E Shtunë, 31 Tetor 2026

Autogoli i Ramës me Shkodrën

18-12-2010 / Redaksionale

Opozita e shëmtuar përballë pasqyrimit të kutive të Shkodrës

“Opozita e bashkuar është më e fortë se kurrë”,- tha Edi Rama ndërsa protestonte ditën e djeshme në Vlorë përballë 100 militantëve. Partia më e madhe opozitare, ajo socialiste është katandisur si një organizatë jo qeveritare që organizon mitingje gjysmë me pagesë dhe gjysmën e mbetur nën kujdesin e veçantë të  administratës së Bashkisë Vlorës. Pa dyshim protestë pas proteste, alibi pas alibie opozita socialiste po shikon sesi trasta e saj mbështetëse po firon krejt. Askush se ndjek më në këto ekskursione që ngjajnë me aksionet partisë komuniste, të rikthyera në kohë për kutitë e humbura të Ramës. Përtej kësaj, vetë kauza e kutisë pas liberalizimit të vizave është e pa vend, në planin e strategjisë politike, pasi intensiteti i zgjatur në kohë i luftës politike veç në një llogore ose bunkeri është duke u kthyer në një bumerang zgjedhor.
Merret me mend fare lehtë se koha është kundërshtari më i fortë që ka Rama në këto momente. Sepse sa më shumë ecën ajo aq më shpejt fiket ndjeshmëria e “popullit opozitar” ndaj kutisë. Me siguri këtë konstatim ndofta ia kanë shpjeguar me një memo të shkruar nga dora e butë e ndonjë strategu elektoral.
Patjetër gjithçka merr përmasa serioze kur vetëm pak ditë më parë prokuroria e Shkodrës vendosi të mbyllë padinë e Nard Ndokës për manipulime zgjedhore në zonën e tij elektorale. Pse në mungesë të provave të manipulimit të rezultatit zgjedhor në këto qendra votimi, në vendimin e datës 17 Nëntor 2010, prokurori Kulluri vendos pushimin e çështjes penale.  Dhe me këtë vendim, subjekti PDK është lajmëruar nëpërmjet shërbimit postar që më datë 23 nëntor 2010, me cilësinë e kallëzuesit. Sakaq humbja, si gjithmonë e është e vështirë të pranohet, prandaj Ndoka akuzoi prokurorinë e Shkodrës se ka manipuluar provat në hetimin e rezultatit të zgjedhjeve në këtë qark, në KZAZ-të nr. 40 dhe 42 dhe se është dorëzuar pas presioneve të politikës.
Kuptohet vetiu se hapja e kutive nga prokuroria ka sjellë edhe zhdukjen e alibisë dhe rrënimin e aksionit politik 18 mujor të opozitës së Edi Ramës. Opozita kishte gjetur një alternativë domethënëse për të konfirmuar mbijetesën e saj dhe të kryetarit Rama në skenën politike shqiptar, përmes përdorimit si oksigjen dhe frymëmarrje kauzën e zgjedhjeve të kaluara dhe pretendimet për manipulim të procesit.
Afërmendsh është pjekur koha për të gjykuar sjelljen e opozitës edviniste përgjatë këtyre 18 muajve harbim dhe shkarkim energjish. Sepse përveç bllokadës kundër lëvizjes së lirë më bllokada, me insinuata për sigurinë e kartave të identitetit, të pasaportave biometrike, të 1 milion të papunëve, e që ¼ e shqiptarëve do të emigrojë masivisht jashtë Shqipërisë porsa të  hiqen vizat, Partia e Edi Ramës s’ka shënuar asnjë pikë tjetër në favor të vendit. Natyrisht me këto sjellje në fushë veç ka bërë autogola. Opozita politikisht luan keq, me lojtarë të dobët, jo në formë, të ngathët në çdo drejtim pa një taktikë a strategji të qartë. Sigurisht ajo çka ka shkuar dëm është djersa. Është djersa e militantëve socialistë që është shpenzuar pa masë dhe komplet kot jashtë Tirane dhe brenda Tirane. Skuadra e opozitës së bashkuar me kapiten Ramën, dhe anësorë Ndokën, Milon dhe  Gjinushin kanë një mbrojtje shumë të dobët, dhe një mesfushë të pakoordinuar me Zogaj, Veliaj, Balla dhe Ngjela dhe duke sulmuar me mesoburrin e salarisë  paracakton fatin e kampionatit. Vendi i dytë është i siguruar në kampionatin shqiptar. Por harrojnë socialistët se kupat e Europës zgjedhin veç skuadrën e Parë si përfaqësuese. Dhe aktualisht skuadra e parë e këtij vendi është partia demokratike e përfaqësuar nga kapiteni i saj Sali Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›