E Shtunë, 31 Tetor 2026

Regjisori amerikan: Historia ndryshe për Kanunin shqiptar

Më 17 shtator në Kinema Milenium jepet premiera e filmit “Falja e Gjakut”, fitues i

‘Ariu i Argjendtë’ në “Berlin International Film Festival 2011”, si skenari më i mirë nga regjisori Joshua Marston & Andamion Murataj

Nga Joshua Marston

Joshua Martson është regjisori i filmit “Maria Full of Grace”, fitues i çmimit “Ariu i Artë” në Berlin 2010, si dhe nominuar për çmimin “Oskar” për aktoren më të mirë. Pas këtij filmi, që i dha sukses, regjisori amerikan udhëtoi në Shqipëri në zonat më të thella të Malësisë së Madhe për të gjetur skenarin e filmit “Falja e Gjakut”. “Ky është një film që do të rrëfejë historinë e një familjeje që jeton një kontradiktë të thellë: mbyllur në ngujim në shekullin XXI. Është rrëfimi i botës moderne që përballet me traditën, historia e një biri në përplasje me të atin dhe historia e një vëllai e një motre, që nga fëmijë shndërrohen në të rritur”- shprehet regjisori në prag të premierës së filmit në Tiranë, më 17 shtator në Kinema Milenium.

Filmi “Falja e Gjakut” rrëfen historinë e një familjeje së cilës i duhet të jetojë në izolim, pasi i ati e i ungji janë përfshirë në një zënkë toke, që përfundon me një vrasje. Rrëfyer nga këndvështrimi i një djali 17- vjeçar (Niku) dhe motrës së tij 15-vjeçare (Rudina), filmi fokusohet në përvojën e të jetuarit në ngujim dhe ndikimin e këtij ngujimi mbi familjen. Disa prej pamjeve më rrëmbyese – në jetë si dhe në kinema – janë ato që nuk pajtohen; imazhet që fshehin brenda tyre kontradiktat që mposhtin logjikën dhe theksojnë paqëndrueshmërinë e botës në të cilën jetojmë. Imazhi që e solli në jetë këtë film ishte mjaft i qartë: është ai i një 17-vjeçari shqiptar që luan lojëra kompjuterike dhe çon mesazhe SMS. Pra, një djalë mëse normal në këtë botë moderne, por që i kryen këto veprimtari të jetës së përditshme mbyllur brenda në shtëpi, ku jeton i ngujuar. Me fjalë të tjera, ajo që më intereson të hetoj është përballja e modernes me tradicionalen; sesi individët jetojnë nën një Kushtetutë demokratike e bashkëkohore (me ligje bashkëkohore, polici, shkolla etj.) dhe në të njëjtën kohë i binden një kodi të vjetruar ligjor që daton qindra vjet të shkuara dhe që, për më tepër, duket të jetë në një kontradiktë të thellë me Kushtetutën e vendit. Dua të theksoj mjaft qartë se ky nuk është një film që synon t’i përshkruajë shqiptarët si barbarë apo të marrë. Përkundrazi, unë jam i interesuar të rrëfej karaktere modernë, të vërtetë, thelbësorë që luftojnë me sfidat e ndërlikuara të të jetuarit në një shoqëri, e cila po përjeton ndryshime të forta e të shpejta. Unë dua të hetoj tensionin që krijohet në familjet shqiptare, të cilat jetojnë në ngujim. Si preken prej ngujimit marrëdhëniet familjare? Si ia del mbanë një adoleshent të ruajë lidhjet me të dashurën, teksa është i detyruar të rrijë mbyllur brenda? Sesi ndrydhet, por njëkohësisht merr edhe fuqi një vajzë adoleshente, së cilës i duhet të braktisë shkollën për të punuar? Si shndërrohet marrëdhënia e atit me birin, kur ky i fundit fillon ta fajësojë babanë për gjendjen e mjeruar të familjes? Si rreket të zërë biri vendin e atit që mungon? Me fjalë të tjera, nuk jam i interesuar të tregoj historinë e një gjakmarrjeje, por një rrëfenjë – që edhe në filmat shqiptarë që janë bërë mbi gjakmarrjen – ku ende askush nuk është përqendruar gjer më sot: historinë e izolimit. Meqenëse historia rrëfehet nëpërmjet birit dhe vajzës së një familjeje, familja tjetër në gjak shfaqet veç aty-këtu. Filmi qëllimisht është ndërtuar që t’i presë rrugën çdo përpjekjeje për të ndarë kush ka të drejtë e kush jo, veprimet e kujt janë të justifikuara apo të pajustifikuara, kush duhet të kërkojë apo të detyrohet gjak.

