Autokolona e trupave libiane arrin në Nigeri

Agjencitë perëndimore të lajmeve raportojnë se një autokolonë e blinduar që mbante trupat e ish-udhëheqësit libian, Muamer Gadafi, ka kaluar në Nigeri.
Të njëjtat burime thonë se karvani përbëhej nga dhjetëra kamionë dhe shoqërohej nga ushtria nigeriane. Mësohet se karvani ka arritur në qytetin Agadez, ndërsa nuk është e qartë nëse brenda ndodhej Muamar Gadafi.
Njoftimi vjen pasi trupat e Gadafit kanë forcuar pozicionet përreth Bani Valit, që është bastioni i fundit i regjimit.
Udhëheqësit e përkohshëm kanë deklaruar se tranzicioni drejt demokracisë do të nisë me “deklaratën e çlirimit”. Të njëjtit kanë thënë se deklarata do të bëhet pas marrjes së kontrollit në tërë vendin dhe pas kapjes së ish-diktatorit të arratisur.
Kombet e Bashkuara thonë se janë duke ndihmuar Këshillin Kombëtar të Tranzicionit në përgatitjen e zgjedhjeve të para të lira në disa dekada.
I dërguari i posaçëm i OKB-së, Jan Martin, ka deklaruar se vendi përballet me pengesa të mëdha politike pas 42 vjetësh të sundimit diktatorial.