E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aurela Hoxha - Refuzon Gjebrenë e joshur nga ftesa për në Miss World

 

Një tjetër brune do të përfaqësojë Shqipërinë më 12 dhjetor, në një nga konkurset më të rëndësishëm të bukurisë, që do të mbahet në Afrikën e Jugut. Ajo quhet Aurela Hoxha, 24-vjeçarja me tipare latineje, 1.72 m e gjatë, dhe me linja trupore të rrumbullakosura. Bukuroshja ka marrë vendimin që brenda pak ditëve t’i thotë “jo” propozimit të showman-it Ardit Gjebrea për të qenë partnerja e tij në festivalin e muzikës “Kënga Magjike 2009”. 
Mesa duket Aurela është joshur më shumë nga oferta që i ka bërë regjisorja e njohur Vera Grabocka për të përfaqësuar Shqipërinë në këtë event bukurie të përmasave botërore. Nga ana e saj regjisorja është munduar ta ruajë sekret emrin e vajzës, me të cilën do të përfaqësohet këtë vit në “Miss World 2009”, ku konkurrojnë vajza nga e gjithë bota, por emri i Aurelës dhe karakteristikat e saj janë publikuar në faqen zyrtare online të këtij konkursi bukurie. Për Aurelën ishte projektuar për një tjetër angazhim artistik, pikërisht për të qenë në krah të Ardit Gjebreas. Showman-i i njohur kishte menduar ta prezantonte me të edicionin e ri, por plani ndryshoi në momentin, që regjisorja e njohur Vera Grabocka i vuri asaj syrin për ta çuar në “Miss World”. Aurela Hoxha ka një eksperiencë si modele ndërkohë që ka përfunduar studimet për mjekësi dhe vazhdon një universitet të dytë për juridik. Prej një viti ajo është presidente e Agjencisë së saj “AS angels promotion”, ku modelet prezantohen në faqet e revistës me të njëjtin emër. Puna e saj e përditshme është me përzgjedhjen e modeleve të reja, dhe organizimin e një turi sfilatash jo vetëm në Shqipëri por dhe jashtë kufijve.
Në muajin gusht ajo organizoi një sfilatë me personazhe VIP në qytetin e Durrësit.  Nuk dihet se sa shumë do pëlqehet ajo nga juria e “Miss World 2009”, një konkurs ky shumë prestigjioz dhe me konkurrencë të fortë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›