E Diel, 1 Nëntor 2026

Auron Tare deputeti i ri PS-së në Kuvend

Shkak është bërë dorëzimi i mandatit të deputetit nga ana e Andis Harasanit, të cili ka deklaruar se tërhiqet për arsye personale.

 Lajmi u bë fillimisht publik nga kreu socialist, Edi Rama, teksa më vonë kjo u konfirmua edhe nga vetë Harasani.

“Komunikoj largimin nga grupi të Andis Harasanit për arsye tërësisht personale. Ky largim nga grupi nuk është heqja e mbështetjes për PS nga ana e tij, dhe jam i bindur se ai do të vazhdojë të jetë jo vetëm një mik i të gjithëve, por edhe një mbështetës i rrugës sonë drejt fitores së zgjedhjeve”, tha Rama gjatë mbledhjes së grupit parlamentar.  Rama shtoi se arsyet e largimit janë tërësisht personale. “I mirëkuptoj tërësisht dhe kjo është edhe arsyeja pse nuk e shoh të udhës të bëjmë krahasimin e arsyeve personale me ato politike se ka një moment në jetën e çdo njeriu kur arsyet personale prevalojnë mbi ato politike”, vijoi kreu socialist.

Edhe vetë Harasani tha se largimi bëhej për arsye personale. “E dorëzoj mandatin për arsye personale. Pavarësisht shkëputjes do vijoj të mbështes PS, do vijoj të punoj për fitoren e PS në zgjedhjet e ardhshme. Madje jam i bindur se në këto zgjedhje, shqiptarët do votojnë PS”, tha Harasani. Kujtojmë se Harasani ka qenë një nga deputetët më “opozitar” brenda radhëve të Partisë Socialiste. Ai ishte kundër të gjitha politikave që ndiqte Rama që pas zgjedhjeve të vitit 2009.

Kush është deputeti Auron Tare

Auron Tare, është diplomuar në në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” dhe në Institutin e Kulturës Fizike në Tiranë. Ai ka qenë gjithashtu edhe basketbollist në klubin Partizani. Në vitin 1994 - 2000 ka qene përfaqësues i Fondacionit Butrinti një Fondacion Kulturor i themeluar nga Lordi Rothschild dhe Sainsbery of Candover. Nga viti 2000 deri ne 2005 ka drejtuar Parkun Kombëtar të Butrintit. Në drejtimin e tij u krijua ky Park Kombëtar si dhe u përfshi në Listën e Pasurive Botërore të UNESCO-s.

Gjithashtu ka qenë pjesëtar i ekipit te Televizionit Britanik Channel Four në trazirat civile në Shqipëri më 1997 si dhe Luftërat e Kosovës dhe Maqedonisë 1998 -1999. Aktualisht drejton Qendrën Shqiptare të Kërkimeve Detare një OJF e specializuar në kërkimet dhe ekspeditat arkeologjike nënujore. /Start/

                                                                                             2012-09-25 14:11
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›