Disiplina syrgjynos Sopotin, Elbasani, 2-0 në tavolinë
Një mësim i mirë për dhunuesit e arbitrave dhe të kundërshtarëve në futbollin shqiptar. Komisioni i Disiplinës i Federatës Shqiptare e Futbollit i dha fitoren 2-0 në tavolinë Elbasanit në ndeshjen e prapambetur me Sopotin, pas dhunës së ushtruar ndaj arbitrave, hedhjen e sendeve të forta në fushë, çka ka sjellë si pasojë mos zhvillimin normal të ndeshjes e cila nuk është ndërprerë nga gjyqtari për të mos krijuar probleme sociale. Librazhdiotët do të detyrohen të luajnë edhe 2 ndeshje në fushë asnjanëse si dhe të paguajnë një gjobë prej 200 mijë lekësh (të reja). Ndërsa në bazë të Kodit të Drejtësisë Sportive edhe futbollisti i Sopotit, Shkëlqim Hajdari për goditje me shkelm të kundërshtarit dhe goditje me shkelm e grushte arbitrit është dënuar me tre vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe 200 mijë lekë gjobë.
Vendimet e plota të Disiplinës
1. Lojtarët: Besmir Beluli i Përparimit, Altin Xhahysa, i Tërbunit, për ofendim të arbitrave dënohen secili me nga 2 (dy) ndeshje pezullim dhe 5 mijë lekë gjobë.
2. Lojtari i KF Korabit, Ervin Lleshi për ofendim të arbitrit dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim dhe 5 mijë lekë gjobë.
3. Lojtarët: Andi Bakiasi, i Skraparit, Shyqyri Bylyku i Turbinës, për përshtyrje ndaj njëri-tjetrit dënohen secili me nga 1 (një) ndeshje pezullim dhe 5 mijë lekë gjobë.
4. Ekipi U-17 i Luftëtarit për mosparaqitje në ndeshjen e javës së tretë të kampionatit me ekipin U-17 të Sopotit humbet ndeshjen me rezultatin 2:0.
5. Ekipet U-17 e U-19 të Sopotit për mosparaqitje në ndeshjet e javës së katër me ekipet U-17 e U-19 të Skraparit humbasin ndeshjet me rezultatin 2:0.
6. Lojtari i ekipit U-19 të Gramozit Erjon Cenko për ofendim të arbitrit kryesor dënohet 3 (tre) ndeshje pezullim dhe 5 mijë lekë gjobë.
7. Klubet e Laçit, Gramozit dhe Skënderbeut për hedhje të sendeve të forta në fushë e fyerje nga tifozët në grup dënohen secili me nga 100 mijë lekë gjobë.
8. Lojtari i ekipit të KF Sopoti, Shkëlqim Hajdari për goditje me shkelm të kundërshtarit dhe goditje me shkelm e grushta të arbitrit dënohet 3 (tre) vjet pezullim nga të gjitha aktivitetet dhe 200 mijë lekë gjobë.
9. KF Sopoti, për dhunën e ushtruar ndaj arbitrave, hedhjen e sendeve të forta në fushë, çka ka sjellë si pasoje mos zhvillimin normal të ndeshjes, e cila nuk është ndërprerë nga arbitri vetëm për të mos krijuar probleme sociale humbet ndeshjen me rezultatin 2:0, gjobitet me 200 mijë lekë si e i zbriten 3 (tre) pikë.
10. KF Sopoti për dhunën e ushtruar ndaj arbitrave dhe mosmarrjen e masave të mjaftueshme të sigurisë dënohet me zhvillimin e 2 (dy) ndeshjeve në fushë asnjanëse.