E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aulona Internacional Folklorik, pjesëmarrje e vogël e vlonjatëve

Festivali Folklorik Ndërkombëtar Aulona në qytetin bregdetar të Vlorës është një  aktivitet për tu pasur zili. Një organizim nga më të mirët të veprimtarive të këtij lloji. Organizatorët kishin marrë masa deri në detajet e zhvillimit të këtij festivali. Që nga dekori, që nga spotet publicitare, që nga mënyra e organizimit të pritjes së të ftuarve, që nga mënyra e fjetjes dhe ngrënies së tyre. Dukej që organizatorët ishin profesionistë dhe me përvojë në këtë lloj organizimesh. Në veçanti la përshtypje të mirë, po e quajmë sfilatën e kostumeve që grupet e ftuara që nga Kroacia e Kosova e më tej u shfaqën që nga sheshi i Skelës e deri tek vendi, ku u bë hapja e sezonit turistik veror, dhe ku këta folkloristë ishin pjesë e kësaj feste të madhe popullore. Jo vetëm pjesëmarrja e tyre, por edhe koncerti me numra të zgjedhura që këto grupe dhanë me këtë rast lanë përshtypje nga më të mirat. Ndryshe nga festivale, të këtij lloji zhvilluar në qytetin bregdetar, dhe që për hir të së vërtetës duhet thënë se zhvillohen shpesh, ky i këtij viti ishte i një niveli organizimi më të lartë. Ishin zgjidhur më së miri të gjitha problemet organizative dhe kjo duket i kishte bërë optimistë jo vetëm organizatorët e këtij festivali, por edhe pjesëmarrësit e tij që u ndriste fytyra dhe me më shumë dëshirë se herë të tjera shfaqnin vlerat e tyre folklorike. Por ashtu siç do e mirë e ka një të keqe, ku edhe ky festival ndërkombëtar nuk kishte si të kalonte me ndonjë të metë që në këtë rast na duket jo e vogël dhe që patjetër nuk duhet përsëritur herë tjetër. Nga vetë emërtesa, Aulona Internacional, festivali presupozonte pjesëmarrje ndërkombëtare, por me patjetër edhe nga aulonasit, pra vlonjatët e sotëm. Por sapo shikon pjesëmarrësit nuk ke se si të mos mërzitesh. Ndërkohë që kishin ardhur dhjetëra kroatë, dhe mirë kishin bërë, ndërsa shikon se kishin ardhur dhjetëra kosovarë, dhe kishin bërë shumë, shumë mirë që kishin ardhur, teksa shikoje se kishin ardhur dhjetëra grekë, dhe kishin bërë mirë që ishin pjesëmarrës në këtë festival të vinte keq tek shikoje se vlonjatë ishin aq sa mund të numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Tashmë jemi mësuar të gjithë me zhvillime të këtij lloji dhe kemi mësuar se gjithmonë vendi organizator merr pjesë me më shumë grupe pjesëmarrëse se sat ë ftuarit por në këtë festival, për arsyet që i dinë vetëm organizatorët  nga e gjithë treva e Vlorës, që sot në aktivitet të përditshëm mund të numërojë mbi 30 grupe folklorike, merrte pjesë vetëm një grup, ai i Gumenicës. Dhjetëra këngëtarë popullorë vlonjatë që njihen në gjithë Shqipërinë na kanë shprehur habinë se përse Vlora përfaqësohet vetëm nga një grup, por askush nuk jep përgjigje për këtë gjë. Por edhe një gjë tjetër ra në sy në këtë pjesëmarrje. Ndërkohë që merrte pjesë një grup folklorik grek, dhe siç e thamë edhe më lartë, shumë mirë që merrte pjesë, nuk merrte pjesë për çudi asnjë grup folklorik çam ndërkohë që vetëm qyteti i Vlorës ka dy grupe të shkëlqyera të këtij komuniteti, pa përmendur grupe të tilla të njohura si ai i Fierit apo i Rrogozhinës. Megjithatë, udhë të mbarë festival dhe herë tjetër më mirë u bëftë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›