E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aufwiedersehen Inter!

Eksperienca e kampionit aktual të Evropës, Inter në Ligën e Kampionëve ka marrë fund. Nerazzurrët janë eliminuar në çerekfinale të këtij kompeticioni nga Schalke 04, e cila e fitoi përballjen e dyfishtë – 5:2 në ndeshjen e parë, 2:1 në të dytën. Në gjysmëfinale u kualifikua edhe Real Madrid, që gjithashtu i fitoi të dyja duelet me Tottenhamin. Nga Express më 13 prill 2011 në ora 22:45

Inter është përshëndetur nga Liga e Kampionëve. Kampioni aktual i Evropës është eliminuar nga Schalke 04, e cila e fitoi përballjen e dyfishtë me Nerazzurrët.

Gjermanët e ruajtën me zotësi kapitalin që e kishin krijuar nga ndeshja e parë (fitonin 5:2), por duket se kjo nuk u mjaftoi, ngase ata fituan edhe në shtëpi me rezultat 2:1, për ta prekur gjysmëfinalen për herë të parë në histori të klubit.

Edhe pse pritej që kampionët e Italisë të ishin më ofanzivë, kjo nuk ndodhi. Në pjesën e parë ata rrezikuan vetëm një herë, me një gjuajtje të fuqishme nga Stankovic, të cilën e ndali portieri Neuer.

Veterani Raul Gonzalez ua ka ‘shkurtuar këmbët’ italianëve. Legjenda spanjolle ka dalë në skenë në minutën e fundit të pjesës së parë. Pasi mori një top të mrekullueshëm nga Jurado, e kaloi portierin Julio Cesar dhe e plasoi topin në rrjetë, 1:0. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë.

Në fillim të 45 minutëshit të dytë, Thiago Motta e barazoi rezultatin dhe ia dha një çikë shprese ekipit të tij. Por, kjo ishte e tëra që arritën të bënin Nerazzurrët, të cilët u treguan të parrezikshëm deri në fund të ndeshjes.

Njëjtë si në ndeshjen e parë, Schalke e shfrytëzoi për mrekulli armën e fortë të saj - kundërsulmin, për ta shënuar golin e dytë në minutën e 81-të me anë të Howedes. Kështu, Inter u përshëndet nga kjo garë, kurse Schalke në gjysmëfinale do të ketë punë edhe më të vështirë, pasi që e pret Manchester United.

Në duelin tjetër, Real Madrid ia doli ta mposht Tottenhamin edhe në ndeshjen e dytë, në Londër me rezultat 1:0. Golin e fitores për ekipin e Jose Mourinhos e realizoi Cristiano Ronaldo, në minutën e 50-të. Madrilenët në gjysmëfinale do ta kenë përballë kampionin aktual të Spanjës, Barcelona.

Liga e Kampionëve

Çerekfinalja

Rezultatet
Schalke – Inter 2:1 (5:2)
Tottenham – Real Madrid 0:1 (0:4)
Në kllapa janë shënuar rezultatet e ndeshjeve të para

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›