E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aurela në Eurovizion, me një bebe në bark!

Nuk ka shkuar pa u vënë re shëndeti pak i pazakontë i këngëtares Aurela Gaçe, gjatë performancës së saj në skenën e Eurovizionit, në Dusseldorf të Gjermanisë! Komentet kanë qenë se Aurela ishte shëndoshur, ndërkohë që prej vitesh dihet se ajo ka pasur linja mjaft të mira trupore, falë ushtrimeve intensive në palestër që artistja bën. Por në fakt, arsyeja ka qenë vërtetë e fortë. Artisja e madhe e skenës shqiptare, Aurela Gaçe dhe i dashuri i saj, Skerdi, presin një bebe! Po, po është mëse e vërtetë. Gaçe e ka bërë publike këtë fakt në festën e organizuar me grupin shqiptar, pas performimit të saj në Eurovizion! “Sigurisht që jam e zhgënjyer me atë që ndodhi në Eurovizion. Jo me veten dhe këngën time. Jam e bindur që kam dhënë maksimumin tim në atë skenë. Jam mëse e kënaqur nga performanca ime. Por më e gëzuar nga çdo gjë, jam se në këtë garë nuk kam qenë e vetme. Në atë skenë nuk kam qenë vetëm. Në barkun tim po rritet një bebe! Unë dhe Skerdi jemi të lumtur se presim një bebe! Jam e lumtur që këtë emocion të madh, që të këndosh përpara gjithë Europës, nuk e përjetova e vetme!” Kështu është shprehur artisja Gaçe, ndërsa urimet nuk kanë munguar nga të gjithë. Aurela është aktualisht dy muaj e gjysmë, ndërsa nuk është e preokupuar për gjininë e fëmijës. Rëndësi për të ka të jetë i shëndetshëm. Siç ka treguar edhe vetë Aurela, fillimi i shtatzënisë ka qenë pak i vështirë, pasi ka përkuar me kohën kur lëvizte sa në një shtet në tjetrin, në promovimin e këngës së saj nëpër shumë shtete, në netët e gjata pa gjumë, apo interpretimet ‘live’ në çdo skenë e televizion, që ka qenë gjatë këtyre dy muajve. Megjithatë, edhe pse shtatzënë, artistja e madhe ka qenë më në formë se kurrë për sa i përket interpretimit të saj. Interpretim që mori vlerësim maksimal në Dusseldorf, nga mediat e artistët konkurrentë, pavarësisht se kjo gjë nuk u përkthye në vota!

Eurovizion kërkon falje për gabimet në votim

Parregullsi të shumta duket se kanë ndodhur në natën e parë gjysmë finale të Eurosongut në Dusseldorf të Gjermanisë. Transmetuesi publik NDR ka pasur mjaft probleme me televotim dhe transmetimin e audios në shumë shtete të ndryshme të Europës. Kjo për faktin se për tridhjetë minuta nuk ka qenë i mundur fare votimi nga shumë shtete të ndryshme të kontinentit, ka shkruar dje Portali Zhurnal. Kjo ka bërë që Jon Ola Sand, mbikëqyrësit ekzekutiv i Eurovision Song Contest në emër të EBU, Rrjetit të Transmetuesve Publikë Europianë, t’i bashkohet Thomas Schreiber, producent ekzekutiv i konkursit 2011, Thomas Riedel nga kompania Riedel, që ka pasur përgjegjësinë e infrastrukturës së të gjitha komunikimeve, dhe Dieter Thiessen, shefi i inxhinierikës në transmetues NDR, të kërkojë falje publike për avarinë e ndodhur. Problemet më të mëdha, sipas organizatorëve, duket se kanë ndodhur gjatë performimit të këngëve të para të kësaj nate, Polonisë, Norvegjisë, Shqipërisë, Armenisë dhe Turqisë. Nga ana tjetër, Thomas Schreiber kërkoi falje për të gjithë shikuesit dhe komentuesit, të cilët nuk kanë pasur audio, por duke saktësuar se këto probleme nuk kanë qenë prezente në të gjitha shtetet. "Qëllimi ynë është të japim një shfaqje të përsosur në çdo aspekt dhe unë kërkoj falje në emër të NDR”, tha Schreiber. Sipas Schreiber, ata kanë bërë testet për gjithçka një ditë më parë, të hënën më 11 maj. “...Çdo gjë ishte duke punuar shumë mirë, por rreth orës 20:40 minuta, përpara fillimit të transmetimit, kemi pasur shenjat e para se diçka nuk është mirë”, tha ai. Nga ana tjetër, reagimet e fansave të këtij festivali nga e tërë Europa janë shumë të ashpra. Një pjesë e madhe e tyre, sidomos nga pesë vendet e para, kërkojnë që ky problem të rregullohet sepse këtë e konsiderojnë si diçka të padrejtë që u është bërë sidomos pesë vendeve të para konkurruese. Ndërkaq, gjatë një konference për shtyp, që e kanë mbajtur organizatorët e festivalit, kanë folur më shumë për përmirësime që do të bëhen në mënyrën e votimit vitin e ardhshëm sesa për të marrë ndonjë vendim se si do t’ia bëjnë me problemet që kanë pasur me votime në gjysmëfinalen e parë. (lajmin e plotë mund ta lexoni në http://www.eurovision.tv/page/neës?id=35403&_t=ndr_explains_commentary_audio_issues). Përsa i përket Shqipërisë pritet të ketë një konferencë shtypi në fillim javë, për të sqaruar gjithçka ka ndodhur me votimin e këngës “Feel the passion”!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›