Në fund, kjo nuk është më veç një histori e thjeshtë izolimi, apo e përballjes së modernes me tradicionalen; por është rrëfenja e dy fëmijëve që po rriten çdo ditë e më shumë. Veçanërisht Niku është boll i rritur sa për të qenë shënjestër, por jo aq sa duhet për t’u parë si i pjekur në bisedimet e më të moshuarve, veçanërisht në përpjekjet për të mbyllur gjakun. Historia e tij është ajo e të zënit vend dhe e shndërrimit në një burrë, teksa përpiqet të kontrollojë situatën. Kështu filmi shkon përtej rrëfimit të një historie të vogël e periferike të izolimit në Shqipëri; ai rrëfen një histori më universale: atë të një të riu që po shndërrohet në burrë. Kështu filmi do të jetë me interes si për publikun shqiptar, ashtu edhe për atë në mbarë botën.

Unë jam lindur në Kaliforni dhe kam jetuar në Nju-Jork që prej vitit 1994. Nuk kam as edhe një lidhje gjaku me Shqipërinë. Por pikërisht për këtë besoj se kjo më mundëson pikëvështrimin me asnjanësi mbi këto përvoja shqiptare. Kjo do të thotë se të gjitha ato gjëra të përditshme, që shqiptarët mund t’i marrin si të mirëqena, unë, si jo-shqiptar, mund t’i shoh me një sy të freskët. Zgjedhja e thjeshtë e të kundruarit të një kontradikte te një djalosh i ri që çon mesazhe SMS, teksa jeton në izolim, me gjasë një shqiptari – që është mësuar tashmë me historitë e izolimit – mund t’i duket e tejkaluar. Në të njëjtën kohë, duke mos qenë shqiptar, ndiej nevojën të bashkëpunoj me partnerë shqiptarë. Kështu, ndërsa regjisori i filmit nuk është shqiptar, të tillë janë disa prej autorëve të tij: si bashkë-skenaristi dhe producenti im Andamion Murataj (vizioni i të cilit ka qenë i domosdoshëm); të gjithë aktorët në film, që janë shqiptarë dhe mbajnë një vulë bashkëpunimi në krijimin e karaktereve të tyre; si edhe shumë kinematografë shqiptarë që u impenjuan dhe bashkëpunuan për ta sjellë filmin në ekran. Dialogu mes meje dhe bashkëpunëtorëve të mi do të sjellë një perspektivë të re në Shqipëri, duke ruajtur njëkohësisht autenticitetin dhe besnikërinë ndaj Shqipërisë që do të shohim në ekran.

