E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria Skandal me koncesionin për pullat e akcizës

Ekzekutivi nxjerr VKM në kundërshtim me ligjin duke i dhënë koncensionin e pullave të akcizës një kompanie te huaj. Ligji: Pullat e akcizës, monopol i shtetit

TIRANË- Qeveria dhunon përsëri në mënyrë flagrante ligjin duke shënuar kështu shkeljen e radhës.
Rasti më i fundit ka të bëjë me një Vendim të Këshillit të Ministrave për dhënien me koncesion një kompanie të huaj të drejtën për prodhimin dhe kontrollin e pullave fiskale në Republikën e Shqipërisë. Kompania quhet Sicpa Security Solutions" SA dhe vendimi i ekzekutivit mban datën 2 shtator 2009.
Shkelja qëndron në faktin se vendimi është marrë në kundërshtim të plotë me ligjin "Për akcizat". Në pikën 3 të nenit 24 të tij përcaktohet qartë se, shteti është i vetmi prodhues dhe kontrollor i pullave të akcizës, duke njohur monopolin e tij në këtë sektor. "Pullat e akcizës janë letra me vlerë dhe monopol shtetëror", - citohet në të.
Nuk mbaron me kaq, duke parë se vendimi i datës 2 shtator për "Përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncension të prodhimit e të kontrollit të pullave fiskale dhe miratimin e bonusit në procedurën përzgjedhëse për "Sicpa Security Solutions" SA", ishte marrë duke shkelur ligjn për "Akcizat", qeveria i rikthehet edhe njëherë kësaj çështjeje tre muaj më vonë.
Në mbledhjen e datës 11 dhjetor 2009, Këshilli i Ministrave miraton ndryshimin e ligjit "Për akcizat" duke e ligjëruar shkeljen e kryer tre muaj më parë. Megjithëse vendimi i datës 2 shtator ishte marrë në shkelje të ligjit, kompanisë së huaj i ishte njohur e drejta e koncesionit.
Ekzekutivi ka menduar ta rregullojë në një mënyrë tjetër gabimin e bërë. Është zgjedhur rruga më e shkurter. Në fillim i është dhënë koncesioni kompanisë, pastaj ligji është përpiluar në atë mënyrë për t'i shërbyer asaj.
Kështu, më datë 11.12.2009 qeveria i propozon kuvendit ndryshimin e ligjit "Për akcizat". Tashmë ekzekutivi kërkon ta ligjërojë në Kuvend shkeljen e kryer me miratimin e koncesionit. Pas pikës 3 të nenit 24 të ligjit , "Për akcizat", ku përcaktohet qartë monopoli i shtetit në prodhimin dhe kontrollin e pullave të akcizave, qeveria propozon shtimin e një pike tjetër me këtë përmbajtje: "Në rastet kur Këshilli i Ministrave vendos të ofrojë me koncesion pjesë apo të gjithë veprimtarinë, që lidhet me pullat e akcizës, përfshirë edhe kontrollin e tyre, atëherë kontrata koncesionare miratohet nga Kuvendi".
Ose që në fillim vendimi i marrë për dhënien e koncesionit në kundërshtim me ligjin është një shkelje e kryer nga paaftësia ose ai është miratuar qëllimisht në atë mënyrë, për të favorizuar kompani të caktuara në këtë proces.

Ligji "Për akcizat"

Neni 24

Përkufizimi i pullës së akcizës
1. Pulla e akcizës nënkupton një shirit unik të përgatitur sipas përcaktimeve të
udhëzimit të Ministrit të Financave, në zbatim të këtij ligji, që përmban një ose
disa nga treguesit e mëposhtëm:
a. faktin që është paguar akciza për mallrat e akcizës;
b. tarifën e akcizës së paguar;
c. shumën e akcizës së paguar;
ç. çastin e pagimit të akcizës;
d. faktin që shitja e mallrave të akcizës;
i. është e lejueshme vetëm në datat e treguara në pullë;
ii. nuk është e lejueshmenë ose pas datës së treguar në pullë;
iii. nuk është e lejueshme në ose përpara datës së treguar në këtë pullë;
dh) tipin e mallrave ose emrin e markës së mallrave për të cilat duhej të
paguhej akciza;
2. Udhëzimet e Ministrit të Financave, në zbatim të këtij ligji, mund të ofrojnë
dispozita të posaçme për:
a. përmbajtjen e printuar të pullës së akcizës;
b. pamjen e pullës së akcizës;
c. tipin dhe cilësinë e materialit nga i cili bëhet pulla;
ç. shtresën ku duhet të ngjitet pulla, në rastin e mallrave të akcizës që kanë më
shumë se një shtresë ambalazhimi;
d. pozicionimin e pullës në ambalazhimin e çdo malli akcize të përcaktuar;
dh) kohën kur mallra akcize të specifikuara duhet të pajisen me pullë akcize;
e. kushtet dhe kriteret e kufizimit të dhënies së pullave, të përcaktuara në pikën 3
të nenit 26;
ë) rastet e përjashtimit të pagesës nëpërmjet deklarimit, të përcaktuar në nenin
28.
3. Pullat e akcizës janë letra me vlerë dhe monopol shtetëror.

Vendimi i datës 02.09.2009

V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT KONTRAKTUES, PËR DHËNIEN ME KONCESION TË PRODHIMIT E TË KONTROLLIT TË PULLAVE FISKALE, DHE MIRATIMIN E BONUSIT, NË PROCEDURËN PËRZGJEDHËSE KONKURRUESE, QË I JEPET SHOQËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 3, e 23, pika 3, shkronja "b", të ligjit nr.9663, datë 18.12.2006, "Për koncesionet", me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I :
1.Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurës ligjore, për dhënien me koncesion të prodhimit e të kontrollit të pullave fiskale, është Ministria e Financave.

2. Miratimin e bonusit prej 5 për qind të pikëve, për rezultatin, teknik e financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse (propozim i pakërkuar), që i jepet "Sicpa Security Solutions", SA.

3. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Ndryshimi i bërë më datë 11.12.2009

PROJEKTLI GJ
PËR
NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8976, DATË 12.12.2002, "PËR AKCIZAT", TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78, pika 1, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

V E N D O S I:
Neni 1
Pas pikës 3, të nenit 24, të ligjit nr.8976, datë 12.12.2002, "Për akcizat", të ndryshuar, shtohet pika 4, me këtë përmbajtje:
"4. Në rastet kur Këshilli i Ministrave vendos të ofrojë me koncesion pjesë apo të gjithë veprimtarinë, që lidhet me pullat e akcizës, përfshirë edhe kontrollin e tyre, atëherë kontrata koncesionare miratohet nga
Kuvendi.".
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në "Fletoren zyrtare".

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›