E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërtuesit - Berishës: Ndërprit akuzat dhe na jep paratë

Qeveria iu ka borxh kompanive 70 milionë euro për punime të kryera gjatë vitit 2008 dhe muajve të fushatës 2009

Shoqate e Ndërtuesve kërcënoi së do të ndëpresë punën në kantiere nëse nuk përfundojnë akuzat ndaj tyre

TIRANË- Sulmet e vazhdueshme të Kryeministrit Sali Berisha ndaj biznesmenëve të ndryshëm në vend kombinuar me mosshlyerjen e detyrimeve për investimet publike të kryera tashmë kanë bërë që ndërtuesit të humbasin durimin. Në një dalje publike gjatë ditës së djeshme, kreu i Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, Maksim Muçi, i paralajmëroi ekzekutivin se nëse nuk përfundojnë sulmet politike ndaj biznesit por edhe nëse kompanitë nuk marrin paratë për invetimet e kryera gjatë viteve 2008-2009 ata do të ndërpresin aktivitetin për një muaj në të gjitha kantierët ku është duke u punuar. Për disa javë me radhë, kryeministri Sali Berisha por edhe përfaqësues të tjerë të maxhorancës, kanë etiketuar biznesmenë të ndryshëm si të lidhur me mafian duke i clësuar ata si pjesë e kupolës punisto-mafioze.
"Përfaqesuesve të veçantë të biznesit po u bëjnë etiketime të ndryshme për interesa politike dhe jo në rrugë korrekte, administrative e ligjore. Ne kërkojmë të ndërpritet arbitrariteti, dhe në mënyrë të prerë qëndrimi ndaj biznesit të jetë vetëm ligjor. Etiketimet politike dhe jo ligjore, dëmtojnë rëndë biznesin e klimën e tij, aq më tepër në kushtet e krizës reale",- tha Muçi.
Krahas kësaj, ndërtuesit kërkuan nga qeveria që të shlyejë të gjitha detyrimet që ajo ka ndaj ndërtuesve për investime të kryera gjatë fundit të vitit 2008 dhe muajve të fushatës elektorale të vitit 2009. "Në rast të mospërmbushjes së kërkesave, propozojmë që shoqata të ndërmarrë masa për ndërprerjen e punës për një muaj në kantierët e anëtarëve të saj dhe si rrjedhojë mosderdhjen e asnjë detyrimi për këtë periudhë",- shtoi ai. Borxhi i qeverisë ndaj ndërtuesve i akumuluar gjatë kësaj periudhe kap shifrat e 70 milionë eurove.
Krahas mungesës së likuiditeve ngërçi në mospagesa është kthyer në një pengesë ndaj tyre për pjesëmarrjen në tendera. Një vendim i qeverisë që ka hyrë në fuqi më datë 6 tetor u ndalon atyre pjesëmarrjen në tendere publik nëse nuk kanë përfunduar 70 për qind të volumit të punës që janë duke kryer. Për shkak se nuk janë dhënë paratë, një pjesë e invetimeve nuk janë përfunduar ende duke i penalizuar ata në këtë rast.
Mendohet se qeveria do të kalojë për fillimin e vitit tjetër shlyerjen e kompanive, një zgjidhje kjo në kushtet kur në buxhet mungojnë paratë. Sipas të dhënave zytare të Ministrisë së Financave, gjatë muajve Janar-Nëntor 2009 në zërin e të ardhurave në buxhetin e shtetit mungojnë rreth 22.3 miliardë lekë.
Vazhdimisht ndërtuesit kanë i kanë bërë thirrje politikës që të mos bëhet pengesë për ushtrimin e aktivitetit të tyrë. Kjo është e disata dalje publike e Shoqatës së Ndërtuesve gjatë javëve te fundit për shkak edhe të acarimit të klimës politike në vend ku pjesë e akuzave kanë qënë edhe anëtarë të saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›