E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aulona vishet me folk



Aulona, qyteti i flamurit, do të vishet nga folku tradicional për disa ditë me radhë. Festivali Internacional Folk Aulona, sapo ka filluar në qytetin e flamurit, në Vlorë. Në këtë festival do të marrin pjesë grupe folku nga shumë vende ndërkombëtare, pjesë e gadishullit ballkanik, dhe të kontinentit plak, Evropës.

Aulona, qyteti i flamurit, do të vishet nga folku tradicional për disa ditë me radhë. Festivali Internacional folk Aulona, sapo ka filluar në qytetin e flamurit, në Vlorë. Në këtë festival do të marrin pjesë grupe folku nga shumë vende ndërkombëtare, pjesë e gadishullit ballkanik, dhe të kontinentit plak, Evropës. Aulona Internacional Folk - Festival është festivali ndërkombëtar që zhvillohet në qytetin e flamurit në datat 9-11 maj 2009, kohë e cila në këtë qytet përkon me hapjen e sezonit të plazhit. Sponsor të këtij aktiviteti janë MTKRS, Bashkia Vlorë, Atlantik, Sigal, Toena, Glina, Isopolifonia. Aulona Internacional Folk-Festival me pjesëmarrjen e ansambleve folklorike nga shtete të ndryshme të Evropës e më gjerë, do të jetë me karakter të drejtpërdrejtë burimor e tradicional. Autorët cilësojnë si fakt përse është zgjedhur Vlora, meqenëse i drejtohen bukurisë natyrore dhe ky qytet në jugperëndim të vendit është më i përshtatshëm për zhvillimin e aktiviteteve kulturore dhe artistike. Festivali, sipas organizatorëve të tij, do të zhvillohet në disa pika të ndryshme të qytetit njëherësh duke krijuar një atmosferë kulturore në mbrëmjet e datave 9-11 maj 2009 në qytetin qytetin jugperëndimor. Grupet dhe pjesëmarrësit do të jenë nga disa vende të Ballkanit të cilët do të sjellin folkun e tyre në 3 netët e festivalit. President nderi do të jetë Shaban Demiraj, prof. Akademik, udhëheqës artistik Vaso Tole, prof. Akademik regjisor Albert Minga, Artist i Merituar, skenograf Agron Jakupi, drejtor i përgjithshëm Sejmen Gjokoli. Disa nga grupet pjesëmarrëse në këtë festival ndërkombëtar, të cilët i kanë përgatitur organizatorët e tij do të jenë:

Ansambli “Arsenal”, Kazanlak, Bullgari.

Ansambli i valleve popullore "Arsenal" është krijuar në vitin 1947. Gjatë gjithë periudhës së ekzistencës së tij, ansambli ka dhënë më shumë se 2000 shfaqje brenda vendit dhe tej kufijve.

Është një ndër grupet më të famshme të valleve në gjithë Bullgarinë.

Medaljet dhe çmimet kanë shoqëruar pothuaj gjithnjë pjesëmarrjen e tyre në festivalet dhe aktivitetet e panumërta artistike dhe zbukurojnë arkivin e tyre artistik siç janë:

"Gjoksi i Artë", "Gjerdani i Artë", "Perëndesha e Artë e Nikes", "Shpata e Artë".

Ka marrë pjesë në shumë festivale të organizuara në vende të ndryshme si Irlanda, Anglia, Franca, Portugalia, Spanja, Italia, Belgjika, Holanda, Gjermania, Zvicra, Suedia, Austria, Greqia, Polonia, Maqedonia, Çekia, Sllovakia, Turqia, Rumania, Rusia, Egjipti, Siria, India, Sri Lanka, Japonia, Singapori. Si drejtor artistik dhe koreograf do të jetë z. Hristo Stoyanov, ndërsa udhëheqës i orkestrës popullore vjen Yavor Kanchev.

Po ashtu një tjetër grup pjesëmarrësish është edhe ansambli “Mecovo”, nga Greqia. Ansambli "Mecovo", Greqi, u themelua në vitin 1980 me iniciativën e vetë bashkisë.

Është i përbërë prej tri degësh (dy me fëmijë dhe një me të rritur) dhe anëtarë të regjistruar që arrijnë deri në 120 vetë. Objektivi i grupit mbetet ruajtja dhe evidentimi i traditës së Mecovo-s. Kënga dhe vallja i kanë shoqëruar mecovitët në gjithë manifestimet e jetës së tyre me eksperiencën dhe funksionalitetin dyngjyrësh.

Grupi bën përpjekje të përvetësojë nga të parët trashëgiminë kulturore, t'ua bëjë të njohur të rinjve të kaluarën dhe rrënjët e tyre, karakteret dhe zakonet, vallet dhe këngët e popullit. Ansambli "Mecovo" ka marrë pjesë në shumë aktivitete e festivale, brenda dhe jashtë vendit si në Egjipt, Zvicër (Çmimi I), Itali (Çmimi IV), Francë, Turqi, Rumani, Çeki.

