E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta për kreun e KMSH, imamët s’tërhiqen

 

TIRANE - Ka vazhduar ditën e djeshme përplasja mes drejtuesve të besimtarëve myslimanë dhe krerëve të KMSH, përmes deklaratash, në lidhje me mbledhjen e paralajmëruar të shtunën e ardhshme në Kavajë, në të cilën do të zgjidhet kreu i këtij institucioni. Besimtarët myslimanë pohojnë se nuk heqin dorë nga kërkesa e tyre për moszhvillimin e mbledhjes në shkelje të rregullave fetare dhe statutit të këtij institucioni, ndërsa KMSH ka pohuar se gjithçka është organizuar konform ligjeve dhe rregullave. Gjatë ditës së djeshme besimtarët nëpër xhamitë e kryeqytetit dhe disa prej imamëve të kontaktuar pohuan se nuk hiqnin dorë nga kërkesa e tyre për të organizuar protesta gjatë javës së ardhshme. Sipas tyre do të shfrytëzoheshin të gjitha metodat demokratike derisa krerët e KMSH-së të organizonin zgjedhje të ndershme. Ilir Hoxholli, një nga 86 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm Drejtues të KMSH-së, i cili është zgjedhur në KPD nga radhët e besimtarëve kryeqytetas, pohoi dje, se statuti i myslimanëve ishte shkelur hapur ndërsa nuk ishte respektuar afati prej 15 ditësh për prezantimin e kandidatëve për kreun e KMSH-së dhe platformave të tyre. Po kështu sipas tij, në shkelje të së gjitha rregullave, ende nuk ka një rival për Muçën, i cili të paktën duhej të prezantohej para datës 6 mars. Po kështu edhe njoftimi për organizimin e mbledhjes më datë 21 mars ishte bërë në mënyrë jo të ndershme, pasi sipas statutit të KMSH-së një gjë të tillë duhet ta bënte kryesia e KMSH-së në bashkëpunim me KPD-në, por që në fakt ka firmosur vetëm kreu. Imamët dhe besimtarët kryeqytetas pohuan dje se nuk kanë asnjë kandidaturë për kreun e KMSH-së dhe se nuk shpreheshin kundër Muçës, por sipas tyre, ky për t'u rizgjedhur në këtë post duhet të zbatonte rregullat. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›