“Shqiptari nuk njeh art e politikë, por vetëm nderin”
Alma Mile Pjesën më të madhe të jetës së tij e shkoi duke udhëtuar. Shkroi libra për Amerikën, Kanadanë, Marokun, Algjerinë, madje edhe për Siberinë e Mançurinë. Një ndër librat më interesantë që shkrimtari britanik John Foster Fraser (1868-1936) shkroi gjatë jetës së tij është “Pictures from the Balkans” (“Pamje nga Ballkani”), i cili daton në vitin 1906. Një libër prej rreth 500 faqesh, ku veç të tjerash shkruan dhe për Shqipërinë e shqiptarët. Kjo pjesë, e titulluar “Shqipëria e poshtme”, vjen tashmë edhe për lexuesin shqiptar, përmes shtëpisë botuese “Zenit” dhe përkthimit të Azem Qazimit. është libër që lexohet për një frymë, jo vetëm për shkak të numrit të vogël të faqeve, por edhe mënyrës se si autori e ka ndërtuar. Fraser shkruan atë çka sheh, por edhe atë që i thonë. Jo çdo gjë duhet marrë si e vërteta absolute, duke qenë se bëhet fjalë për vitet e para të shek. XX dhe informacioni që ai ka pasur rreth Shqipërisë ka qenë sigurisht i mangët. Megjithatë ai sjell një informacion të vlefshëm, për mënyrën e jetesës, për urbanistikën, për zakonet e shqiptarëve, për kostumografinë, gjuhën, çka besonin e jo. Ndonjëherë e shkruar edhe me një gjuhë sarkastike, që të bën padyshim të vësh buzën në gaz. Nuk i kursen fare shqiptarët kur flet për gjakmarrjen, për grindjet me njëri-tjetrin, për prapambetjen, etj, por vlerëson pamjen e tyre, sqimën që kanë për veshjen, burrërinë, nderin, etj. Shënimet e tij të udhëtimit, Fraser i shoqëron edhe me fotografi, të cilat ai i ka realizuar vetë, teksa përshkonte viset shqiptare. Në to paraqiten peizazhe malore, fshatarë e zotërinj shqiptarë me veshjet e tyre karakteristike, pamje nga pazaret e sheshet, të cilat përpos pjesës së shkruar, na sjellin një tjetër informacion për mënyrën e jetesës në fillimshekullin e XX-të. “Populli që të bie më shumë në sy janë shqiptarët. Burrat janë shtatlartë dhe zeshkanë, me tipare të pashme dhe të rregullta. Atje dhe, në të vërtetë, në të gjithë vendin, shqiptari më la përshtypjen e një sqimatari. Ai dëshiron që xhamadani i tij të jetë i qëndisur me serm e flori. Zakonisht, fustanella e tij është borë e bardhë. Opingat, rëndom prej lëkure të kuqe, kanë nga një xhufkë të madhe në majë ... për të cilën shqiptari mendon se është pjesë veçanërisht e rëndësishme e “kapardisjes” së tij”, shkruan Fraser në librin e tij. “Shqipëria e Poshtme” bën pjesë në koleksionin “Memorie” të Botimeve Zenit, e paraprirë nga vepra “Shqiptarët” e Mit’hat Frashërit. Për botuesin Krenar Zejno, të tilla vepra i shërbejnë njohjes së shqiptarëve me vendin e tyre nën optikën e atyre studiuesve, etnologëve, ballkanologëve, artistëve e poetëve mes të cilëve edhe Byron, Edëard Lear, Dora D’Istria, që përmes udhëtimeve, syrit observator, me dashurinë herë për faktin e vërtetë e herë për Shqipërinë, kanë bërë që kjo të njihet aq shumë prej tyre sa edhe Rilindjes shqiptare. “Përtej kësaj ndihmesa për etnologjinë, kostumografinë, historinë, antropologjinë e më tej janë të pallogaritshme duke i dhënë material dhe gjithë trajtimeve të mëvonshme të albanologjisë dhe deri artit si pasqyrim dhe memuar i peizazhit, relievit dhe etnosit shqiptar nga artistë të mëdhenj si Delacroix, Leon Gerome, etj., apo anasjellas”, - thotë ai.Pjesë nga vepra:Gjithkund vërehet një bujari e rreptë. Një femër mund të udhëtojë e sigurt nëpër Shqipëri vetëm falë dobësisë së saj. Megjithatë, shqiptari do të ngurronte të qëllonte një burrë për një fyerje të paqenë, aq sa do të ngurronte të qëllonte një qen që i leh. Ekziston një mëvetësi e