E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austri, prezantohen për herë të parë dy vepra të Moxartit

Fondacioni ndërkombëtar Mozarteum i Salcburgut, në veri të Austrisë, prezantoi sot dy vepra të papublikuara më parë të kompozitorit të madh Wolfgang Amadeus Mozart, krijime në moshën e tij të rinisë.
"Shërbimi i kërkimeve të Fondacionit ndërkombëtar Mozarteum i Salcburgut identifikoi dy kompozime, që i posedonte prej kohësh, si vepra të Wolfgang Amadeus Mozart kur ishte i ri", bëri të ditur Fondacioni.
Të dy veprat muzikore për piano, një koncert prej katër minutash dhe një prelud prej një minute, u interpretuan sot përpara shtypit në piano-forten e vetë Moxartit, në ish-rezidencën e tij familjare në qytetin e lindjes së kompozitorit, nga pianisti austriak Florian Birsak, edhe ai i lindur në Salcburg.
Fondacioni ndërkombëtar Mozarteum ka për detyrë të ruajë trashëgiminë dhe veprat e kompozitorit jashtëzakonisht të talentuar, të bëjë kërkime dhe të organizojë koncerte.
Këto vepra të reja nuk janë të vetmet që janë zbuluar vitet e fundit.
Kështu, në shtator 2008, një bibliotekë në Nantë, në perëndim të Francës, ka publikuar për herë të parë një kompozim të Moxartit që kishte mbetur në arkivat e saj për më tepër se një shekull. Origjinaliteti i saj është vërtetuar nga Fondacioni ndërkombëtar Mozarteum.
Në vitin 2006, një vit me aktivitete të bollshme përkujtimore me rastin e 250 vjetorit të lindjes së kompozitorit, një pjesë tjetër për piano, një Alegro, që ka shumë të ngjarë të jetë shkruar nga Moxarti kur ishte në moshën 6 deri 13 vjeç, është zbuluar në Salcburg.
Wolfgang Amadeus Mozart, lindur në vitin 1756 në Salcburg, ka filluar të kompozojë që në moshën pesë vjeçare, përpara se të krijonte, deri sa vdiq në vitin 1791, koncerte, simfoni dhe opera ndër më të famshmet në historinë e muzikës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›