë e Kosovës, organizatën ndërkombëtare UN Women dhe të gjithë të tjerët që kanë kontribuar në realizimin e kësaj ekspozite.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›