ashpër.Shqiptari nuk ka as art, as letërsi, as politikë kombëtare, as ndonjë “çështje shqiptare”, as individualitet si shqiptar përkundrejt racave fqinje – ai nuk njeh asgjë, veç nderit, të cilin e ka shenjtëruar mbi gjithçka. Por nderit të tij ama i përmbahet fort. Ai nuk është hajn – ndonëse gëzon të drejtën të përvetësojë sendet e të vrarit. Ai nuk do të përfitonte kurrë nga epërsia për të plaçkitur një njeri të paarmatosur. Kjo do t’ia cenonte keqas nderin. Nuk do të prekte kurrë një femër, sepse sipas ligjit tradicional, ai ka të drejtë të qëllojë një burrë që ngatërrohet me gratë e fisit të tij. Kështu që, ai i mban sytë e duart larg prej grave të të tjerëve. Nuk ka frikë nga pasojat – vërshëllima e plumbave nuk e frikëson shqiptarin – por nga njollosja e nderit të tij, sepse duke sulmuar një femër ai, në të vërtetë, ka sulmuar dikë që s’mund të marrë hak.Fjala e shqiptarit ka më shumë peshë se sa ujdia me të. Nga përvoja e di se kur një shqiptar të thotë për ndonjë gjë “Do ta bëj”, ai do ta bëjë se s’bën atë. Ai do t’ju gënjejë si pa gjë të keq, duke u përpjekur që të përfitojë sa më shumë që të jetë e mundur, sepse është i bindur se edhe ju po e gënjeni dhe se, prandaj, jeni të larë bashkë. Me t’u mbyllur ujdia, ai i kthehet rishmë nderit të tij, dhe për hir të vetes dhe jo për hirin tuaj, ai është i ndershëm...* * *Kur shqiptarët të pushojnë gjakmarrjen e tyre, të reshtin luftën midis fiseve dhe të bashkohen në një komb, Elbasani do të jetë kryeqyteti i tyre. është qyteti më i rëndësishëm në Shqipëri. Por për këtë ka pak gjasa, gjersa të rrjedhë ende ky gjak në damarët e këtyre luftëtarëve të malit. Si të gjithë malësorët e botës, ata janë shumë më të pavarur, mospërfillës dhe madje agresivë, sesa fusharakët. Më në veri, në zonën e Dibrës, jeta e një turku nuk vlen më shumë sesa një mexhite, kaq e fortë është urrejtja e shqiptarëve të asaj ane. Në jug mllefi kundër fuqisë pushtuese nuk është aq e fortë, madje ai dobësohet sa më në jug të zbresësh, aq sa në kufi me Greqinë, praktikisht humbet fare...Armiqësitë e fiseve ishin aq shqetësuese, sa vetëm ca vite më parë, disa bejlerë të mëdhenj u takuan në Elbasan dhe bënë armëpushim. Urdhri që të mos qëllohej menjëherë pjesëtari i fisit rival, pati ndikimin e vet për njëfarë kohe. Megjithatë, nuk ka zot që e detyron shqiptarin të mos sillet si shqiptar. Tani koha e armëpushimit kishte skaduar, ndaj dhe luftimet guerile ishin krejt të zakonshme...Fiset shqiptare, jo vetëm që janë në konflikt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin -po të ishin në gjendje të bashkoheshin forcat, ata do t’i qëronin turqit nga Shqipëria brenda një viti- por edhe pjesëtarët e të njëjtit fis janë gjithnjë të zënë nga gjakmarrjet. Shqiptarët vdesin rrallë prej sëmundjeve, ngase shumica e tyre vdesin nga ndryshimet e mendimeve. Kur një burrë vret armikun e vet duhet të strehohet në male, sepse njeriu më i afërt i të vrarit e ka për detyrë të rrëmbejë armët dhe ta ndjekë vrasësin, derisa ta vrasë atë. Ngandonjëherë ndodh që të vritet edhe vetë ndjekësi. Paskëtaj, familja e të vrarit i shpall luftë familjes së burrit që qëlloi i pari. Kësisoj nis gjakmarrja, e cila vazhdon për vite e vite të tëra. Ndeshja ballë për ballë nuk është e nevojshme. Një plumb që prapa një pole, apo një goditje me thikë mes shpatullave në terrin e natës janë metodat e përhershme, me anë të të cilave shpaguhet e keqja. Të shohësh një shqiptar të vrarë nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme; në të vërtetë është aq e zakonshme, sa shqiptarët e konsiderojnë këtë si një gjë