Auditimi në Gramsh, KLSH: Shkarkim për kryekomunarin e Lenies

Kontolli i Lartë i Shtetit ka bërë kallëzim penal për Kryetarin e komunës Lenie, rrethi Gramsh, ndërsa i ka propozuar Këshillit të Ministrave shkarkimin e tij për veprime dhe mosveprime në kundërshtim me Ligjin. Ky vendim ka ardhur pas auditimit të ushtruar për periudhën e veprimtarisë 2010-2011 në Komunën Lenie, rrethi Gramsh, ku KLSH konstatoi shkelje dhe mangësi në ushtrimin e detyrave funksionale të Kryetarit të kësaj Komune, si më poshtë:
1. Me urdhrat e Kryetarit, Komunës gjatë dy viteve i është shkaktuar dëmi ekonomik në vlerën 176,639 lekë, si shpenzime të pajustifikuara dhe të pabazuara.
2. Është lejuar shkaktimi i demit ekonomik në shumën 104,760 lekë, si shpërblim i dhënë njëkohësisht për të dy funksione për Kryetarin e Këshillit të Komunës (xhaxhai i Kryetarit), në kundërshtim me ligjin "Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore", të ndryshuar.
3. Zbatimi i punimeve të ndërtimit në Komunë ka rezultuar me dëm ekonomik në shumën prej 296,860 lekë, në 3 objekte, përkatësisht në objektin "Rikonstruksione të rrugëve në lagjen Senaj", për punime të pakryera, në objektin "Mirëmbajtje rruge "Lenie-Liqen i Zi" dhe në objektin "Mirëmbajtje vepra ujore", në kundërshtim me ligjin "Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit".
4. Nga Kryetari i Komunës nuk janë ndjekur e zbatuar UKM "Për procedurat e dhënies me qira të tokave bujqësore të pandara", në dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore në 8 raste me afat 99 vjet, si dhe nuk ka arkëtuar qira dhe kamatë vonesat e tokës bujqësore, në kundërshtim me ligjin "Për tokat bujqësore të pandara", dhe me ligjin "Për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve dhe kullotave që janë pasuri shtetërore".
5. Komuna nuk ka zbatuar rekomandimet e auditimit të Prefektit nr. 3044/3, datë 30.11.2011 dhe nuk ka ekzekutuar detyrimet e prapambetura në vlerën 323,700 lekë, në kundërshtim me ligjin"Për auditimin e brendshëm në Sektorin Publik", të ndryshuar me ligjin "Manuali për menaxhimin financiar dhe kontrollin".
6. Në ushtrimin e detyrës së Kryetarit të komunës, ky Kryetar nuk ka reaguar me shkrim në formën ligjore për të prezantuar konfliktin e interesit ndërmjet Kryetarit të Komunës dhe Kryetarit të Këshillit të Komunës, të cilët janë me lidhje nip e xhaxha, në kundërshtim me ligjin "Për Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike".
7. Komuna nuk ka përgatitur projektbuxhetet për vitin 2010 dhe 2011, raportet e kërkesave për shpenzime me formularët përkatës nr. 1 dhe nr. 2. Mungonë strategjia e zhvillimit të kësaj komune dhe strategjitë sektoriale, si dhe nga ana e Kryetarit nuk janë ngritur ekipet përkatëse të menaxhimit, në kundërshtim me nenin 27 të ligjit "Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë".
8. Kryetari ka lejuar mungesa evidentimi në zbatimin e buxhetit, njëanshmëri të ndjekjes së buxhetit qendror me nënvleftësim të pjesës të buxhetit vendor si në hartim dhe në zbatim, në kundërshtim me ligjin "Për buxhetin e vitit 2010".
9. Kanë munguar në Komunë strategjitë me objektiv përmirësimin e sistemit të programeve të ndihmës ekonomike, për uljen e varfërisë, nëpërmjet rritjes së efektivitetit të përdorimit të punëve komunitare, ndonëse buxheti i ndihmës ekonomike për vitet 2010-2011 ka qenë sa dyfishi i buxhetit vjetor të komunës, në kundërshtim me VKM "Për përcaktimin e kritereve të procedurave dhe masës së ndihmës ekonomike" dhe udhëzimet përkatëse.
10 Ka keqadministrim të shpenzimeve për udhëtim e dieta të punonjësve, ku me urdhrat e dërgimit me shërbim të punonjësve është shkaktuar dëmi ekonomik për buxhetin e Komunës në shumën totale 684 400 lekë, në kundërshtim me pikën 6 të VKM "Për dietat e nëpunësve, që dërgohen me shërbim jashtë vendbanimit të tyre", të ndryshuar.
11. Kryetari ka lejuar keqadministrim të biletave të zonës turistike, planifikim dhe parashikim të të ardhurave nga tatim taksat me rezerva, nën mundësitë reale, duke raportuar me tejkalim të lartë, deri në nivelin 162.5%. Për pasojë nuk janë regjistruar e kontabilizuar 323 debitorë për tatime taksa me vlerën 339,671 lekë, si dhe nuk janë llogaritur gjobat e kamatë vonesat, në kundërshtim me ligjin "Për sistemin e taksave vendore", të ndryshuar.
Mbi bazën e këtyre dhe shkeljeve të tjera, KLSH ka bërë kallëzim penal për Kryetarin e komunës, bazuar në nenin 248 të Kodit Penal, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, si dhe ka rekomanduar masa për shpërblimin e dëmit ekonomik dhe masa organizative e disiplinore për shkeljet e konstatuara gjatë auditimit.
Gjithashtu, KLSH me shkresën Nr. 453/9 dt. 30.06.2012 i ka propozuar Këshillit të Ministrave shkarkimin e Kryetarit të komunës Lenie, për veprime dhe mosveprime në kundërshtim me Ligjin nr. 8652 dt. 31.07.2000, i ndryshuar "Për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore", Neni 44, germat "a" dhe "g".