E Diel, 1 Nëntor 2026

Australi, Panariti takohet me Ministrin e Komuniteteve e diasporën shqiptare

Ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, vazhdon vizitën e tij në Australi. Në ditën e dytë të qëndrimit, ai zhvilloi disa takime në Melburn, shteti i Viktorias, ku edhe është përqëndruar pjesa më e madhe e diasporës shqiptare në Australi. Në takimin me Ministrin për Çështjet e Kulturës dhe të Komuniteteve, Nicholas Kotsiras, biseda u përqëndrua në lidhje me rolin që luan komuniteti shqiptar në Australi. Ai konstatoi me kënaqësi se ky komunitet është integruar mjaft mirë në shtetin australian dhe ka krijuar një imazh pozitiv të Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë vend.

Nga ana e tij Ministri Kotsiras u ndal në programet që ka qeveria e shtetit të Viktorias për integrimin sa më të mirë të komuniteteve të përkatësive të ndryshme etnike, përfshirë këtu edhe komunitetin shqiptar. Ai i cilësoi shqiptarët një komunitet që ka përçuar mjaft vlera pozitive në shoqërinë australiane. Gjithashtu, ai shprehu gatishmërinë e institucionit që drejton për të mbështetur aktivitet e komunitetit shqiptar në kuadrin e festimeve për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar.
 

Programi i vizitës së Ministrit Panariti përfshiu një takim me përfaqësues të diasporës shqiptare në Australi. Komuniteti shqiptar në Australi përbëhet nga rreth 20.000 banorë dhe perfaqëson të gjitha trevat shqiptare. Përfaqësuesit e kësaj diaspore përshëndetën vizitën e Ministrit Panariti në Australi, duke e cilësuar atë një ngjarje historike, pasi është e para e zhvilluar nga një zyrtar i lartë shqiptar në këtë vend dhe se u krye në prag të 100 vjetorit të pavarësisë së popullit shqiptar
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›