Rama nxit aleatët të sulmojnë Metën

Sulmet frenetike ndaj kundërshtarit politik brenda kampit të majtë duket se janë një kusht i panegociueshëm që kryesocialisti Rama ua ka imponuar aleatëve të tij
aktualë për të pasur përfitime sa më të mëdha politike në ndarjen e zonave të influencës.
TIRANE - Ish-aleati i Lëvizjes Socialiste për Integrim, kreu i Demokracisë Sociale, Paskal Milo, nuk ka ngurruar dje që të atakojë kreun e LSI-së Ilir Meta duke e konsideruar atë si shkaktarin e humbjes së zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 nga ana e së majtës ndonëse në atë kohë Milo pati drejtuar kritika të ashpra në drejtim të lidershipit socialist të drejtuar nga Fatos Nano.
Këto akuza Milo i bëri gjatë fjalës së mbajti dje në sheshin “Skënderbej” në kuadër të 1-vjetorit të ngjarjes së Gërdecit.
“Gërdeci është një zgjatim i politikave kriminale të bandave politike dhe mafioze që u rikthyen në pushtet në vitin 2005 për shkak të aventurierëve dhe grevëthyesve politikë të së majtës shqiptare”, deklaroi Milo.
Ndërkaq përkundër natyrës së tubimit te djeshëm kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi ka hedhur parulla të mirëfillta politike duke e shndërruar kujtimin e viktimave në një tribunë elektorale.