Australi,200 viktima nga zjarri

Numri i të vdekurve nga zjarret që kanë goditur pjesën juglindore të Australisë ka arritur në 200. Lajmi është bërë i ditur nga burime policore vendase. Përvec këtij bilanci shumë të rëndë, një alarm i ri kërcënon shtetin e Viktorias, që është më i godituri nga zjarret. Vatrat akoma aktive të zjarrit dhe që janë jashtë kontrollit janë gjashtë. Sipas zjarrfikësve, flakët po ndihmohen edhe nga erërat e forta, duke bërë që ato të mbërrijnë fare pranë shtëpive. Sipas vlerësimeve të policisë së shtetit të Viktorias, numri i të zhdukurve dhe i kufomave të karbonizuara, të lënë të kuptosh se bilanci i viktimave mund të vazhdojë të rritet. Mbi 400 zjarre shpërthyen në shtetin juglindor të Australisë, që nga 7 shkurti, duke djegur gati katër mijë kilometra katror pyje, ferma dhe qyteza. Ndërkohë që të dielën, një gjykatë australiane bëri të ditur emrin e një 39 vjecari, i cili u arrestua para disa ditësh, me akuzën se ishte një nga piromanët që ka ndikuar në kthimin në një ferr të vërtetë flakësh, të zonës përreth Melburnit. Ai është Brendan Solaluk, një ish- vullnetar i zjarrfikësve. Solaluk duhet të përgjigjet për shkaktimin e një zjarri vdekjeprurës, prej të cilit humbën jetën 11 persona. Ditë më parë, kryeministri austrialian Kevin Rud, kishte deklaruar se shkaktarët e zjarreve do të shpalleshin fajtorë për krime në masë.