Wikileaks: Tadiç privatisht njeh Kosovën

Një tjetër dokument interesant del në pah, i botuar nga Wikileaks, dokument i cili mban datën 1 shtator, 2006. Në atë kohë, ambasadori amerikan, Michael Polt, u tregon eprorëve të tij, dallimet mes presidentit serb, Boris Tadiç dhe kryeministrit të asaj kohe, Vojislav Koshtunica, duke shtuar se Tadiç, privatisht e njeh pavarësinë e Kosovës.
“Tadiç tenton që çështjeve kyçe, t`i qaset me më shumë realitet dhe me qasje pro-perëndimore. Ne dallim nga Koshtunica, presidenti serb i kushton rëndësi të madhe marrëdhënieve amerikano-serbe; ai privatisht njeh realitetin e pavarësisë së Kosovës dhe është i përqendruar në “ditën pas” zgjidhjes së problemit të Kosovës; ai haptazi kërkon arrestimin e Ratko Mladiçit dhe haptazi mbështet anëtarësimin e Serbisë në NATO”, kishte deklaruar ambasadori Polt.
Si çështje kyçe në dallimet mes qëndrimeve të Tadiçit dhe Koshtunicës, Polt përmend Kosovën, krimet e luftës, marrëdhëniet ndaj Malit të Zi, NATO-n dhe SHBA-të.
Në këtë mënyrë, Ambasadori amerikan thekson se në dallim nga kryeministri Koshtunica, i cili refuzon të njohë si publikisht ashtu edhe privatisht pavarësinë e Kosovës, Tadiç privatisht e njeh rëndësinë e përgatitjes së momentit të shkëputjes së Kosovës dhe është përpjekur të fitojë sa më shumë që është e mundur për Serbinë dhe për serbët e Kosovës.
“Edhe pse publikisht duhet ta ndjek vijën qeveritare dhe t`i qëndrojë prapa Koshtunicës, qëllimi i tij është që ta pranojë pashmangshmërisht pavarësinë e Kosovës dhe ta ndihmojë vendin e tij të shkojë përpara drejt integrimeve euro-atlantike”, ka përfunduar Polt.