Ja ku mbahet Nënë Tereza
Shtatorja e Nënë Terezës, e vendosur në një cep të Universitetit Politeknik, ngjason më shumë këtë kohë me një krijesë jo reale. Bazamenti është gërryer, mungon emri dhe datat e saj
Emri i saj është i njohur në të gjithë botën. Jo vetëm aty ku i shkeli këmba, por edhe aty ku nuk shkoi asnjëherë. Nënë Tereza (1910-1997) njihet për shpirtin e saj të madh e bujar, për aksionin e saj bamirës të shtrirë në disa dekada.
Pas vizitës së saj të parë në vendin tonë, më 1992, shqiptarët patën mundësinë të njiheshin më shumë me këtë figurë ndërkombëtare. Ndërsa pas vdekjes së saj, në shtator 1997, kishte vende rreth nesh dhe bashkë me to edhe vetë ne, të cilët gati u vunë në garë për t'u njohur si vendi origjinë i murgeshës së lumturuar pas vdekjes nga Vatikani. Në këtë moment filloi edhe një shprehje e pamasë e dashurisë dhe respektit ndaj Nënë Terezës.
Fillimisht u emërtuan me emrin e saj institucione e sheshe, e më pas nisi edhe etapa e dytë, ajo e realizimit të shtatoreve që do të vendoseshin në këto vende. Sa herë që mbetej pas Shkupit në përvjetorët apo përurimin e veprave që mbanin emrin "Nënë Tereza", Tirana ia behte me ndonjë konkurs rrufe për shtatore në Rinas, për emra në spitale etj.. Rezultati i cilësisë së këtyre vepra është ai që shohim sot. Rezultat është edhe gjendja aktuale e anonimatit dhe degradimit të statujës që ndodhet në oborrin e Universitetit Politeknik në Tiranë, para sheshit, i cili gjithashtu mban emrin e saj, "Nënë Tereza".
Shtatorja u vendos aty në dhjetor të vitit 2004, një vit pasi Papa Gjon Pali II, shpalli Lumturimin e murgeshës. Vepra e realizuar nga skulptori Thoma Thomai u vendos në një cep, në krahun e majtë të ndërtesës së Universitetit, ku edhe gjendet sot e kësaj dite.
Është një figurë jo më e lartë se dy metër, e vendosur mbi një bazament që sot ndodhet në pikë të hallit, dhe për këtë flasin imazhet.
Figura e derdhur në bronz mbahet në një skarë të ndryshkur hekuri. Duket jo vetëm e shëmtuar, po edhe si një demonstrim i qëllimshëm i indiferencës ndaj gjërave "të vogla" si kjo.
Është për të ardhur keq se si përmendorja e një njeriu të rëndësishëm mund të lihet në atë gjendje. Bazamenti ka degjeneruar i rrethuar me një rrjetë teli, që duket sikur do të mbrojë nga kushedi se çfarë, brendinë boshe. E më tej akoma, kureshtarë të mundshëm e kanë hapur në disa vende rrjetën e telit, dhe në të tillë gjendje ka prej së paku disa muajsh.
Një tjetër detaj, ndoshta jo më pak i rëndësishëm, është edhe mungesa e emrit dhe e datave të Nënë Terezës. Në bazamentin, në të cilin është vendosur shtatorja, nuk ka të shkruar asgjë. E vetmja e dhënë për të është disa metra më poshtë, ku në një hapësirë të gjelbër shkruhet me bar: "Sheshi Nënë Tereza".
Ndoshta kjo gjendje e shtatores është provizore dhe në një të ardhme diçka do të ndryshojë. Jo për sa i takon realizimit artistik të veprës (pasi tashmë, mirë apo keq është përfunduar), por kushteve të saj. Me nisjen e projektit "Parku i ri i korpusit", është parashikuar një rikonceptim i gjithë elementeve të Universitetit dhe një pjesë të Parkut të Liqenit. E në këtë kuadër, dikush mund të kujtohet edhe për "Nënë Terezën".