E Diel, 1 Nëntor 2026

Librazhd, sekuestrohen tetë kilogramë heroinë, në pranga tre persona



Policia e Shtetit ka sekuestruar tetë kilogramë heroinë dhe ka vënë në pranga tre persona në Librazhd. Pas një hetimi të ndërmarrë nga Drejtoria kundër Krimit të Organizuar si edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda u organizua operacioni “Oktapodi”. Në prangat e uniformave blu ranë Enver Gjura, 66 vjeç, Oltion Gjura, 22 vjeç dhe Ermal Gjura, 20 vjeç, të tre lindur e banues në Librazhd. Sipas burimeve nga policia, ata ishin duke transportuar drogën me makinë, kur janë ndaluar. Të tre të arrestuarit janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. Prokuroria dhe policia finalizuan ditën e djeshme operacionin, pasi kishin mbi dy muaj që po hetonin këtë grup. Pas informacioneve të marra në rrugë operative, ata organizuan operacionin “Oktapodi”, me qëllim arrestimin e personave që bënin pjesë në këtë trafik. Droga po transportohej në një makinë brenda së cilës ndodheshin 66-vjeçari Enver Gjura, djali i tij Ermali dhe nipi Oltioni. Ndërsa ata ishin duke lëvizur afër qytetit, kanë ndërhyrë agjentët e policisë, të cilët në bazë të informacioneve të marra, kanë ndaluar makinën. Ata kanë kryer kontrollin, ku kanë gjetur të fshehur tetë kilogramë lëndë narkotike, të dyshuar si heroinë. Droga ishte e ndarë në pako dhe e fshehur në pjesë të ndryshme të makinës. Menjëherë u janë vënë prangat tre personave. Sipas burimeve nga policia, droga po transportohej nga Maqedonia. Tre të arrestuarit kishin udhëtuar për në vendin fqinj, ku pasi kishin marrë “porosinë”, po ktheheshin sërish për në Shqipëri. Më pas, ajo do të kalonte në kufirin tokësor shqiptar, për t’u dërguar më pas në Greqi. Heroina ishte e destinuar për në tregun grek për t’u shitur. Ajo do të transportohej aty nëpërmjet kufirit grek. Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e provës materiale përveç lëndës narkotike, edhe pajisje për presim dhe substancat që shërbejnë për përzierjen e heroinës.

Agjentët e policisë kanë shoqëruar në komisariat tre personat e arrestuar. Ata janë marrë në pyetje, ndërsa po punohet për gjetjen e personave të tjerë që marrin pjesë në këtë trafik të organizuar. Në ditët në vazhdim, 66-vjeçari, djali i tij dhe nipi do të dalin përpara gjykatës për të marrë masën e arrestit. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale të “trafikimit të lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim”.

Të arrestuarit

1. Enver Gjura, 66 vjeç, lindur e banues në Librazhd

2. Oltion Gjura, 22 vjeç, lindur e banues në Librazhd

3. Ermal Gjura, 20 vjeç, lindur e banues në Librazhd

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›