Imami, Xhaferi: Shqipëria mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në NATO
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami priti homologun e tij të Republikës së Maqedonisë, z.Talat Xhaferi
Sot paradite, ministri i Mbrojtjes i Republikës së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, i cili ndodhet në vendin tonë në krye të një delegacioni të lartë, bëri një vizitë zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes. Pas pritjes ceremoniale me Truproje Nderi dhe Orkestër Frymore të FA që iu bë nga ministri i Mbrojtjes, z. Arben Imami, ministri Xhaferi la shënime në Librin e Përshtypjeve të Ministrisë së Mbrojtjes. Më tej, ministri i Mbrojtjes Imami u takua dhe zhvilloi bisedime me homologun e tij, ministrin e Mbrojtjes Xhaferi dhe delegacionin që ai kryeson.
Më pas, të dy ministrat e Mbrojtjes dhanë një konferencë për shtyp. Ministri Imami në fjalën e tij theksoi se, ishte një kënaqësi e madhe që sot pritëm në Ministrinë e Mbrojtjes, ministrin e Mbrojtjes së Maqedonisë, z. Xhaferi, i cili është emëruar në këtë detyrë pak kohë më parë dhe një ndër vizitat e para të tij ia kushtoi Shqipërisë. Duke u ndalur në çështjet ku u përqendruan bisedimet mes dy palëve, ministri Imami theksoi: “Çështja e parë dhe më e rëndësishme është padyshim integrimi i Maqedonisë dhe rajonit në strukturat e Atlantikut të Veriut, në NATO. Republika e Shqipërisë ka një qëndrim të palëkundur që Maqedonia duhet të jetë një vënd anëtar i NATO-s. Kështu që çështja e emrit, e cila ka qenë pengesa e vetme për Maqedoninë do të gjejë zgjidhje sa më të shpejtë. Sigurisht që vlerësuam edhe kontributet që Maqedonia ka dhënë për operacionet ISAF në Afganistan dhe që do të vijojë të jap edhe pas vitit 2014”.
Lidhur me situatën në rajon, z. Imami u shpreh: “Në kuadrin rajonal gjithashtu biseduam për bashkëpunimin me Kosovën, pjesëmarrjen e saj në të gjitha iniciativat rajonale, gjë që sigurisht do të lehtësohet edhe më tej nga marrëveshja e fundit midis Prishtinës e Beogradit. Edhe Shkupi edhe Tirana zyrtare kanë qenë në vijimësi në mbështetje të një roli aktiv jo vetëm thjeshtë të pjesëmarrjes së Kosovës në këto iniciativa rajonale”. Në kuadrin bilateral, ministri i Mbrojtjes Imami, ka çmuar zhvillimet dhe marrëdhëniet midis dy ushtrive dhe dy ministrive tona të mbrojtjes, duke theksuar se gjatë këtyre viteve kemi pasur vizita të shpeshta e të ndërsjellta. Është për t’u theksuar pjesëmarrja aktive e të dy vendeve tona në iniciativën rajonale për mbrojtjen ajrore dhe shpresoj që është një projekt që kërkon kohë, por që do të shkojë drejt një realizimi. Gjithashtu, nënvizoi z. Imami, biseduam për rritjen e nivelit të bashkëpunimit në stërvitje dhe trajnime. Maqedonia ka disa qendra ekselence siç është Krivollak-u, ka instaluar tani një qendër simulimi për pilotimin, e cila do të ulë kostot e trajnimit të pilotëve dhe besoj jo vetëm ne, por edhe ministritë e tjera të interesuara, si ajo e Brendshme apo e Shëndetësisë, mund ta shohin këtë gjë sepse trajnon me kosto shumë më të ulët sesa me në trajnime normale me helikopter. Në fushën e emergjencave civile ka pasur iniciativa dhe deklarime në kuadrin e A5, por kemi edhe një marrëveshje të nënshkruar së bashku me Maqedoninë. Mund të mendojmë në një të ardhme jo të largët për të filluar trajnimet së bashku për përballimin e situatave të emergjencave që mund të vijnë nga bora, zjarret, tërmetet etj, në mënyrë që forcat tona të bëhen të ndërveprueshme dhe në raste fatkeqësie të integroheshin për të ndihmuar njëra-tjetrën, ka përfunduar ministri Imami.
