E Shtunë, 31 Tetor 2026

Australia shpëton 162 klandestinë

162 persona u shpëtuan në ujërat e Oqeanit Indian nga ana e marinës australiane, pasi një anije klandestinësh transmetoi një sinjal alarmi ditën e mërkurë.

Burime zyrtare konfirmuan se të gjithë emigrantët e jashtëligjshëm arritën të rikuperoheshin dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore, ndonëse disa prej tyre e kishin nevojë për asistencë.

Anija e tejmbushur me klandestinë dha një sinjal alarmi, ndërsa ishte duke udhëtuar pranë ujërave të ishullit të Krishtlindjeve (Christmas Island), pasi pësoi një avari.

”Në mbërritjen në ishullin e Krishtlindjeve, udhëtarët do t’i nënshtrohen kontrollove, fillimisht shëndetësore e më pas për verifikimin e identitetit dhe arsyeve të udhëtimit të tyre. Megjithatë, për momentin, siguria dhe jeta e të aksidentuarve mbetet një përparësi”, u theksua në një komunikatë të policisë australiane.

Ishujt e Krishtlindjeve janë një territor i veçuar nga Australia, disa qindra kilometra më në lindje dhe për shkak të afërsisë gjeografike me Indonezinë, përdoren shpesh si “trampolinë” për të mbërritur në kontinent nga ana e klandestinëve, në kërkim të kushteve më të mira të jetesës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›