ZMK-ja denoncon para bashkisë së Tiranës aferat korruptive me lejet e ndërtimit, që Rama ia ka dhënë firmës që shkaktoi Gërdecin

TIRANE - Zyra për Mbrojtjen e Konsumatori ka organizuar dje një protestë para bashkisë së Tiranës për të kërkuar nga kryebashkiaku Edi Rama që të zbardhë aferat e
tij korruptive me biznesmenin Mihal Delijorgji, i akuzuari kryesor për tragjedinë
e Gërdecit.
Kreu i ZMK-së, Altin Goxhaj, tha se është e papranueshme që ndërsa shumë kompani ndërtimit hasin pengesa të panumërta për të marrë një leje ndërtimi, Rama i ka akorduar Delijorgjit plot 8 leje ndërtimi, njeriut “që po qeshte në Gjykatë pasi kishte vrarë 26 njerëz”.
“Ne kemi kohë që po protestojmë për këtë çështje duke akuzuar Ramën se po ushqen mafien e ndërtimit. Si ka mundësi që ky njeri merr 3 leje ndërtimi brenda një dite? Tirana po betonizohet çdo ditë, ajo po bëhet një Gërdec i dytë”, deklaroi Goxhaj.
Pas kësaj proteste, bBashkia e Tiranës ka akuzuar dje Lëvizjen Socialiste për Integrim si autoren reale të protestës së djeshme të ZMK ku iu kërkuar kryebashkiakut Edi Rama që të zbardhë aferat me lejet e ndërtimit me Mihal Delijorgjin.
Nënkryetari i bashkisë Edurat Shalsi, në një prononcim për mediat tha se Ilir Meta, ka harruar se sot është dita e përkujtimit të viktimave të Gërdecit dhe jo e shpifjes mbi lejet e ligjshme të bashkisë së Tiranës. “Ilir Meta është kaq i verbuar nga urrejtja saqë ka harruar se sot është dita për të kujtuar tragjedinë e fabrikës së paligjshme të Gërdecit dhe jo për të shpifur mbi lejet e ligjshme të bashkisë së Tiranës”, tha Shalsi.
Shalsi akuzoi kreun e LSI-së Meta se është bërë njësh me kryeministrin Berisha dhe se të dy përfaqësojnë shëmbëlltyrat e politikës së vjetër
“Meta është bërë njësh me Sali Berishën dhe të dy së bashku janë shëmbëlltyra më e
ulët e politikës së vjetër, e interesave personale mbi interesat e qytetarëve”, theksoi Shalsi. “Gjynah që Ilir Meta shfrytëzoi një ditë të madhe për një poshtërsi të vogël”, përfundoi Shalsi.