Ansambli i Valleve ka marrë pjesë në shfaqje të shumta anembanë Greqisë si Janinë, Kozani, Prevezë, Katerini, Lamia, Athinë, Mesolongji, Paros etj.

Ansambli “Çerçiz Topulli” Gjirokastër do të përfaqësojë Shqipërinë kësaj here.

Ansambli "Çerçiz Topulli" i Gjirokastrës është themeluar në vitin 1978 me drejtues të parë udhëheqësin artistik Roland Cene, duke vazhduar më vonë me të tjerë artistë dhe njerëz të kulturës në Gjirokastër si Naxhi Kasoruho, Jorgo Roze, Selam Mamani, Petrit Llano.

Repertori i këtij ansambli mbetet nga më të larmishmit e interesantët në vend, mbasi në këngët dhe vallet e tij janë ndërthurur me shumë mjeshtëri folku tepër autentik i mjaft zonave të njohura për folklor tradicional e burimor si krahina e Kardhiqit, Lunxhëria, Zagoria, Pogoni, Dropulli, por edhe vetë qyteti i Gjirokastrës, sidomos për iso-polifoni.

Në përgjithësi ky ansambël ka në përbërje orkestrën e sazeve dhe këngëve popullore, grupin e valleve të Gjirokastrës, Dropullit, Lunxhërisë, grupet polifonike "Grupi i të rinjve", "Ergjëria", "Argjiro", "Kurora Labe", "Cfaka" etj.

Ka marrë pjesë në të gjitha Festivalet Kombëtare të Gjirokastrës, por edhe në festivale ndërkombëtare si në Francë, Greqi, Portugali etj

Ansambli "Burimet e Sharrit", Tetovë (Maqedoni), do të jetë një tjetër grup pjesëmarrës në festivalin Aulona. Ky ansambël është formuar më 1996 nga një bashkim i njerëzve të artit dhe kulturës popullore nga Malësia e Sharrit, Derveni dhe rrafshi i Pollogut, kryesisht nga mjeshtrit më të spikatur të këtyre rajoneve, të cilët me vlerat e tyre folklorike tradicionale kanë marrë pjesë edhe në takimet e festivaleve vendore, mbarëkombëtare dhe ndërkombëtare si në: "Sharri këndon", Tetovë, Maqedoni, (vazhdimisht) "Këngë Jeho", Strugë, Maqedoni, "Ditët e Ilindenit", Manastir, Maqedoni, "Oda dibrane", Peshkopi, Shqipëri, Festivali Kombëtar i Gjirokastrës (Shqipëri) 2000 - 2004, "Argjiro 2008", "Gurra popullore" Gjilan, Kosovë, "Drenasi" Kosovë, "Rapsha", Tuz, Mali i Zi, Strugë, Maqedoni, Festivali Kombëtar i Shoqërive Kulturore Artistike dhe Ansambleve "Kaçaniku", Kaçanik, Kosovë, Festivali i Valleve Tipologjike, Lushnjë, Shqipëri, Festivali Ndërkombëtar i Poezisë "Ditët e Naimit", Festivali "Anadrina", Kosovë, Festivali "I këndojmë lirisë", Kosovë, Revista Folklorike "Drenasi", Kosovë, si dhe në shumë manifestime të tjera kulturore në vend dhe jashtë vendit si Turqi, Poloni, Kroaci, etj. Është fitues i shumë çmimeve dhe trofeve të ndryshme.

Drejtues i Ansamblit është Zilfi Aliu.

Ansambli “Akud Mirce Acev” vjen nga Shkupi. Populli maqedonas ka ruajtur thellë në shpirtin e tij një ndjenjë të lindur për këngën dhe vallen. Grupi folklorik i shoqërisë "Mirce Acev" ia ka dalë mbanë me sukses të paraqesë thesarin e begatë folklorik të krijuar gjatë shekujve në trevën maqedonase.

Përgjatë pesë dekadave grupi ka marrë pjesë në festivale të panumërta folklorike, brenda dhe jashtë vendit. Me valle dhe këngë si "Nevestinko", "Tikvesko", "Beranche", "Povardarie", grupi ka përcjellë në mënyrën më autentike trashëgiminë e folkut maqedonas, duke u vlerësuar me çmime dhe medalje të shumta.

Disa nga turet e grupit anembanë botës janë:

Australi, Belgjikë, Bullgari, Kanada, Kroaci, Qipro, Francë, Hungari, Itali, Luksemburg, Holandë, Poloni, Rumani, Rusi, Sllovaki, Slloveni, Spanjë, Suedi, Turqi, Ukrainë, SHBA me drejtues të grupit Blagoja Jovanoski.

Një tjetër ansambl është edhe “Porta di Danza” nga Ulqini. Është krijuar në vitin 2004 nën udhëheqjen e koreografit Musa Hoxha. Ky ansambël u krijua pranë shkollës me të njëjtin emër. Ansambli "Porta di Danza", në gjirin e vet tubon një numër të madh të të rinjve. Shkolla e vallëzimit "Porta di Danza" ka mbi 200 anëtarë ku veprojnë dy grupe valltarësh, duke filluar nga fëmijët dhe grupi i të rriturve.