Ministri Mbrojtjes së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi u shpreh se, në vazhdën e vizitave në vëndet fqinje dhe ministrive përkatëse jam sot në Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë për të rikonfirmuar dhe për të çmuar edhe njëherë lart mbështetjen dhe bashkëpunimin që kemi midis dy ministrive, në veçanti mbështetjen që Ministria e Mbrojtjes dhe shteti shqiptar i jep Ministrisë së Mbrojtjes dhe shtetit të Maqedonisë për anëtarësimin në strukturat euro-atlantike dhe që, siç u tha, problemi i njohur tanimë i çështjes së emrit ishte pengesa e fundit dhe e vetme e Maqedonisë. “Ne në Maqedoni punojmë për të mbajtur ato standarde që kemi arritur deri më tani dhe për të zhvilluar standarde të tjera konformë standardeve të NATO-s. Ne jemi të gatshëm që edhe në formatin post ISAF 2014 të vazhdojmë të jemi pjesë e kontributit të forcave të përbashkëta aleate atje”, ka theksuar, ndër të tjera, ministri i Mbrojtjes Xhaferi.
Në vijim, z. Xhaferi është shprehur se, ne kemi bërë ofertë që kapacitetet tona stërvitore të shfrytëzohen edhe nga ushtria shqiptare, siç është qendra Krivollak, Qendra Rajonale e Trajnimit për Komunikim dhe Qendra për Trajnim të Pilotëve, si qëndra stërvitore që funksionojnë në Maqedoni. Ministri Xhaferi ka falënderuar Ministrinë e Mbrojtjes për mundësinë e ofruar nga KDS-ja për t’u trajnuar ushtarakët e lartë të FA të Republikës së Maqedonisë këtu në Tiranë, si dhe Akademinë Ushtarake të Shqipërisë për ndihmën që ka dhënë në trajnimin e kadetëve maqedonas nga viti 2006 deri në vitin 2010, duke theksuar se se mësimet e marra në këtë akademi janë të nivelit më të lartë, për çka ne ju jemi mirënjohës për atë kontribut në veçanti për faktin që në ato trajnime kanë qenë të drejtuar përfaqësues të komuniteteve jo shumicë në Maqedoni, konkretisht përfaqësues shqiptar nga Republika e Maqedonisë. “Ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e projekteve të përbashkëta, siç është projekti i mbikëqyrjes ajrore, projekt i përbashkët ballkanik, ku bëjnë pjesë edhe dy vëndet tona, ne të vazhdojmë që bashkarisht të punojmë në përforcim të atij projekti”.
Ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë ka vlerësuar pozitivisht marrëveshjen Prishtinë-Beograd, marrëveshje kjo që ndikon pozitivisht në relaksim të raporteve brënda vëndit, por edhe në rajon dhe ne bëjmë të gjitha përpjekjet që Republika e Kosovës dhe institucionet e saj, në veçanti Ministria e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, të jetë prezente në çdo iniciativë dhe nismë rajonale.
Gjatë pasdites së djeshme, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, z. Talat Xhaferi, i shoqëruar nga zv.ministrja e Mbrojtjes, znj. Arta Musaraj ka bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe ka vendosur një kurorë me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”. Më pas është pritur në një takim nga kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë dhe Mbrojtjes, z. Leonard Demi. Po dje pasdite, ministri i Mbrojtjes së Maqedonisë, z. Telat Xhaferi bëri një viztë në Komandën e Doktrinës dhe Stërvitjes, ku është pritur nga komandanti i KDS, gjeneral brigade Bardhyl Hoxha.
...