Aurela Gaçe ka performuar në koncertin e mbajtur më 28 nëntor në Vlorë, bashkë me Ponin e grupin "Troja" .
Shiu që binte nuk pengoi mijëra njerëz të mbledhur në Sheshin e Flamurit, por duket se dëmtoi performancën e këngëtarëve.
Gaçe ka treguar se stuhia e fuqishme ka tundur nga themelet skenën e ndërtuar, prandaj djemtë e kompanisë përgjegjëse u detyruan të heqin çatinë që mbulonte skenën në mënyrë që të mos ndodhte ndonjë aksident i mundshëm.
"Por ndodhi që u dëmtuan aparaturat e kjo bëri që të mos performonim dot ''live'' me orkestrën. Edhe kompjuteri nga ku mund të lëshohej muzikë u dëmtua, pasi rrebeshi që nuk kishte të ndalur arriti të demtonte kabllot e lidhjet'', ka rrëfyer këngëtarja nëpërmjet rrjeteve sociale, duke shtuar se këngët këndoheshin vetëm me një mikrofon.
Ajo ka falënderuar me shpirt të gjithë ata njerëz që kishin mbushur Sheshin e Flamurit përkundër shiut dhe që këndonin në kor.
"Nuk do ta harroj kurrë këtë eksperiencë aq emocionuese. Vërtetë nuk e patëm luksin e të pasurit koncertin e dëshiruar, por kishim zërat tanë që buçisnin në të gjithë qiellin e Vlorës'' ka thënë tutje Gaçe, duke e përmbyllur me fjalët:
"Në rrugët e tua, Vlora, kishe mbledhur gjithë shqiptarët. Kështu të pafsha gjithmonë vendi im, deri në pafundësi!". /Rozafa Kelmendi/Indeksonline/