Mijëra histori reale me të cilat mbollëm skenarin

Në prill të vitit 2009 unë dhe Andamion Murataj filluan me hartimin në vija të përgjithshme të një rrëfimi që donim t’i tregonim botës. Pastaj kaluam katër javë duke bërë intervista të pafundme, në mënyrë që të dinim sa më shumë rreth subjektit dhe karaktereve në film. Hymë në shtëpitë e shumë familjeve që aktualisht jetojnë në izolim; dëgjuam historitë e tyre, jo vetëm për gjakmarrjen, por edhe për jetën e tyre të përditshme. Për shembull, takuam një familje që kish 15 vjet në ngujim dhe kishte katër djem nën moshën 14-vjeçare (që do të thotë se asnjeri prej tyre nuk kishte mundur të ndiqte shkollën). Takuam një tjetër familje, ku djali 13-vjeçar na përshkroi mes lotëve se ç’do të thotë të të ndajnë nga shokët, si edhe jetën që kishte kaluar i mbyllur në shtëpinë e tij (kur ai filloi të fliste, ne na kishin thënë se nuk kishte më familje në ngujim, por nga përvoja mund t’ju them se nuk është aspak kështu). Takuam bij e bija, nëna e baballarë dhe secili prej tyre u shndërrua në një referencë për rrëfimin tonë. Për më tepër, takuam edhe mësues që dërgohen nga shteti shqiptar në shtëpitë e fëmijëve të ngujuar, për t’u dhënë atyre mësim (nëpërmjet një programi që quhet Mundësia e Dytë). Takuam një sërë ndërmjetësish që na i

shpjeguan në detaje specifikat e Kanunit, si edhe ndërlikimet që lindin për komisionarin që përpiqet të pajtojë familjet (shumë prej këtyre ndërmjetësve janë përfaqësuar nga të moshuarit e fisit në film). Gjithashtu, takuam zyrtarë të policisë, punonjës të organizatave joqeveritare, prokurorë të shtetit dhe avokatë mbrojtës. Me pak fjalë, mblodhëm mijëra histori që na mundësuan një terren të mirë ku të mbillnim skenarin. Duke dashur të krijojmë një shkallë sa më të lartë realizimi në film (dhe meqenëse në Shqipëri nuk gjenden aktorë adoleshentë profesionistë), ne i kërkuam aktorët tanë kryesorë mes nxënësve të shkollave të mesme të Shqipërisë së Veriut. Në fund të dhjetorit ne u kishim bërë audicione më shumë se 2000 adoleshentëve, që i kishim gjetur në 22 shkolla nga Velipoja, Shkodra, Kopliku, Dedaj e Tamara. Secili audicion fillonte me një intervistë të shkurtër, ku u kërkonim të na rrëfenin një histori të shkurtër rreth vetes (për shembull, përshkruaj një vendim të vështirë që të është dashur të marrësh, apo përshkruaj propozimin që i ke bërë të dashurës a që të ka bërë i dashuri, ose herën e fundit kur ke qarë).

Më shumë se një testim ndaj aftësive aktruese të personit, kjo përvojë na ndihmoi të dëgjonim mijëra histori të jetës bashkëkohore shqiptare, që përjetohet nga adoleshentët shqiptarë. Kështu që, më shumë se proces përzgjedhjeje aktorësh, u shndërrua në një proces kërkimor, nëpërmjet të cilit ne zhvilluam më tej karakteret e filmit. Për më tepër, kjo na dha mundësinë që edhe pse unë nuk jam një regjisor shqiptar, të jem në gjendje ta rrëfej me vërtetësi e ndershmëri jetën shqiptare, duke u mbështetur në histori të vërteta e specifike, të rrëfyera nga vetë të rinjtë shqiptarë. Ky proces zbulimi nuk përfundoi me zgjedhjen e trupës së aktorëve. Periudha e provave ishte një kohë gjatë së cilës aktorët profesionistë e amatorë improvizuan lirshëm. Disa prej improvizimeve mbështeteshin në skena të skenarit, por shumë të tjera ishin histori jashtë tij (që mund të kishin ngjarë para se të fillojë rrëfimi i filmit, ose që çojnë më tej elementë të historisë, te të cilat skenari nuk mund të thellohet për shkak të kohës). Qëllimi ishte i dyfishtë: së pari t’u jepte mundësinë aktorëve t’i njihnin më mirë karakteret e tyre dhe të merrnin vendime se cilët janë, si flasin dhe si raportohen me njëri-tjetrin; së dyti, të na jepte ne mundësinë të zbulonim dialogë, situata, rrethana, reagime të reja emocionale e madje edhe skena të reja. Edhe pse gjatë xhirimeve nuk ka më as edhe një improvizim, procesi i zbulimit nuk mori fund me fillimin e xhirimeve. Përkundrazi, meqenëse shumica e filmit ndodh brenda të njëjtit fshat, xhirimet u kryen kryesisht në të njëjtin vend (Guri i Zi në Malësinë e Madhe). Kjo na mundësoi të gjenim vende të reja xhirimi dhe aspekte të jetës së vërtetë të fshatit, që i përfshimë në filmin tonë.