fare të natyrshme. Ata nuk e kanë fare haberin e gjykatave. Instinktet e tyre janë primitive: kur dikush të fyen, ti duhet ta heqësh qafe.Elbasani është një qytet me ndonja njëzet mijë banorë. Aty ka boll hapësirë për t’u grindur. Vrasja në rrugë është më e zakontë se sa grindjet në rrugët e ndonjë qyteti anglez të shtunave mbrëma. Komandanti i policisë, një turk, më tha se çdo javë aty shënoheshin njëzetë, apo tridhjeta vrasje. Ai shtoi se autoritetet nuk arrinin të arrestonin dhe të burgosnin as një ndër dhjetë vrasës. Kjo nuk është nga ato “lojëra”, ku turqve u pëlqen të përzihen. Kur vritet një burrë, miqtë e tij duan t’i qërojnë vetë hesapet me vrasësin, por nëse atë e flakin në burg, ata nuk janë të vetmit që i marrin zët turqit furacakë, sepse edhe miqtë e të arrestuarit ankohen se atij nuk i është lejuar të bëjë një lojë të pastër, pra të arratiset apo të provojë fatin e tij. Që të mos zgjatemi, autoritetet turke i tmerron ideja e një revolte të shqiptarëve. Ata janë gati të bëjnë gjithçka për të ruajtur paqen dhe qetësinë. Kjo e shpjegon edhe arsyen përse ata nuk orvaten dhe aq fort për të mbledhur taksat, të cilat u vilen një për një nënshtetasve të tjerë turq. Edhe sikur shqiptari të vrasë ndonjë turk, autoritetet e mbyllin njërin sy, duke thënë se shkak qe bërë një provokim tepër i rëndë. Sulltani i ka bërë për vete shqiptarët, sepse rojën e tij personale në Kostandinopojë e ka të përbërë prej shqiptarësh. Ai zbut fuqinë e bejlerëve duke i ftuar në Kostandinopojë dhe duke ua mbushur gjokset me dekorata. Zakonisht çdo burrë mban në brez dy kama. Gratë, të mbuluara thuajse krejtësisht me të zeza, shkasin me sytë përdhe. Po qe se ndonjë mashkull është aq i marrë sa t’ia hedhë sytë ndonjërës prej këtyre zonjave, atë e pret një vdekje e shpejtë dhe e beftë nga shishi i të afërmve të saj. Nëse edhe asaj i pëlqen e nis e i hedh vështrime të ëmbla, atëherë vriten që të dy. Unë nuk e provova vetë, por më siguruan se Elbasani është qyteti më i rrezikshëm në tërë Evropën për të bërë dashuriçka. Mos mendoni se elbasanllinjtë nuk kanë punë tjetër, pos grindjeve. Këtu prodhohet një prej mëndafsheve më të mirë të Evropës. Të gjitha fushat përreth janë të mbjella me mana, në të cilët kultivohen krimbat e mëndafshit. Nuk ka fabrika të mëdha dhe përpunimi bëhet nga shtëpiaket, të cilat endin duke kaluar sovajkën dorë më dorë. Pëlhura nuk është aq e dendur sa ajo që prodhohet me makineritë moderne në Francë, ndaj dhe është e pamundur të përftohet një copë më e gjerë se sa 91 centimetra. Por mëndafshi shqiptar ka një cilësi dhe veçanti, që nuk e ka asnjë mëndafsh tjetër. Se ç’çmim do të kapte në tregun evropian, unë nuk mund ta them; por në Elbasan sigurova cohën më të mirë të mundshme për rreth dy shilinga metrin, një çmim ky, që gjithsesi, dyfish më i lartë se ai që do të kishte paguar një shqiptar. * * *Fiset e Shqipërisë nuk kanë një fe të përbashkët. Disa janë të besimit mysliman dhe disa të krishterë. Brenda fisit mund të gjenden që të dy besimet. Më i rëndësishmi nga fiset e Veriut, mirditorët, janë të krishterë: katolikë romanë. Në Jug, shqiptarët janë të krishterë dhe, duke qenë në kufi me grekët, kanë përqafur Kishën Ortodokse. Shqiptari mysliman është nën ndikimin e fqinjëve të tij të krishterë. Ai pi verë dhe është veçanërisht i dhënë pas birrës – më rastisi të gjej edhe shishe birre nga Mynihu – dhe betohet në emër të Virgjëreshës.Shqiptari është i paditur dhe besëtytë. Ai beson se ndër kodra banojnë demonë dhe është i bindur se të huajt, veçanërisht italianët, duan të dëbojnë turqit vetëm për t’u zënë vendin. Ata e urrejnë sundimin, prandaj do të duronin më mirë sundimin formal turk, se sa sundimin e rreptë italian a austriak. Bujqësia është e prapambetur, dhe ajo ushtrohet pa ndonjë qëllim tjetër, pos plotësimit të nevojave të sotpërsotshme. Nuk prodhohet asgjë, përveç do endëzave të vogla prej mëndafshi në Elbasan. Sa për tregtinë, atë nuk e kuptojnë fare...