“Vrau” policët, Akuza: 25 vjet burg Ilir Pajës
TIRANE – Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dje një çerek shekulli burg për Ilir Pajën, të akuzuar për vrasjen e mbetur në tentativë të një agjenti policie. Gjykata për Krimet e Rënda u njoh dje me konkluzionet përfundimtare të akuzës në lidhje me ngjarjen e 6 marsit 2008, ku një agjent i Grupit Operacional Special u plagos rëndë nga Paja, në aksionin për arrestimin e tij. Sipas prokurorit të çështjes, organi i akuzës, ka provuar fajësinë e të pandehurit. Në përfundim nga ana e prokurorisë u kërkua deklarimi fajtor i të pandehurit Paja, për akuzën “vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentative” e “armëmbajtjes pa leje” dhe dënimin e tij me 25 vjet heqje lirie. Burime pranë seancës bënë të ditur se Paja ka nisur të reagojë me fjalë ndaj kërkesës së prokurorisë, por nga kryesuesi i seancës i është pohuar që pretendimet e tij t’i shfaqë gjatë konkluzioneve të mbrojtjes. Para arrestimit në 2008-ën Paja ishte në kërkim ndërkombëtar për vepra penale të kryera në Gjermani dhe Itali dhe kishte “fituar” nofkën “UFO”, për shkak të dy arratisjeve spektakolare nga burgjet italiane. Në mars ’08 ai u pa duke lëvizur në Tiranë nga agjentë të GOS-it. Gjatë aksionit për arrestim ai përplasi me makinë një nga agjentët speciale. “Sapo ka parë policët që po i drejtoheshin atij, Ilir Paja ka reaguar duke lëvizur makinën indietro me shpejtësi. Ai ka marrë poshtë motorin e agjentit B.H, ndërsa mjeti ka vazhduar lëvizjen duke kaluar trafik ndarësen dhe duke mbajtur nën vete zvarrë, motorin dhe agjentin e policisë”, thuhej në kërkesën për gjykim. ar.ba