Autobusë nga rrethet me pjesëmarrës në protestën e PS-së

TIRANE - Partia Socialiste për të realizuar shfrytëzimin deri në fund të tragjedisë së Gërdecit, kishte bërë kujdes që të sillte dhjetëra autobusë me mbështetës nga rrethet. Duke marrë shkas nga një ngjarje e hidhur dhe e rëndë për mbarë kombin, e majta socialiste, në vend që të shprehë solidaritet dhe të ngushëllojë familjet e prekura nga tragjedia e 15 marsit 2008 dhe njëherazi të organizojë nisma që t’u vijnë në ndihmë të prekurve, demostron tubime, duke manipuluar njerëzit në mbarë vendin dhe njëherazi duke shfrytëzuar banorët e fshatit të Gërdecit, të cilët janë më të keqpërdorurit gjatë gjithë këtyre muajve nga PS dhe xhufka e aktivëve të G 99-ës, të sektit baptist të Erjon Velisë.
Në mënyrë tepër shpërfillëse, PS-ja shkelën mbi kodin moral të shqiptarëve, dhe pikërisht ditën përkujtimore të 1-vjetorit të tragjedisë, mblodhën njerëz nga disa qytete të kontrolluara nga servilë dhe hispanikë kryebashkiakë të Edvin Ramës, me qëllim mbushjen e rrugëve dhe bulevardeve të Tiranës, në shenjë presioni ndaj qeverisë dhe sigurisht nisjen e fushatës elektorale, bash me disa retorika qesharake dhe absurde të Edvinit, që i adresoheshin qeverisë “Berisha”.
Kësisoj, të dështuar totalisht dhe me një audiencë publike në rënie të vazhdueshme, PS, me aktivët e sektit baptist G 99, mblodhën njerëz nga qytete si Berati, Vlora, Fieri, Skrapari dhe Elbasani, saqë vargëzimi i autobusëve kishte bllokuar thuajse plotësisht rrugët ndërlidhëse të Tiranës së Re, duke filluar nga stadiumi “Dinamo”.