* * *E vërteta është se shqiptari ngre dorë kundër çdo turku, sepse ai është armiku i tij i trashëguar. Por ai nuk ka asgjë kundër evropianëve. Dhe, sigurisht nuk ka asgjë kundër askujt që vjen nga Anglia. Në mendjen e shqiptarëve ekziston një besim i patundur se Anglia është mike e vendit të tyre. Fola me shumë fshatarë; dhe megjithëse në fillim nuk dinin në isha austriak, gjerman, italian, apo francez, në çastin që e morën vesh që vija nga Anglia vura re një ndryshim sjelljeje dhe një farë meraku për të më nderuar. Mund të thuhet se për turqit të gjithë shqiptarët janë kaçakë. Edhe pse kaçakët gjendeshin në kodra, unë isha fare i sigurt se nuk kishin qëllime të këqija kundrejt meje, sepse, megjithëse shqiptari mund t’ju vrasë, ai nuk do t’ju grabisë. Po qe se unë dhe dragomani im do të kishim vënë fesin turk, druaj se do të ishim pjekur me kaçakët. Por malësorët, që mund të na kishin vëzhguar që larg, e dinin shumë mirë se ai që kalonte nëpër vendin e tyre ishte evropian, ndaj dhe nuk dëshironin që ta ngisnin. Më zbaviste mendimi se, në vend që ushtarët turq të më ruanin nga ndonjë sulm, isha unë ai që po i ruante ata nga batareja e pushkëve shqiptare...Edhe pse shqiptari do të dëshironte të flakte tej varësinë, qoftë dhe formale, nga Turqia, është pikërisht kjo varësi që pengon që vendi të kthehet në një arenë vrasjesh dhe plaçkitjesh ndërmjet fiseve, dhe ajo që mban larg italianët, të cilët s’ka dyshim që duan të pushtojnë vendin. Kështu, Shqipëria nuk ka ndonjë peshë të madhe në problemin ballkanik. Sigurisht, me anë të një kryengritje të përgjithshme, ata do mund të vinin në pozitë të vështirë turqit. Por për sa kohë janë të përçarë, nuk kanë asnjë ndikim politik...* * *Do të ishte e pazakontë që në një vend luftarak të mos ndodhnin akte dhune. Konsulli i parë që u dërgua nga Serbia në Prishtinë u vra nga shqiptarët pas gjashtë muajsh, sepse nuk pranoi të largohej pas ultimatumit të tyre. Meqë nuk u pëlqenin, ata dëbuan guvernatorët turq të Prishtinës dhe të Prizrenit. Autoritetet turke nuk ua vunë re. Tre shqiptarë fisnikë në Nish, pas një dreke të bollshme, rrëmbyen armët, dhe filluan të qëllojnë mbi bujqit. Një u vra në vend, kurse një tjetër u plagos. Disa ditë më vonë, dy prej tyre përdhunuan gruan shtatzënë të një bujku tjetër. Ata mblodhën disa fëmijë përreth një zjarri të madh, i detyruan të uleshin dhe pastaj, pasi u armatosën me lopata, u hodhën prush mbi krahë e këmbë. Sofia, një komit shqiptar, prijës i një çete prej dhjetë burrash, i kërkoi kryetarit të Bashkisë së Doumuntzé-së 575 franga haraç për një fshat, duke e paralajmëruar se po të mos e paguante ai do ta digjte fshatin. Sofia kërkoi saktësisht të njëjtën shumë si haraç edhe vitin në vazhdim. Në të njëjtën kohë, ai, nën kërcënimin e vdekjes, e detyroi një pasunar, të cilin e kishte rrëmbyer një vit më parë, që të paguante një haraç të dytë prej 575 frangash. Në fund, kryetari i bashkisë, nën kërcënimin e vdekjes, u detyrua t’i jepte pesëdhjetë duzina me fishekë martine. Në një vresht pranë Shkupit, një i krishterë kaloi afër një çete prej pesëmbëdhjetë shqiptarësh myslimanë, të cilët tymosnin dhe pinin kafe. Njëri prej tyre tha: “Si thoni, ta vrasim?” Dhe e vranë.