E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poeti mirditor dekorohet nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi

Gjok Beci, "Mjeshtër i Madh i Punës" në 70-vjetor


Nuk ka kaluar jashtë vëmendjes së autoritetit më të lartë të shtetit shqiptar, krijimtaria e poetit mirditor, Gjok Beci. Këto ditë ai është dekoruar me titullin e lartë "Mjeshtër i Madh i Punës".


Për të dhënë këtë vlerësim të Presidentit të Republikës Bamir Topi, Bashkia Rrëshen dhe Pallati i Kulturës "Mirdita", organizuan një ceremoni që përkonte me 70-vjetorin e lindjes së Gjok Becit. U promovuan edhe dy libra të rinj të autorit, "Antologjia e shpirtit tim" dhe "Thuaj vetes ec..."


Të dërguarit e Presidentit, Tom Preku dhe Agron Gjekmarkaj, lexuan motivacionin e këtij titulli. Më pas u mbajt një koncert-spektakël me vargjet e Becit. Me plot emocion u përcoll përshëndetja e kryetarit të Bashkisë Rrëshen, Gjon Deda. Ndërsa deputeti Mark Marku, solli copëza kujtimesh nga kontakti i parë me autorin, duke shtuar se ai na ka dhënë besim, kur ishte shumë e vështirë të besoje në diçka, përmendi disa nga librat e Fishtës dhuratë nga dora e poetit të shquar, në vitet e izolimit të madh.


Ai ka përgëzuar vendimin e Presidentit për këtë dekorim, duke e quajtur një vlerësim për tërë kulturën e Mirditës. Krijimtaria e tij zë fill 40 vjet më parë, kur publikoi vëllimin poetik "Kur zgjohen bjeshkët" (1970) dhe njëzet vjet më vonë boton vëllimin "Zambaku im" (1990). Siç shihet, për Gjok Becin ka pasur një kohë kur iu ndalua të botonte, nuk do të dilte me këngët e tij në festivalet kombëtare të folkut dhe muzikës popullore të përpunuar, - nuk do të mund të dëgjohej më në festivalet e muzikës së lehtë në RTV shqiptar, - dhe nuk mundi të botojë poezi në shtypin letrar.


Grupi organizator kishte menduar dhe për një tortë në fund të programit, në formën e një libri të hapur, ku shkruhej "Edhe 100 pranvera Gjok Beci, nga Mirdita juaj", stilizuar dhe një pentagram mbi tortën e bardhë.
Bashkë me Gjok Becin, një tjetër artist nga Mirdita, kantautori Mark Gjoka, është vlerësuar me "Naim Frashëri i argjendtë".


Muzika klasike zbret në Durrës


Festivali "Netët e muzikës klasike" çel nesër në mbrëmje edicionin e tij të katërt. Në katedralen "Shën Luçia", në qytetin e Durrësit, interpretojnë në orën 20:00 nën siglën "Nata e muzikës baroke" katër instrumentistët, Suela Piciri (violinë), Blerina Foto (violinë), Arben Llozi (violë) dhe Arben Skënderi (violonçel). Në program J. Pachelbel "Kanon për kuartet harqesh", J. S Bach "Arie për kuartet harqesh", P. Pereiro "Trancsripsion del preludio" si dhe J. Haydn "Pjesë për kuartet".
Festivali "Netët e muzikës klasike" është një aktivitet që zhvillohet një herë në dy vjet, nën drejtimin e violinistit Florian Vlashi.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›