Kjo shkollë mëson të rinjtë në vallëzime të ndryshme nga ato popullore-folklorike, vallëzime moderne dhe latino-amerikane, vallëzime sportive etj.

Në këta 4-5 vjet ka marrë pjesë në shumë aktivitete kulturore brenda dhe jashtë Malit të Zi. Ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të të Rinjve në Antalia,Turqi, në Festivalin Ndërkombëtar të Fëmijëve "Ylberi i Prishtinës", Kosovë, në "Maratonën Rinore", Shqipëri, ku fitoi çmimin special në vallëzim, në Festivalin Ndërkombëtar në Bullgari, gjithashtu dhe në Festivalin e Kalabrisë, Itali, ku mori vlerësime nga Juria.

Në qytetin e Vlorës vjen për herë të parë, gjithashtu edhe shoqëria kulturore artistike “Zeljezniçar“, Zagreb, Kroaci. Shoqëria "Zeljeznicar" është trashëguese e shoqërisë me të njëjtin emër, që ka dhënë shfaqjen e parë publike në vitin 1907 dhe në vitin 2007 shënoi jubileun e madh, njëqindvjetorin e shfaqjes së parë publike në qytetin e Zagrebit.

Prej vitit 1946 deri 1990 nën ombrellën e shoqërisë kanë vepruar grupe kori, muzika frymore, orkestrina me kitara dhe mandolina, grupi dramatik, grupi i piktorëve, grupi kino-foto, orkestrina kamertale, si dhe grupi folklorik, jazz - orkestrina, orkestrina zbavitëse dhe harmonikave dhe grupi i qëndisjes popullore.

Rezultatet më të rëndësishme: Ansambli Folklorik dhe Orkestrina Tamburiste fitojnë diplomë të artë, çmimin e parë Medaljen e Artë dhe titullin e kampionit - "Champion of The World Choir Games" në Kinë, si dhe mjaft çmime e vlerësime të larta në festivale të ndryshme si në Britaninë e Madhe, Austri, Norvegji, Gjermani, "Argjiro 2008" Gjirokastër, Shqipëri etj.

Udhëheqës artistik i grupit folklorik dhe korit të përzier është Marko Robinic.

Në kuadër të folklorit veprojnë rreth 50 anëtarë dhe grupi i të rinjve me 30 anëtarë.

Kryetare e shoqërisë është Tanja Horvat, ndërsa sekretar Vlado Korbar.

Shoqëria kulturore artistike “Shote Galica”, Drenas, Kosovë do të konkurrojë në festivalin e Aulonës këtë vit.

SHKA "Shote Galica" me seli në Drenas është themeluar më 11 prill 1968.

Periudha më e suksesshme e kësaj shoqërie është intervali kohor nga viti 1980-1989. Në këtë epokë të aktivitetit kjo shoqëri numëronte mbi 80 anëtarë. Madje, gjatë kësaj periudhe SHKA "Shote Galica" shfaqi mbi 500 koncerte në Kosovë dhe jashtë saj. Është pjesëmarrëse dhe fituese në të gjitha festivalet që mbaheshin në atë kohë në Kosovë.

SHKA "Shote Galica" nga Drenasi ka marrë pjesë në shumë festivale si në Zagreb, Ohër, Osjek, Novi Sad, Bursa dhe Ynegyl të Turqisë, Linc të Austrisë, Ganat të Francës, në Strugë të Maqedonisë, në Tuz të Malit të Zi, në Kaçanik e Ferizaj të Kosovës, në Revistën e Folklorit Burimor, ku kjo shoqëri është edhe organizatore, si dhe në festivalet e Beratit dhe Gjirokastrës në Shqipëri.

Vitet e fundit ka marrë pjesë në disa festivale brenda dhe jashtë Kosovës si në Klinë, Prizren, Skënderaj, Viti, Deçan, Tropojë, Gjirokastër 2006, "Argjiro 2008", Festivali i Këngës dhe Valles Çame në Sarandë etj. Është fitues i shumë çmimeve dhe trofeve të festivaleve, ndërkohë që si drejtues dhe udhëheqës i ansambli është Shaqir Hasi.

Dhe së fundmi, pjesë e festivalit është edhe grupi folklorik "Katundi jonë", San Marzano – Itali. Grupi folklorik "Katundi jonë" është formuar në shkurt të vitit 2005 falë një grupi të rinjsh të San Marzanos në Kalabri të Italisë. Këta të rinj kishin të përbashkët pasionin për muzikën, vallet popullore dhe traditat e të parëve të tyre

Instrumentet muzikore, pjesë e këtij grupi janë: fizarmonika, organoja, kitara, daullet etj.

Janë të shumta eventet në të cilat ka marrë pjesë qysh prej vitit 2005 e në vazhdim në qytete të ndryshme si: Pulja, Kalabri, San Marzano me spektakle të ndryshme në skena të hapura dhe të mbyllura

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›