E Shtunë, 31 Tetor 2026

Austria dhe Franca dërgojnë ndihma për përmbytjet në Shkodër

 Austria dhe Franca kanë dërguar dje ndihma për përmbytjet në Shkodër. Ambasadori i Austrisë, Florian Raunig, dhe Ambasadorja e Francës, Maryse Daviet ishin mbrëmë të pranishme në aeroportin e Rinasit ku mbërritën ndihmat. I pranishëm ishte gjithashtu edhe Shefi i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Helmuth Lohan. “Austria do të dhurojë 8 gjeneratorë, 5 pompa të kapacitetit të lartë dhe Franca do të dhurojë 11 pompa të kapacitetit të lartë. Skuadra e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile e dërguar në Shqipëri të premten që shkoi me një kërkesë të qeverisë shqiptare, do të jetë njësia menaxhuese dhe gjithashtu do të ndihmojë autoritetet shqiptare në pritjen e ndihmës nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së Komisionit Evropian. Qendra e Monitorimit dhe Informacionit (MIC) drejtohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Mjedisit e Komisionit Evropian. Ajo është zemra që vë në funksionim Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Komunitetit. Ajo shërben 24 orë në ditë dhe iu krijon vendeve mundësinë e shfrytëzimit të platformës  së mbrojtjes civile të komunitetit. çdo vend që përballet me fatkeqësi madhore – brenda apo jashtë Bashkimit Evropian-mund të bëjë një kërkesë për ndihmë nëpërmjet Qendrës së Monitorimit dhe Informacionit. Disa prej vendeve të BE-së dhe të rajonit kanë ofruar ndihmat e tyre për t’i ardhur banorëve në zonat e përmbytura. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›