Une regjisori amerikan: Ja si e realizova një film për gjakmarrjen

Në këtë paraqitje kam përdorur më shpesh fjalën “ne”, sesa “unë”. Për mua, filmi kërkon bashkëpunim intensiv. Kur do të realizoja Maria Full of Grace, unë isha një regjisor amerikan që po rrëfente një histori kolumbiane: të një vendi që nuk e kisha vizituar më parë. Në mënyrë që ta realizoja sa më mirë, që të dukej si një film i vërtetë kolumbian, u mbështeta fort te bashkëpunimi me producentët, aktorët dhe trupa kolumbiane, ku të gjithë dhanë mendimin e tyre sesi duhej të ndërtohej filmi. Kur filmi doli në kinema, një pjesë e publikut kolumbian besonte se unë isha një regjisor nga Kolumbia. Duke dashur të mbërrija të njëjtën shkallë vërtetësie, unë jam mbështetur gjerësisht në bashkëpunimin e disa partnerëve kyç shqiptarë. Andamion Murataj bashkë-skenarist dhe producent, u bë pjesë përbërëse e konceptimit të këtij filmi, që në zanafillat e tij. Unë dhe Andamioni i kryem së bashku të gjitha kërkimet për skenarin. Ndërsa intervistonim familje, ne bënim biseda të gjata rreth historisë që duhet të rrëfente filmi. Përveç procesit të shkrimit, Andamioni udhëhoqi edhe procesin e përzgjedhjes së aktorëve. Ai intervistoi personalisht secilin prej mijëra nxënësve që morëm në audicione. Ai u përfshi ngushtë edhe në procesin e provave e të xhirimit. Zëri krijues i Andamionit ishte një prej më të fortëve dhe më të rëndësishmëve në konceptimin e këtij filmi. Gjithashtu, unë u mbështeta mjaft edhe tek aktorët (veçanërisht: Tristan Halilaj, Sindi Lacej, Refet Abazi dhe Çun Lajçi), duke sjellë përvojat e tyre personale, me dëshirën që filmi të jetë krejt i vërtetë. Dhe natyrisht që kishte edhe një numër të madh njerëzish nga trupa shqiptare që dhanë kontributin e tyre në pamjen dhe shijen e filmit, disa prej të cilëve ishin: Emir Turkeshi (piktore kostumesh), Rudina Vojvoda (asistent regjisore), Andon Koja (rekuizitier), Robert Budina (menaxher prodhimi). Dhe çka është më e rëndësishmja, është mbështetja që më dha bashkëpunëtori im i hershëm, producenti Paul Mezey, jo vetëm me logjistikën që të realizoja filmin, por edhe për nuhatjen e tij të mprehtë në rrëfimin e filmit dhe karakteret. Synimi final ishte një film që të shtrëngon ta jetosh dramaticitetin e tij, që të hap sytë e të mbështjell me tension. Qëllim akoma më i rëndësishëm është mbërthimi dhe reflektimi emocional që të bën ai. Ky është një film që do të rrëfejë historinë e një familjeje që jeton një kontradiktë të thellë: mbyllur në ngujim në shekullin XXI. Është rrëfimi i botës moderne që përballet me traditën, historia e një biri në përplasje me të atin dhe historia e një vëllai e një motre, që nga fëmijë shndërrohen në të rritur.

*regjisori i filmit “Falja e Gjakut”

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›