Libër për të rënët
Mbi 50 hulumtues, bashkëpunëtorë, analistë dhe mbikëqyrës shqiptarë dhe serbë, në kuadër të organizatës joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare, janë bërë bashkë për të botuar një libër, në të cilin jepen të dhëna të për personat e vrarë gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Libri i parë “Kujtimi i Kosovës 1998-2000” paraqet fakte të pamohueshme për vrasjet e shumta dhe krimet që janë kryer në Kosovë.
Libri është punë e përbashkët shumëvjeçare e Fondit për të Drejtën Humanitare dhe Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë. Në këtë publikim (i cili është publikimi i parë në ciklin e gjithsejtë 5 publikimeve të cilat mendohen të publikohen deri në fund të vitit 2012) mund te gjeni narrativet për fatin e 2.046 burrave, grave dhe fëmijëve të cilët kanë humbur jetën apo janë zhdukur gjatë konfliktit të vitit 1998 në Kosovë. Narrativet përmbajnë të dhënat personale dhe familjare në lidhje me secilën viktimë; përshkrimin e rrethanave se si ka humbur jetën apo dhunshëm është zhdukur; të dhënat mbi atë se a është gjetur trupi apo jo dhe ku është varrosur; të dhënat mbi burimet (dokumentet) të cilat janë përdorur për shkrimin e narrativëve.
Libri përmban narrativet e të vrarëve, të rënëve dhe të zhdukurve bazuar në kronologjinë e vrasjeve.
Duke folur në këtë promovim, drejtoresha ekzekutive e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq tha se kjo iniciativë ka për qëllim t’u tregojë njerëzve në Kosovë e Serbi se çka ka ndodhur në një periudhë kohore. Sipas saj, në këtë libër nuk ka qenë synim të bëhet ndonjë ekuilibër, por të jepen rrëfimet për secilin person të vrarë.
“Libri nuk është një lloj ekuilibri apo balancimi. Qartë përmes rrethanave dhe numrat që janë paraqitur me emra shihet se çka ka ndodhur. 2046 njerëz kanë pësuar, prej tyre 1700 shqiptarë, 1018 prej tyre janë civilë të cilët kanë ikur, janë fshehur, janë vrarë për shkak të emrit të tyre. Ka ende të pagjetur, 159 janë vrarë në grupe, aq shumë fëmijë janë vrarë saqë asnjë luftë tjetër nuk e mbanë mend një brutalitet të këtillë”, tha Kandiq.
Drejtori Ekzekutiv për Kosovë i Fondit për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj tha se qysh nga koha e luftës është filluar me hulumtimin dhe dokumentimin e vrasjeve dhe zhdukjeve në Kosovë.
“Që nga atëherë nuk është ndalur puna në këtë projekt, duke mbledhur intervista nga familjaret dhe dëshmitaret okularë për vrasjet dhe krimet që janë bërë”, tha Blakaj.
Duke folur për librin, profesor Mentor Agani u shpreh se kjo përmbledhje e të dhënave për personat e vrarë ka një rëndësi të madhe edhe për historianët.
“Këtu fjala popull përdoret shumë pak, këtu flitet për individë dhe krejt libri nga faqja e parë është vetëm për individë, duke u përpjekur të japë përgjigje, të cilat çdo historian duhet t’ia shtrojë vetvetes, çka, kush, kur dhe si?”, tha Agani.
Më tutje, rreth këtij libri foli edhe publicisti dhe gazetari Halil Matoshi, ndërsa Xhelil Ajvazi, qytetar nga Podujeva, familjar i një prej viktimave, apeloi te institucionet e Kosovës që të kooperojnë me anëtaret e familjarëve të vrarë dhe të zhdukur, në mënyrë që të ngrisin padi individuale ndaj Serbisë për krimet e bëra në Kosovë.