E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia, përmbytja i merr jetën familjes shqiptare

Dy fëmijë, 1 dhe 10 vjeç dhe nëna e tyre nga Shqipëria, janë mes 7 viktimave që humbën jetën dje pas daljes nga shtrati të një lumi në Xhenova. Katastrofë në qytetin italian, që u përmbyt në pak minuta si pasojë e reshjeve

Itali-Tragjedi për një familje shqiptare në Xhenova të Italisë, ku dy fëmijët 1 dhe 10 vjeç janë mbytur së bashku me nënën e tyre si pasojë e daljes së menjëhershme nga shtrati të lumit që kalon pranë këtij qyteti. Gruaja shqiptare, që në mediat italiane është identifikuar si 28-vjeçarja Shpresa Jala, ka humbur jetën ndërsa së bashku me fëmijët dhe persona të tjerë u strehuan në një tunel për t’i shpëtuar vërshimit, por u bllokuan aty nga prurje të menjëhershme dhe të mëdha të ujit dhe baltës. Xhenova prej mesnatës së të enjtes ndodhet në gjendje të rëndë, pasi reshjeve që kanë kaluar çdo pritshmëri dhe kanë arritur rekorde për zonën, ndërsa dalja nga shtrati e lumit ka sjellë edhe të paktën 7 viktima.

Ngjarja

Mediat raportuan se grupi prej pesë personash gra dhe fëmijë janë shtyrë drejt një tuneli për të dalë në anën tjetër dhe të mund të gjenin strehim nga vrulli i menjëhershëm i lumit që kishte dalë nga shtrati. Një grua është parë të humbë jetën në rrugë, pasi është përplasur nga një makinë që ishte rrëmbyer nga uji, ndërsa pjesa tjetër e grupit janë rrëmbyer nga rryma dhe janë mbytur në tunelin ku mendonin që të strehoheshin. Askush nuk ka mundur t’u vijë në ndihmë viktimave, ndërsa as ata nuk kanë pasur kohë të gjejnë strehim, pasi rryma e baltës dhe uji i ka përfshirë thuajse menjëherë. Një nga dëshmitarët në vendngjarje, Rosario Gioia 38 vjeç, ka treguar për agjencinë e lajmeve ANSA se, ndërsa shihte tek i përpinte uji dhe balta, ka mundur të kapë fëmijën 1-vjeçar, por pasi ai i ka shpëtuar rrjedhës ka parë se fëmija kishte vdekur. Ndërkohë mediat raportojnë se trupat e pajetë të tre pjesëtarëve të familjes nga Shqipëria janë gjetur dhe janë nxjerrë nga uji. Numri i viktimave deri në mbrëmjen e djeshme ishte 7 persona, ndërsa kryetarja e Bashkisë së qytetit ka paralajmëruar për më shumë kujdes, pasi situata me reshjet jo normale në zonë pritej të përkeqësohej.

Situata

Rrjedha të ngjashme me lumin kanë dalë në rrugët e Xhenovas gjatë ditës së djeshme, pas reshjeve të rrëmbyeshme që në mesditë arritën deri në 120 milimetra shi në pak minuta. Sasi të tilla reshjesh në një ditë janë të pazakonshme për zonën, ndërsa mësohet se në pak orë aty ka rënë një e treta e sasisë së shiut që bie në një vit. Kryetarja e Bashkisë së qytetit, duke iu referuar rrymës së ujit që doli nga shtrati i lumit, e ka cilësuar atë një cunami që i ka gjetur autoritetet të papërgatitura. Pas goditjes së parë forca të shumta zjarrfikësish dhe polumbarësh ndodhen në rrugët dhe në qendër të qytetit për të ndihmuar personat në nevojë. Dëshmitarë tregojnë se në momentin që lumi ka dalë nga rrjedha, fuqia e tij ka qenë e papërshkrueshme, shumë njerëz kanë mundur të shpëtojnë vetëm duke qëndruar mbi kabinat e makinave të tyre që lundronin në ujë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›