Austria e Lituania hyjnë në sherr për një ish- spiun të KGB-së
Austria ka vendosur që të lirojë një ish- zyrtar të KGB-së ruse, Mikhail Golovatov. Një veprim i tillë ka tërbuar Lituaninë, e cila është shprehur se kjo tregon se Rusia ka ndërhyrë për lirimin e tij. Ministri i Drejtësisë i këtij vendi, tha se lirimi i Golovatov tregon se BE nuk është e bashkuar.
62 vjeçari Golovatov ishte shefi i forcave speciale Alfa, që sulmuan në vitin 1991 godinën e televizionit shtetëror në Vilnius të Lituanisë, duke vrarë 14 persona e duke plagosur qindra, pikërisht sapo shteti balltik kishte shpallur pavarësinë nga Bashkimi Sovjetik.
Në vitin 2010, prokurorët lituanezë lëshuan një urdhër arresti evropian për Golovatov, çka solli arrestimin e tij në Austri më 14 korrik. Por pas më pak se 24 orësh, ai u lirua.
Veprimi acaroi ndjeshëm Lituaninë, që kishte kërkuar ekstradimin. Ambasadori rus thuhet se ka negociuar lirimin e tij. Madje një deputet austriak thotë se Rusia kishte kërcënuar Austrinë me sanksione politike e ekonomikë nëse nuk lirohej Golovatov.
Disa shtete që kanë ndjerë dorën e ashpër të KGB-së, kanë dalë në mbrojtje të Lituanisë.
Vetë Golovatov thotë se në atë kohë ai thjesht ka zbatuar urdhrat e Mikail Gorbaçev si një ushtar që ishte.